PYETJET E SHPESHTA DHE PËRGJIGJJET

ÇKA JANË TARIKATET ALIJE ?

RRUGËT KAH ZOTI JANË TË SHUMTA, ELHAMDULILAH!

SECILA DOKTRINË FETARE E NDRIÇON NJË RRUGË KAH ZOTI. NË MES DOKTRINAVE BOTËRORE EKZISTOJNË SHUMË VARIACIONE TË TYRE. DISA JANË ME TË POPULLARIZUME SE TJERA, E DISA JANË MË TË SUKSESHËME SE TË TJERA.

ORGANIZIME FETARE JANË POASHTU TË NDRYSHME QE NGA INDIVIDUALISTE, GRUPE TË TUBUARA RETH NJË MËSIMI, GRUPACIONE RETH NJË PERSONI, GRUPACIONE KLERIKËSH TË SISTEMATIZUARA RETH KISHAVE, AUTORITETEVE SHTETËRORË, DINASTIVE, IDEOLOGJIVE KOMBËTARE, ME APO PA TENDENCA POLITIKE, ME KOMUNITETE AKTIVE NË JETËN SHPIRTËRORE OSE KRYESISHTË SI KLERIKALE, PA TRADITË GJENERATASH DHE ME TRADITË DOMETHËNSE SHUM SHEKULLORE.

KËTË DIVERSITET DUHET PRANUAR SI BEGATI TË NJERËZIMIT DERISA ORGANIZMA FETARË KOEKZISTOJNË NË TOLERANCË ME MIRËBESIM NE MES VETI.

BASHKËSIA E TARIKATEVE PARAQET UNIONIN E INSTITUCIONEVE QË E KULTIVOJNË RRUGËT E LARTËSUARA TË DERVISHËVE, PRA UNIONIN E TARIKATEVE TË LARTËSUARA (BASHKËSIA E RADHËVE TË DERVISHËVE ISLAM ALIJE). FJALA “ALIJE” E KA KUPTIMIN “TË LARTËSUARA”, SEPSE KA EDHE TARIKATE JASHTA KËSAJ OMBRELLE.

TË GJITHA TARIKATET E LARTËSUARA (ALIJE) RRUGEN KAH ZOTI E REALIZOJNË ME NGRITJEN E NDÊRGJEGJES E PJESËMARRĒSIVE NË TARIKAT, PRA TARIKATET E LARTËSUARA JANË ATO TARIKATE TË CILAT REALIZIMIN SHPIRTËRORË E BËJNË ME METODEN E NGRITJES SË NDËRGJEGJES (NGRITJES SË NEFSIT).

NEFSI NGRITET NGA NIVELI I VETËDIJES PRIMITIVE TË NJË EGOJE SUNDUES, E NEPËR SHKALLET E NGRITJES DUKE U MBAJTUR PËR LITARIN E BESNIKËRISË, DHE DUKE I KALUAR SHKALLËT QË NGA PENDIMI, INSPIRIMI, DERISA TË GJËN PAQE, I KËNAQUR ME ZOTIN, ZOTI I KËNAQUR ME ATË, DHE PËRFUNDIMISHT ME SHKRIRJE (FENA) DERI TE LUMTURIMI NË PAFUNDËSI TË NDËRGJEGJES ABSOLUTE (BEKA)

CILËSI E TARIKATEVE ALIJE ËSHTË SE E KONSIDEROJNË NJËRI TJETRIN BARABARTË, BASHKËPUNOJNË DHE RESPEKTOHEN.

PSE BASHKËSIA E TARIKATEVE NUK ËSHTË ME BASHKËSIN ISLAME?!

Përgjigjeje është aq e thjesht sa është edhe banale, funksionimi dhe ekzistencën e teqeve dhe tarikateve i ka ndalu Bashkësia Islame e Jugosllavisë në vitin 1952. Kjo ndalesë u zbatua në Bosnje por u refuzua në troje shqiptare, në Kosovë. Dokumenti për këto është publik, në bibliotekë “Glasnik VIZ (Vjerske Islamske Zajednice)” nga viti 1952, viti III, nr.5-7, faqe199.
Këtë çështje e diskuton Bashkësia Islame edhe një herë në dhjetor 1972, me kolaudim që teqe të mbetura duhet të mbyllën. (shihe materialin në përgjigje të pyetjes së radhës)

PSE DY BASHKËSI ISLAME NUK U INTEGRUAN GJATË KËTYRE VITEVE?

Dëshirën për tu integruar në një Bashkësi unike, Bashkësia e Tarikateve e ka shpreh dhe e ka propozu qe në 1973. Në mënyrë të vrazhdë, pa pas fare dëshirë për ta diskutuar këtë çështje, Bashkësia Islame e refuzoj këtë iniciativë.
Dokumentet që e vërtetojnë këtë janë më poshtë. Dokumenti i parë është përgjigjja e Pleqërisë Supreme të Bashkësisë Islame në RSFJ, me seli në Sarajevë, e nënshkruar nga Reisi Kemura.
Qe përkthimi:
▪▪▪▪
PLEQËSIA SUPREME ISLAME
SARAJEVË
Nr.: 1476/73
Sarajevë, 11 gusht 1973

Zotëria:
Xhemali Shehu, PRIZREN
Me shkresën e juaj nga 17 korriku, na dorëzuat “Draft Statutin të Lidhjes të Radhëve të Dervishëve Islam Alije në RSFJ” për vërejtje eventuale.
Në lidhje me si më lartë ju informojmë që Kuvendi Suprem i Bashkësisë Islame në RSFJ, në një sesion të mëparshëm, ka pru vendimin me të cilin ndalohet puna e teqeve.
Pra, si pas kësaj kjo Pleqësi si organ ekzekutiv të Kuvendit Suprem nuk mundet dhe nuk dëshiron ta lejon punën e teqeve, themelimin e Lidhjes as Statutit që e dërguat.

President
i Pleqërisë Supreme Islame
Reis-ul-ulema
Haxhi Sulejman Kemura

Kopja të dërgohet të gjithë
Pleqësive të Bashkësisë Islame
në vend.
▪▪▪▪▪

Dokumenti i dytë është përgjigjja e Pleqërisë së Bashkësisë Islame të Republikës Socialiste të Serbisë e nënshkruar nga Presidenti i saj Haxhi Ismajl Hakiu.
Dokumentet është i përkthyer sepse atëherë Bashkësia Islame e Republikës Socialist të Serbisë (RSS), sot BIRK, (Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës) folte serbisht.
▪▪▪▪
PLEQËSIA E BASHKËSISË ISLAME NË RSS
(Republikën Socialiste të Serbisë)
nr.606/73

Prishtinë, me 14 gusht 1973

Zotëria:
XHEMAJLI SHEHU
rruga e Bihaqit nr.13.
Prizren

Me shkresën e juaj me 13 korrik 1973, të cilën bashkë me draftin e Statutit, e pranuam me 16. të njëjtit muaj, kini kërkuar që pas leximit ta japim propozime dhe vërejtje.
Për shkak kësaj, kjo Pleqësi në lidhje si më lartë e jep përgjigjeje si vijon:

Për çështjen e themelimit dhe mbajtjes së mëtejshme të teqeve në disa krahina të vendit tonë, Bashkësia islame ka qëndrimin e vet i cili duhet të jetë i njohur për Ju. Kjo çështje, ose më saktë qëndrim i bashkësisë tonë fetare është ripërsëritur në sesionin e fundit Pleqërisë Supreme të Kuvendit të Bashkësisë Islame në RSFJ, të mbajtur në Beograd me 14 dhjetor 1972, pas rishqyrtimit e përsëritur të kësaj çështje, është pru konkluzioni i cili fjalë për fjalë thotë, “Kuvendi njëzëri konstaton që themelimi dhe mbajtja e mëtejshme të teqeve në disa krahina nuk është në pajtim dhe interesin e Bashkësisë islame”.
Pra, kjo Pleqësi si organ i bashkësisë Islame, është e obliguar t’i zbatoj vendimet e organeve më të Larta të BI. Për shkak kësaj kjo Pleqësi nuk u lëshua në shqyrtim dhe analizë të draftit të Statutit, me të cilin në asnjë rast nuk mund të pajtohet ose ta aprovoj iniciativën e formimit të Radhëve të Dervishëve Islam në kuadër të Bashkësisë Islame si një organizatë specifike.

Presidenti
Haxhi Ismajl Haki
(Vula e BI në RSS)
▪▪▪▪

A ËSHTË BASHKËSIA E TARIKATEVE E KOSOVËS?

BASHKËSIA E TARIKATEVE ËSHTË E VETMJA BASHKËSI ME REGJISTRIM DHE SELI NË KOSOVË NË RSFJ.

Bashkësia e Tarikateve qe nga themelimi me 12 nëntor 1974 e ka selinë në Kosovë, në Prizren, atëherë Rruga e Bihaqit nr.3, sit Rr. Kaçaniku nr.3.
Bashkësi tjera fetare janë me seli nëpër vende tjera të RSFJ: Bashkësia Islame në Sarajevë, Kisha Ortodokse Serbe në Beograd, Kisha Katolike në Zagreb, Bashkësia Hebre në Beograd, …

Qe një shembull:
E vetmja Bashkësi fetare që i realizon sigurimin penzional dhe invalidor në Kosovë është Bashkësia e Tarikateve. Në foto do ta gjeni fletën nga “Gazetën Zyrtare” të KSAK (Krahinës së Kosovës) nga 1987 ku është botua kontrata me BVI për sigurimin pensional dhe invalidor për anëtarë të tarikateve në detyrë (shihe neni 2).

CILI ËSHTË QËNDRIMI I BASHKËSISË SË TARIKATEVE NDAJ SHTETIT TË KOSOVËS?

Tarikatet e Kosovës e përqafojnë shtetin modern demokratik dhe organizimin e tij e marrin si të mirëqene dhe si realizimin e vizionit social të Profetit Muhamed (as). Mendojmë se sekullarizmi i shtetit modern demokratik duhet ta siguron ekui-distancen e shtetit nga bashkësi fetare dhe ti garanton bashkësive liri fetare. Participimi i bashkësive fetare në shtet, çoftë në administratën publike, sistemin shkollor, apo në  sistemin juridik është sipas neve anakronik, përçarës dhe e fundos mirëbesimin në mes grupeve fetare.

Këtu duhet cekur se islami politik e preferon participimin në shtet, me qëllimin të faktorizimit por edhe të implantimit të elementeve të sheriatit në sisteme të shërbimeve publike e deri te sundimi i sheriatit si ligj i shtetit. Këto tendenca të grupeve fetare shpesh e ballafaqojnë fenë, tashmë të politizuar, me demokracinë dhe kulturën moderne.

A KA POLITIK-BËRJE NGA TARIKATET?

Sufitë dhe Tarikatet e tyre nuk e preferojnë sheriatin si ligj të shtetit modern. Për tarikatet ,qe nga koha e krijimit shteteve kombëtare, çështjet e pushtetit dhe qeverisjes janë jashtë domenit të veprimit, Nga ana tjetër për islamin politik (musliman që e dëshirojnë sheriatin si ligj i shtetit)) politik-bërja dhe pjesëmarrja në pushtet janë ende esenciale…..

ÇKA ËSHTË QËLLIMI I NJI TARIKATI?

Qëllim i udhëzimit në tarikat është ngritja e ndërgjegjes së njeriut nga gjendja ku ego sundon e deri te njeriu i virtytshëm, si në shoqëri ashtu edhe para Zotit. Vetëm si i virtytshëm njeri realizohet si Musliman.

KUSH JANË PJESTARË NË TARIKAT?

Pjestar të tarikateve quhen Sufi ose Dervish. Radhiten shpirtërisht sipas konceptimeve fetare, metodave të ndërgjegjësimit dhe mësimeve të udhëzuesit të vet historik, Pirit të Tarikatit. Këto radhe të besimtarëve Islam Sufi i quajmë Tarikate….

A KA DIVERSITET NË BTK?

Në BTK janë për momentin 8 tarikate, nga 12 tarikate të lartësuara (Alije). Diversiteti i jonë i udhëzimeve në rrugën shpirtërore rrjedh nga diversiteti i natyrës së njerëzve. Në Bashkësinë e Tarikateve dominon marrëdhënia e  vëllazërimit për kundrejt dallimeve. Kush do që e gjënë vetën në pozitën e urrejtjes për shkak dallimeve me fryma tjera fetare, është në të vërtetë vetëm një sektarian më shumë. Dera e BTK është e hapur për ko-ekzistencën aktive për të gjithë që Zotin nuk e mohojnë.

A JANË TARIKATET AUTENTIKË?

Përcjellja e bekimit nga Burimi i Shenjët i Besimit, nëpërmjet zinxhirit të pandërprerë shpirtërorë që e posedojnë Tarikatet Alije (të lartësuara), quhet Silsila, dhe është autentike. Interpretimi i Islamit nga Tarikatet bazohet në introspekcionin dhe e trajton besimin nga aspekti i brendshëm, pra ndryshe nga trajtimi ‘fjalë për fjalë’ dhe juridik i sunitëve ose nga egzegeza e  frymëve fetare të shiave. Tarikatet e ruajnë esencën e interpretimit të Islamit si një besim në të Gjithë Vërtetën…

A JANË SUFI SEKTARIAN?

Tarikatet dhe sufitë (dervishët) i pranojnë si të mirëqenë të gjithë spektrin e besimtarëve musliman, pra nuk janë përjashtues dhe e përçojnë frymën egalitare, frymën vëllazërore ndaj të tjerëve. Kjo dëshmon se sufijtë nuk janë sektarian.
Nga ana tjetër grupe religjioze muslimane që i përjashtojnë musliman të frymëve tjera fetare, nuk i përfillin ata, i përbuzin dhe i nënçmojnë, janë me definicion grupe sektariane, janë ata që islamin e copëtojnë dhe me këto vërtetojnë jo-autenticitetin e vet.
Në këtë aspekt sufitë e përcjellin moton: ‘Kush nuk është kundra nesh do të jetë i mirëpritur”.

ÇKA DO ME THONË KJO NDARJE, SUFI, SUNI, SHIA?

Sufiu është njeriu me ndërgjegjen e kulluar, dhe moralin e ngritur, ndërsa nocioni Suni dhe Shia është i rezervuar për grupe sektare të cilat e kanë qëllim, sundimin e islamit politik.
Mendojmë se identifikimi me islamin politik të tipit ‘suni’ apo ‘shia’ e degradon besimtarin në ithtar, sepse këto grupe:
a) dëshirojnë sheriatin si ligj
b) dëshirojnë një shtet me pjesëmarrje të klerit në administrim, edukim dhe jurisprudencë e deri te shteti teokratik,
c) dëshmojnë prapambeturin shpirtërore
d) dëshmojnë pa përgjegjsinë shoqërore
e) dëshmojnë gatishmerinë për konflikt me të gjith të tjerë me bindje të ndryshëm,
f) dhe me gjith këto dëshmoojnë se nuk e kan kuptu porosin e shpalljeve e as parimin e Dinit.

A DALLOJNË PRAKTIKAT E TARIKATEVE?

Edhe pse dervishet në Kosovë i praktikojnë ritualet obliguese (farz) të njëjta me praktikat e muslimanëve hanefi, për nevojat e përparimit shpirtëror dervishët i kultivojnë edhe praktikat suplementare të begatshme të meditimit, kontemplimit dhe ritualet të zgjuarjes së gjendjeve shpirtërore të cilat pastaj dallojnë nga ritualizmi i thjeshtë i jetës fetare të islamit të reduktuar.

KUSH KREJT VJEN NË TARIKAT?

Tarikate i pranojnë të gjithë spektrin e besimtarëve që besojnë në Një Zot dhe dëshirojnë të përparojnë shpirtërisht. Të gjithë këta i edukojmë shpirtërisht të janë ndërgjegjshëm dhe besnik Zotit, Një të Veçantë dhe të Vetmin, duke e përqafuar sistemin e vlerave mbi të cilin është Hamd i Zotit, pra të bëhen Sufi, e jo sall të mbesin ithtar të frymëve fetare përjashtuese që përçahen në mes veti për çështje të interesave të dynjallukut.

A KA SHIA NË BTK?

Nē BTK, që të gjithë, e pranojmë formatin dhe rregullat të ritualeve obliguese (farz) të sunive hanefi. Islamin politik të shiave dhe atë të sunive e refuzojmë. Tarikatet nuk punojnë për participimin dhe rivendosjen e pushtetit klerikal si që është qëllimi i islamit politik….

CILA DISCIPLINË FETARE DOMINON NË MËSIMET DHE UDHËZIMET E TARIKATEVE?

Të gjitha tarikate e kultivojnë Sufizmin (Tesavufin) si disciplinë kryesore, pra arritjen e Njerëzisë duke u ngritë në ndërgjegjjje, duke shërbye për Perëndi dhe duke kultivuar të vepruarit me mirësi dhe bukuri. Këtu duhet cekur se islami i reduktuar kryesisht mirrët me ritualizëm dhe jurisprudence (Fikh) të sekteve të tyre.

SI QËNDROJNË MARRËDHËNIE ME KOMUNITETIN BEKTASHIJAN?

Komunitetit Bektashian nga Shqipëria dëshiron të vetë përfaqësohet në Kosovë. Ne në BTK veprojmë me parimin ‘Kush nuk është kundra nesh do të jetë i mirëpritur’ ashtu që regjistrimin e Komunitetit Bektashian nga Shqipëria i cili udhëhiqet me ideologji ‘Bektashizëm’, të cilët deklarohen si shia do ta përkrahim.

Nga ana tjetër frymën tradicionale sufike të Tarikatit Bektashi si interpretim i lartësuar i Islamit, do vazhdojmë ta kultivojmë dhe begatojmë, në origjinalitetin e vet, në kuadër të radhëve tona.

PSE DERVISHËT SHPOHEN GJATË RITUALEVE TË VETA?

Frika dhe dhimbja janë ato që më së shumti e përkujton njeriun që i takon botës materiale dhe se është i udhëhequr nga egoja. Ai që, me fuqinë e besimit, mund të përballon dhimbjen, dhe frikën ndaj saj, vërteton se shpirti i tij ka fuqi më të madhe se frika dhe dhimbja, pra se shpirti mund ta sundon egon dhe trupin, dhe kjo është domethënia dhe porosia e ritualit të shpuarjes me zarfa (gjilpëra dhe shufra metalike që përdoren në disa rituale të dervishëve). Rituali është tipik për tarikatet të cilit kanë vepru brenda ushtrive muslimane të kohërave të ndryshme. Përballja me friken dhe dhimbjen për një ushtar u konsiderua virtyt shpirtërorë dhe devocion fetar. Realiteti i shpuarjes me zarfa sot e ka zënë pozitën e faktorit identifikues dhe si i tillë vazhdohet të kultivohet si pjesa e traditës në disa rituale vjetore. Jo të gjithë tarikate e kultivojnë këtë ritual. Për shkak se i tërheqë sytë e vizitorëve dhe kamerat e gazetarëve, rituali i shpuarjes me zarfa, shpesh përjetohet dhe paraqitet në plan të parë, e esenca e përpjekjes së dervishëve në rrugëtimin e ndërgjegjësimit kah Ndërgjegjja Absolute, Zoti i Lartësuar, nuk përmendet fare.