EL-FATIHA

(1:1-7)

Me emrin e Allahut, Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

Çdo faleminderim i përket Allahut, Zotit të botëve, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit, Sunduesit të Ditës së Gjykimit.

Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.
Udhëzona në rrugën e drejtë (rrugën e ngritjes)!

Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi (nimet shpirtërorë), e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!

BEKARE, Kushtet e Udhëzimit (2:1-5,21-22,)

Me emrin e Allahut, Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

(2:1-5)

Elif, Lâm, Mîm.
Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshim.
Ai është udhërrëfyes për të kujdesshmit,
të cilët besojnë në të fshehtën,
ngriten në falje
dhe japin nga ajo
që Ne ju kemi dhënë;
dhe për ata që besojnë
në atë që të është shpallur ty,
në atë që është shpallur para teje
dhe që me bindje i besojnë jetës tjetër.
Ata janë të udhëzuar
në rrugën e drejtë nga Zoti i tyre
dhe pikërisht ata janë të shpëtuarit.

(2:21-22)

O njerëz! Shërbeni dhe Adhuroni Zotin tuaj, i Cili krijoj juve dhe ata para jush, që mund të kijdesëni (ruheni nga të këqijat); i Cili bëri për ju tokën shtresë dhe qiellin ndërtesë; i Cili prej së larti zbret ujë dhe që të rriten fruta si ushqim për ju. Prandaj mos sajoni me vetëdije hyjni pran Allahun.

BEKARE, Krijimi i Njeriut, Iblisi (2:30-39)

Me emrin e Allahut, Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj zëvendës në tokë”,

ata thanë: “A do të vësh atje dikë që do të bëjë çrregullime, e do të derdhë gjak, ndërkohë që Ne të madhërojmë, të lavdërojmë dhe të lartësojmë ashtu si të takon Ty?!”

Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini”.

 Allahu ia mësoi Ademit emrat e çdo gjëje, pastaj ua paraqiti engjëjve dhe u tha: “Më tregoni emrat e tyre, nëse ajo që thoni është e vërtetë!”

“Qofsh i lavdëruar! – thanë ata – Ne dimë vetëm atë që na ke mësuar Ti. Në të vërtetë, Ti je i Gjithëdituri, i Urti.”

“O Adem, – tha Ai – ua trego atyre emrat e gjërave!”
Kur ai ua tregoi emrat,
Allahu tha: “A nuk ju kam thënë se vetëm Unë i di fshehtësitë e qiellit e të Tokës dhe vetëm Unë di çfarë tregoni haptazi ose çfarë fshihni?!”

Pastaj u thamë engjëjve:
“Përuluni në sexhde para Ademit”, ata u përulën, përveç Iblisit, i cili nuk deshi, dhe me këto u tregua mendjemadh (me qibër) dhe mohues.

Ne thamë: “O Adem, jeto ti dhe gruaja jote në Xhenet dhe aty hani sa të doni e kur të doni, por mos iu afroni kësaj peme, se ndryshe do të bëheni të padrejtë (zullumqar)”.

Shejtani i shtyu të gabojnë dhe i nxori nga lumturia ku ishin.

“Zbritni – u thamë Ne – do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Në Tokë do të qëndroni, aty do të keni furnizim e do të jetoni deri në një kohë të caktuar”.

Ademi i mësoi disa fjalë (se si të kërkonte falje) nga Zoti i tij, kështu që Ai ia pranoi pendimin. Sigurisht, Ai i pranon shumë pendimet, Ai është Mëshirëploti.

Ne u thamë: “Zbritni të gjithë prej Xhenetit! E kur t’ju vijë udhërrëfimi Ynë, ata që do t’i përmbahen, nuk do të kenë frikë dhe nuk do të dëshpërohen,
kurse ata që i mohojnë dhe i përgënjeshtrojnë shpalljet Tona, do të jenë banorë të Zjarrit, ku do të mbesin gjithmonë.”

BEKARE, Mos e ngatërroni të vërtetën me të pavërtetën (2:42-46)

Mos e ngatërroni të vërtetën me të pavërtetën dhe mos e fshehni realitetin me vetëdije.
Ngrituni në ndërgjegje (ngrituni në falje), jepni zeqatin, dhe përkuluni (ruku) me ata që përkulen.
Kur i thirrni njerëzit për punë të mira, mos vallë veten tuaj po e harroni?  E ndërkohë librin e lexoni. A nuk po mendoni?
Kërkoni ndihmë me qendresë (sabr) dhe ndërgjegje (salat), vërtet, kjo është vështirë, por jo edhe për ata që janë përulur (para Zotit). Të cilët janë të bindur se do ta takojnë Zotin e vet dhe se do t’i kthehen Atij.

BEKARE, Të All-llahut janë edhe lindja edhe perëndimi (2:115)

Të All-llahut janë edhe lindja edhe perëndimi, pra ngado që të ktheheni, aty është Fytyra e Allahut. Vërtetë, Allahu është i Gjithëpërfshirës (Vasi) dhe  i Gjithëdijshëm (Alim).

BEKARE, Ndëtimi i Qabes (2:124-130)

Pasi Allahu e provoi Ibrahimin me disa urdhërime, të cilat ai i plotësoi,

Allahu i tha: “Unë do të bëj imam (prijës) të njerëzimit!” – “Po pasardhësit e mi?” – pyeti ai. Allahu tha: “Premtimi Im nuk i përfshin keqbërsit.”

Kujtoni kur Ne e bëmë Qabenë vendkëthimi dhe sigurie për njerëzit, duke thënë “Bëjeni vendin e Ibrahimit si vend falje!” Ne i urdhëruam Ibrahimin dhe Ismailin: “Pastrojeni Shtëpinë Time për ata që shkojnë përeth, që meditojnë aty, përkulen dhe bëjnë sexhde”.

Kur Ibrahimi u lut: “Zoti Im, bëje këtë vend qytet të sigurt dhe furnizoji me prodhime banorët e tij, ata që besojnë në Allahun dhe në jetën tjetër!” – Allahu tha: “Atë që nuk beson, për pak kohë do ta bëj që të kënaqet e pastaj do ta hedh në dënimin e zjarrit.” Eh, sa vendbanim i keq që është ai!

Kur Ibrahimi dhe Ismaili ngritën themelet e Qabes, u lutën: “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!

O Zoti ynë! Na bëj të përulur (musliman) ndaj Teje! Bëj që edhe pasardhësit tanë të jenë të përulur ndaj Teje! Tregona ritet e Haxhit dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!

O Zoti ynë! Dërgo tek ata një të dërguar nga gjiri i tyre, që t’u lexojë shpalljet e Tua, t’ua mësojë Librin dhe Urtësinë e t’i pastrojë! Vërtet, Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti!”

Fesë së Ibrahimit i shmanget vetëm ai që e nënçmon vetveten. Ne e zgjodhëm atë në këtë botë, kurse në botën tjetër ai do të jetë ndër të mirët.

BEKARE, i Dërguari ....(2:151)

Po kështu, (për të plotësuar mirësinë Time ndaj jush) Ne ju sjellëm një të dërguar (me sistem të vlerave të lavdruara), nga mesi juaj, i cili ju lexon shpalljet Tona, ju pastron, ju mëson Librin e Urtësinë dhe të ju mëson ato gjëra që nuk i keni ditur.

BEKARE, Më kujtoni Mua... (2:152)

Më kujtoni Mua (me zikr dhe falje); Unë do t’ju kujtoj, Më falënderoni e mos i Më mohoni!

BEKARE, Sabri, Falja, Martir (2:153-157)

O besimtarë! Kërkoni ndihmë për veten nëpërmjet qëndresës dhe faljes (sabrit dhe salatit)! Në të vërtetë, Allahu është me ata që bëjnë qendresë.

Dhe mos thoni për ata që vriten në rrugën e Allahut se janë të vdekur! Jo! Ata janë të gjallë, ndonëse ju nuk e ndjeni!

Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji ata me qendresë, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!”

Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë!

BEKARE, Natyra, Mrekullia (2:164)

Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës, në këmbimin e natës me ditën, në anijet që lundrojnë nëpër det për t’u sjellë dobi njerëzve, në ujin që Allahu zbret prej qiellit, duke ngjallur përmes tij tokën e vdekur dhe duke shpërndarë gjithfarë gjallesash, në lëvizjen e erërave dhe në retë që qëndrojnë midis qiellit e Tokës, pra, në të gjitha këto, sigurisht që ka shenja për njerëzit me intelekt (Elbabi).

BEKARE, Ushqimet (2:168, 172-173)

O njerëz! Ushqehuni me të gjitha gjëra të lejuara e të mira që gjenden në Tokë dhe mos ndiqni gjurmët e djallit, sepse ai është njëmend armiku juaj i hapur.

O besimtarë! Hani nga ushqimet e lejuara që ju kemi dhënë dhe, nëse jeni adhurues të Allahut, falënderojeni Atë!

Me të vërtetë, Allahu ju ka ndaluar të hani kafshën e ngordhur, gjakun e derdhur, mishin e derrit dhe mishin që nuk është therur në emër të Allahut. Por kushdo që detyrohet nga nevoja të hajë ndonjë gjë prej këtyre, pa dashur të bëjë gjynah dhe pa e kaluar kufirin, nuk do të fajësohet. Vërtet, Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.

BEKARE, Falsifikatorët e Vërteta (2:174-176)

Pa dyshim, ata që fshehin çfarë ka shpallur Allahu në Libër dhe e këmbejnë atë me diçka tjetër të pavlerë, do të gëlltisin në barkun e tyre vetëm zjarr. Në ditën e Kiametit, Allahu nuk do t’u flasë atyre, nuk do t’i pastrojë (nga gjynahet) dhe do t’u japë dënim të dhembshëm.

Ata e kanë këmbyer udhëzimin me humbjen dhe faljen e Zotit me dënimin e Tij. Po sa të durueshëm do të jenë në zjarr?!

Kjo është kështu, sepse Allahu e ka zbritur Librin me të vërtetën. Sigurisht, ata që nuk pajtohen rreth tij (librit), janë të përçarë dhe larg së vërtetës.

BEKARE, Virtytet (2:177)

Virtyti nuk është të kthyerit e fytyrës suaj nga lindja e perëndimi, por virtyti është i atij që beson Allahun, Ditën e Fundit, engjëjt, Librin dhe profetët; i atij që me vullnet jep nga pasuria e vet për të afërmit, jetimët, të varfrit, udhëtarët e mbetur rrugës, lypësit dhe për lirimin e të robëruarve; i atij që falet dhe pastrohet me zeqat; dhe i atyre që kur marrin përsipër diçka i plotësojnë premtimet, ; i atyre që kanë qendresë në kohë skamjeje, sëmundjeje dhe lufte. Këta janë besimtarët e vërtetë dhe këta janë ata që e janë kujdesëshëm ndaj Allahut.

BEKARE, Agjërimi i Ramazanit (2:183-187)

O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.

Agjërimi zgjat disa ditë, por, nëse ndonjëri prej jush është i sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas. Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi. E, nëse ndonjëri jep më shumë se kaq, kjo është edhe më mirë për të. Por, agjërimi juaj është më i dobishëm, në qoftë se e dini.

Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë! Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar. Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë. Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.

Kur robërit e Mi të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë.

Tani është e lejuar për ju që, gjatë netëve të agjërimit, të shkoni me bashkëshortet tuaja. Ato janë petk për ju e ju jeni petk për ato. Allahu e di mirë se ju e keni mashtruar veten (duke shkuar me gratë para se të zbriste lejimi), por Allahu e ka pranuar pendimin tuaj dhe jua ka falur gabimin. Prandaj, ju lejohet bashkimi me bashkëshortet tuaja dhe tani kërkoni atë që ka caktuar Allahu për ju. Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë e agimit nga fija e zezë, pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë mbrëmja. Mos iu afroni atyre (bashkëshorteve) gjatë kohës kur mbylleni për adhurim në mesxhid! Këta janë kufijtë e Allahut, prandaj mos iu afroni atyre! Kështu, pra, Allahu ua shpjegon njerëzve urdhëresat e veta, që ata të janë kujdesëshëm (ndaj Allahut).

BEKARE, Alkooli, Sadakaja (2:219)

Të pyesin ty për verën dhe kumarin. Thuaju: “Ato sjellin dëme të mëdha (gjynahe), por edhe dobi për njerëzit. Megjithatë, dëmi i tyre është më i madh se dobia”. Të pyesin se çfarë duhet të japin (nga vetja). Thuaju: “Tepricën!” Ja, kështu jua shpjegon Allahu shpalljet e Tij, që të mund të mendoni (fiqroni).

BEKARE, Falja (2:238-239)

Bëhu gardian i faljeve tuaja, dhe faljes qëndrore, dhe ngritu te Allahu me devocion.

Nëse keni frikë, faluni duke qenë në këmbë ose hipur (mbi kalë)! Kur të jeni të sigurtë, atëherë faluni Allahut, ashtu si ju ka mësuar Ai, atë që nuk e keni ditur!

BEKARE, Hua Allahut (2:245, 254)

Kush do t’i japë Allahut një hua të bukur, që Ai t’ia kthejë huanë shumëfish? Allahu e shtrëngon dhe e liron (riskun); tek Ai do të ktheheni.

O besimtarë! Jepni pa u kursyer nga të mirat që ju kemi dhënë Ne, para se të vijë Dita (e Gjykimit) në të cilën nuk ka shit-blerje, as miqësi, as ndërmjetësi! Jobesimtarët janë keqbërësit e vërtetë.

BEKARE, Ajetul Kursija (2:255)

Allahu! Nuk ka zot tjetër përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje! Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi! Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë. Kush mund të ndërhyjë tek Ai për ndokënd pa lejen e Tij? Ai di çdo gjë që ka ndodhur përpara dhe çdo gjë që do të ndodhë pas njerëzve, kurse ata nuk mund të përvetësojnë asgjë nga Dituria e Tij, përveçse aq sa Ai dëshiron. Kursi-u i Tij shtrihet mbi qiejt dhe Tokën dhe Ai nuk e ka të rëndë t’i ruajë ato. Ai është i Larti, Madhështori!

BEKARE, S'ka detyrim në fe (2:256)

S’ka detyrim në fe, sepse tashmë është dalluar e drejta nga e shtrembra! Ai që mohon idhujt (dhe gjithçka që adhurohet në vend të Allahut) dhe beson në Allahun, ka siguruar lidhjen më të fortë, e cila nuk këputet kurrë. Allahu dëgjon dhe di gjithçka.

BEKARE, Nga errësira në dritë (2:257)

Allahu është Mbrojtësi i atyre që besojnë. Ai i nxjerr ata nga errësira në dritë. Sa për ata që nuk besojnë, mbrojtësi i tyre është djalli, i cili i nxjerr ata nga drita dhe i shpie në errësirë. Këta janë banorët e Zjarrit (të Xhehenemit), ku do të qëndrojnë përgjithmonë.

BEKARE, Urtësia, mirësia (2:269)

Ai ia jep urtësinë kujt të dojë. Cilitdo që i është dhënë urtësia, vërtet që i është dhënë një mirësi e madhe. Por këtë nuk e kupton tjetërkush, përveç njerëzve të mençur (elbabi).

BEKARE, Allahu i di të gjitha (2:284)

(2:244)

Luftoni në rrugën e Allahut dhe ta dini se Allahu i dëgjon të gjitha dhe di çdo gjë.

Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë. Edhe nëse e tregoni apo e fshihni çfarë keni në shpirtin tuaj, Allahu do t’ju kërkojë llogari për të. Kështu, Ai do të falë kë të dojë dhe do të dënojë kë të dojë. Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.

BEKARE, Te Ti është ardhmëria (2:285)

I dërguari i besoi asaj që iu shpall prej Zotit të tij, e ashtu edhe besimtarët. Secili i besoi Allahut, engjëjve të Tij, shpalljeve të Tij, të dërguarve të Tij. Ne nuk bëjmë dallim në asnjërin nga të dërguarit e Tij, dhe thanë: “Iu përgjigjëm thirrjes dhe e respektuam. Kërkojmë faljen tënde o Zoti ynë! dhe te Ti është ardhmëria”.

BEKARE, Allahu nuk ngarkon (2:286)

(2:286)

Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka: në dobi të tij është e mira që bën, kurse në dëm të tij është e keqja që punon. Zoti ynë, mos na ndëshko për atë që harrojmë ose veprojmë pa qëllim! Zoti ynë, mos na ngarko barrë të rëndë, ashtu si i ngarkove ata para nesh! Zoti ynë, mos na ngarko me diçka që nuk mund ta bartim! Na i shlyej gjynahet tona, na i fal ato dhe na mëshiro! Ti je Zoti Ynë! Prandaj na jep fitore kundër atyre që nuk besojnë!”

IMRAN, Shpalljet (3:1-6)

Elif Lâm Mîm.

Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje.

Ai të ka shpallur ty Librin, me të vërtetën e saktë, duke vërtetuar shpalljet e mëparshme. Ai i ka zbritur Teuratin dhe Ungjillin më parë si udhërrëfyes për njerëzit dhe ka zbritur edhe Dalluesin (e së vërtetës nga e pavërteta, Kuranin). Ata që nuk besojnë shpalljet e Allahut, i pret dënim i ashpër; Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Zoti për shpagim.

Pa dyshim, Allahut nuk i fshihet asgjë në Tokë dhe as në qiell!

Ai ju formon në mitër, ashtu siç dëshiron Vetë; s’ka zot tjetër që meriton të adhurohet, përveç Tij, të Plotfuqishmit, të Urtit!

IMRAN, Ajete të qarta dhe alegorike (3:7)

Ai Është që të ka shpallur ty (Muhamed) Librin, disa vargje të të cilit janë të qarta e me kuptim të drejtpërdrejtë. Ato janë themelet e Librit. Kurse disa (ajete) të tjera janë jo krejtësisht të qarta (me kuptime alegorike). Ata, zemrat e të cilëve priren nga e pavërteta, ndjekin vargjet më pak të qarta, duke kërkuar të krijojnë pështjellim dhe duke kërkuar t’i komentojnë sipas dëshirës së vet. Por, kuptimin e tyre të vërtetë e di vetëm Allahu. Ndërsa ata që janë thelluar në dijeni, thonë: “Ne i besojmë (Kuranit). Të gjitha këto (vargje të qarta e alegorike) janë nga Zoti ynë!” Këtë e kuptojnë vetëm mendarët.

IMRAN, Allahu di çka kini në zemra të juaja (3:29)

Thuaju: “Edhe nëse e fshihni atë që keni në zemrat tuaja apo e shpallni haptazi, Allahu e di atë. Ai di çfarë gjendet në qiej dhe çfarë gjendet në Tokë. Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.”

IMRAN, Mejremja (3:42-43)

(Kujto) kur engjëjt thanë: “O Merjeme! Allahu të ka zgjedhur, të ka pastruar dhe të ka parapëlqyer ty mbi të gjitha gratë e botës.
O Merjeme! Bindju Zotit tënd! Bëj sexhde dhe përkulu në ruku bashkë me ata që përkulen (duke adhuruar Allahun)!”

IMRAN, Mejremja dhe Hz.Isa (3:45-53)

(Kujto) kur engjëjt thanë: “O Merjeme! Allahu të jep lajmin e mirë për Fjalë prej Tij: emrin do ta ketë Mesih – Isa i biri i Merjemes, i nderuar në këtë botë dhe në boten tjetër dhe do të jetë nga të afërmit e Allahut.
Ai do t’u flasë njerëzve qysh i vogël në djep edhe si njeri i rritur dhe do të jetë nga më të mirët”.
Ajo tha: “Zoti im! Qysh do të kem unë fëmijë, kur nuk më ka prekur askush?!” – “Kështu – tha (engjëlli) – Allahu krijon ç’të dojë Vetë. Kur vendos diçka, Ai vetëm thotë për të: “Bëhu!” dhe ajo bëhet.”
(Allahu) do t’ia mësojë atij Librin, Urtësinë, Teuratin dhe Ungjillin
dhe do ta caktojë atë të Dërguar te bijtë e Izraelit (të cilëve do t’u thotë): “Ju kam sjellë shenjë nga Zoti juaj (që vërtetojnë Profecinë time): do e bëj nga balta diçka formë shpendi, do fryj në të, e me urdhrin e Allahut ajo do bëhet shpend i gjallë; do shëroj të verbrit e lindur dhe të lebrosurit, dhe do i ngjall të vdekurit me lejen e Allahut; dhe do ju tregoj çfarë hani dhe çfarë ruani në shtëpitë tuaja. Sigurisht që në të gjitha këto ka prova për ju, nëse jeni besimtarë të vërtetë.
Dhe (kam ardhur te ju) për t’ju vërtetuar Teuratin, që është para meje dhe që t’ju lejoj disa gjëra që i keni pasur të ndaluara. Edha te ju me shenj nga Zoti juaj, prandaj kujdesuni ndaj Allahut dhe bindmuni!
Me të vërtetë, Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj, andaj faluni Atij. Kjo është rruga e drejtë!”

Kur Isai vuri re mosbesimin te ata, tha: “Kush janë ndihmuesit (ensar) e mi në rrugën e Allahut?” nxënësit (e tij) u përgjigjën: “Ne jemi ndihmuesit e Allahut. Ne e besojmë Allahun e ti (Isa) dëshmo se ne jemi nënshtruar (Atij).

Zoti ynë! Ne besojmë atë që na ke shpallur dhe pasojmë të Dërguarin (Isain). Na shkruaj pra, bashkë me dëshmitarët (e vërtetës)!”

IMRAN, Premtime dhe betime (3:76-77)

Jo! Por kushdo që plotëson premtimin e tij dhe ruhet nga të këqijat, (ta dijë se) Allahu, me të vërtetë, i do ata që janë të kujdesshëm.

Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin dhe betimin e tyre ndaj Allahut me një vlerë të vogël, nuk do të kenë asnjë të mirë në jetën e ardhshme. Allahu nuk do t’u flasë atyre, as nuk do t’i shikojë në Ditën e Kiametit dhe as nuk do t’i pastrojë prej gjynaheve, e për ta do të ketë dënim të dhembshëm.

IMRAN, Litari i Allahut, Vdis si Musliman (3:102-104)

O besimtarë! Përkujdesuni ndaj obligimeve ndaj Allahun ashtu si i takon Atij, dhe vdisni vetëm duke qenë me gjithë zemrën të vetëdorëzuar (musliman)!

Të gjithë mbahuni fort për litarin (habli) e Allahut dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja, e në saje të dhuntisë së Tij, u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit, ndërsa Ai ju shpëtoi prej saj. Kështu, Allahu jua shpjegon shpalljet e Veta, që të jeni të udhëzuar.

Le të dalë prej jush një grup që të thërrasë në mirësi, të urdhërojë për vepra të mira e të ndalojë vepra të shëmtuara! Këta njerëz janë të shpëtuarit

IMRAN, Allahu nuk do padrejtësi (3:108-110)

Këto janë vargjet e Allahut, që t’i lexojmë ty me të vërtetën, Allahu nuk i dëshiron askujt padrejtësi.

Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë dhe tek Allahu do të kthehen të gjitha çështjet.

Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) ju urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun. Sikur ithtarët e Librit të besonin, do të ishte më mirë për ata; ka prej tyre besimtarë të vërtetë, por shumica e tyre janë larg udhës së drejtë.

IMRAN, Falja e gjynaheve (3:133-136)

Nxitoni, në kërkim faljes së gjynaheve nga Zoti juaj, dhe (nxitoni në drejtim të) Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka, që është i përgatitur për të kujdesshmit, të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në begati, edhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit (muhsin).

Për ata që, kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun, i kërkojnë falje për gjynahet e tyre, e kush i fal gjynahet përveç Allahut?, dhe nuk ngulmojnë me vetëdije në gabimet që kanë bërë, pra, për këta do të ketë si shpërblim falje madhështore (të gjynaheve) nga ana e Zotit të tyre dhe kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe ku do të qëndrojnë përherë. Sa shpërblim i bukur është ky për ata që punojnë (vepra të bukura)!

IMRAN, Dergjatë e ndryshme (3:162-163)

Vallë, a mund të krahasohet ai që kërkon kënaqësinë e Allahut, me atë që ka merituar zemërimin e Allahut dhe strehimi i tij është Xhehenemi?! Eh, sa strehim i keq është ai!

Tek Allahu ata kanë shkallë (dergjatë) të ndryshme; Allahu i sheh të gjitha veprat që ata bëjnë.

IMRAN, Shejtani frikson (3:175)

Vetëm djalli i frikëson ithtarët e vet. Ju mos iu frikësoni atij (djallit), por frikësohuni prej Meje, nëse jeni besimtarë!

IMRAN, Shpirta do shijojnë vdekjen (3:185-186)

Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen. Shpërblimet do t’u plotësohen vetëm në Ditën e Kiametit; kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet). Ndërsa jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese.

Ju, me siguri, do të sprovoheni në pasurinë e në jetën tuaj dhe do të dëgjoni shumë fyerje nga popujt që iu është dhënë Libri para jush, si edhe nga paganët. Por, nëse do kini qendresë (sabr) dhe ruheni (nga të këqijat), atëherë kjo është vërtet përcaktuese e çështjeve.

IMRAN, Zikr duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë (3:189-195)

Allahut i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës dhe (vetëm) Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.

Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët (elbabi), për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë dhe që meditojnë (fiqr) për krijimin e qiejve dhe të Tokës (duke thënë:) “O Zoti Ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto, i lartësuar qofsh! Prandaj na ruaj nga ndëshkimi i zjarrit.

O Zoti Ynë, cilindo që Ti e fut në zjarr, Ti e ke poshtëruar atë. Dhe për mohuesit nuk do të ketë kurrfarë ndihmuesi.

O Zoti Ynë! Ne dëgjuam një thirrës që na ftonte në besim: “Besoni Zotin tuaj!” Dhe kështu besuam. O Zoti Ynë! Na i fal gjynahet tona, na i shlyej gabimet dhe bëna që të vdesim me të mirët!

O Zoti Ynë! Na e jep shpërblimin që na ke premtuar nëpërmjet të dërguarve të Tu, dhe mos na poshtëro në Ditën e Kiametit! Se Ti, me të vërtetë, nuk e shkel premtimin e dhënë!”

Dhe Zoti iu përgjigj lutjes së tyre: “Unë nuk do t’ia humb mundin askujt nga ju që ka bërë vepra (të mira), qoftë mashkull apo femër. Ju jeni njëlloj (në shpërblim). Atyre që u shpërngulën, u dëbuan nga vatrat e tyre, u lënduan (munduan) për shkak Meje, luftuan dhe u vranë, Unë do t’ua mbuloj veprat e këqija dhe do t’i shpie në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj; shpërblim nga Allahu. Shpërblimi më i mirë është tek Allahu.”

IMRAN, Ndësrgjegjsimi, sabri, vigjilenca (3:198-200)

Por, ata që i ndërgjegjsohen ndaj Zotit të tyre, do të kenë kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të banojnë përjetësisht, si dhuratë prej Allahut. Dhe ajo që është tek Allahu, është dhurata më e mirë për besimtarët e vërtetë.

Midis ithtarëve të Librit, me siguri ka të atillë që e besojnë Allahun dhe atë që ju është shpallur juve, si dhe atë që u është shpallur atyre, duke qenë të përulur para Allahut dhe pa i këmbyer shpalljet e Tij me ndonjë vlerë të paktë. Ata do të kenë shpërblimin e tyre te Zoti i tyre. Vërtet, Allahu është i shpejtë në llogari!

O besimtarë! Bëhuni të durueshëm dhe nxiteni njëri-tjetrin të jeni të tillë; bëhuni të vendosur dhe vigjilentë (në vepra të mira dhe në ruajtjen e kufijve) dhe kujdesëshëm ndaj Allahut, që të shpëtoni!

NISA, Krijimi nga një njeriu (4:1)

O njerëz! Kujdesuni ndaj Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe kujdesuni ndaj Allahut me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat nga njeri tjetri (e ndërsjella) dhe ruani lidhjet farefisnore (të barkut). Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.

NISA, Pendimi (4:17-18)

Allahu është pranues i pendimit vetëm për ata që bëjnë ndonjë të keqe nga padituria dhe pendohen shpejt. Pra, këtyre Allahu ua pranon pendimin. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.

Nuk pranohet pendimi i atyre që vazhdimisht bëjnë të këqija e, kur u afrohet vdekja, atëherë thonë: “Unë tani me të vërtetë po pendohem”. As për ata që vdesin duke qenë mohues (të vërtetës). Për këta, Ne kemi përgatitur dënim të dhembshëm.

NISA, Sillu mirë (4:36-40)

Shëbeni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); silluni mirë me prindërit, të afërmit, jetimët, të varfërit, fqinjët e afërt dhe të largët, me atë që keni pranë, me udhëtarin (që është larg shtëpisë ose ka mbetur ngushtë) dhe me ata që janë nën pushtetin tuaj (robër).

Në të vërtetë, Allahu nuk i do njerëzit arrogantë e mburravecë; (e as) ata që janë koprracë, të cilët kërkojnë që edhe të tjerët të bëhen koprracë dhe fshehin atë që ua ka dhuruar Allahu nga mirësitë e Tij. Ne kemi përgatitur për mohuesit ndëshkim poshtërues.

(Ai nuk i do) as ata që ndajnë nga pasuria e tyre sa për sy e faqe të botës dhe që nuk e besojnë Allahun e as Ditën e Kiametit. Ai që ka për shok djallin, e dihet sa shok i keq është ai (djalli)!

E ç’dëm do të kishin ata sikur të besonin Allahun dhe Ditën e Kiametit dhe të ndanin nga pasuria që u ka dhënë Allahu?! Allahu di çdo gjë për ta.

Vërtet, Allahu nuk dëmton askënd asnjë grimë, por, nëse (dikush) bën mirësi, Allahu ia shumëfishon atë dhe i jep shpërblim të madh.

NISA, Përshëndetuni me respekt (4:86-87)

Kur ju përshëndet dikush me respekt, kthejani me një përshëndetje më të mirë ose në të njëjtën mënyrë! Pa dyshim, Allahu llogarit çdo gjë.

Allahu! Nuk ka zot tjetër të vërtetë përveç Atij. Ai do t’ju mbledhë në Ditën e Kiametit, për të cilën nuk ka dyshim aspak! E kush është në fjalë më i vërtetë se Allahu?

MAIDE, Pastërtia e dynjallukut (5:3-7)

Është e ndaluar për ju ngrënia e coftinës, gjakut, mishit të derrit, mishit të kafshës që është therur jo në emër të Allahut, mishit të kafshës së mbytur lidhur në fyt, mishit të kafshës që është rrahur dhe ka ngordhur, mishit të kafshës që është vrarë nga rrëzimi apo nga brirët e kafshëve të tjera, mishit të asaj që është kafshuar nga egërsirat – përveç atyre që i therni ju para se të ngordhin. Gjithashtu, është e ndaluar për ju edhe ngrënia e mishit të kafshëve që janë therur për nder të idhujve apo për të kërkuar fatin në fall. Të gjitha këto që u përmendën, janë gjynah. Sot, dëshpërohen ata që nuk besojnë dhe kanë humbur çdo shpresë, që t’ju largojnë prej fesë suaj. Mos u frikësoni prej tyre, por kini frikë prej Meje! Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.  Por kushdo që është i shtrënguar nga uria (dhe ha çfarë është e ndaluar), pa pasur qëllim të bëjë gjynah, do ta shohë se Allahu është Falës e Mëshirëplotë.

Të pyesin ty ç’është e lejueshme që të hanë. Thuaju (o Muhamed): “Ju lejohet juve çdo gjë që është e dëlirë dhe atë që jua gjuajnë shtazët që i keni stërvitur e i përdorni në gjueti, ashtu siç ju ka mësuar Allahu. Pra, hani atë që jua sjellin, e përmendni emrin e Allahut! Kujdesuni (ndërgjegjsohuni) ndaj Allahut! Allahu është i shpejtë në llogari.

Sot ju janë lejuar gjërat e mira e të pastra. Ju janë lejuar edhe ushqimet e ithtarëve të Librit; po ashtu, edhe ushqimet tuaja janë të lejuara për ata. Të lejuara për ju janë femrat e ndershme besimtare dhe femrat e ndershme të atyre që u është dhënë Libri para jush, nëse ju u jepni pajën e kurorëzimit, duke u martuar me ato, e jo duke bërë kurvëri, as duke i marrë për dashnore. Kushdo që mohon besimin, veprat e tij do të zhvlerësohen dhe në jetën tjetër ai do të jetë i dështuar.

O besimtarë! Kur doni të falni namaz, lani fytyrën dhe duart deri në bërryla, kurse kokën fshijeni me dorë të lagët; lani edhe këmbët deri në nyje. Nëse jeni të papastër (si pasojë e marrëdhënieve bashkëshortore apo e derdhjes së farës), pastrohuni (duke u larë krejtësisht)! Por, në qoftë se jeni të sëmurë (që mund t’ju dëmtojë uji) ose gjendeni në udhëtim, ose ndonjëri nga ju vjen pas kryerjes së nevojës natyrore, ose nëse keni pasur marrëdhënie me bashkëshortet e nuk gjeni ujë, atëherë gjeni dhé të pastër dhe fshini fytyrat e duart me të. Allahu nuk dëshiron t’ju krijojë ndonjë vështirësi, por dëshiron t’ju pastrojë dhe t’i plotësojë dhuntitë e Tij ndaj jush, që të jeni falënderues.

Kujtoni dhuntinë e Allahut dhe besëlidhjen me të cilën ju ka vënë detyrimet, kur thatë: “Dëgjuam dhe u bindëm!” Kujdesuni (ndërgjegjsohuni) ndaj Allahut! Vërtet, Allahu di ç’keni në zemrat tuaja.

MAIDE, Dretësia, urrejtja, shpërblimi (5:8-10)

O besimtarë! Bëhuni të qëndrueshëm në urdhrat e Allahut dhe dëshmoni drejtë! Le të mos ju nxisë urrejtja ndaj njerëzve për të bërë padrejtësi. Bëhuni të drejtë, se kjo është më afër kujdesit ndaj Allahut!

Pa dyshim, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë që punoni ju.

Allahu u ka premtuar falje (të gjynaheve) dhe shpërblim të madh atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira.

Sa për ata që nuk besojnë dhe mohojnë shpalljet Tona – ata do të jenë banorë të zjarrit.

MAIDE, Ngarë për të mirë (5:48)

Ne të kemi zbritur ty (o Muhamed) Librin me të vërtetën, si përmbushës të shkrimeve të mëparshme dhe mbrojtës të tyre. Prandaj gjykoji ata sipas asaj që të ka zbritur Allahu dhe mos ndiq dëshirat e tyre, duke u shmangur kështu nga e Vërteta që të është shpallur. Ne për secilin nga ju kemi sjellë një ligj dhe një rrugë të qartë. Sikur të donte Allahu, do t’ju kishte bërë një popull (komunitet, umet) të vetëm, por Ai kërkon që t’ju provojë në atë që ju ka dhënë, andaj bëni gara për punë të mira! Të gjithë do të ktheheni te Allahu e Ai do t’ju lajmërojë për çështjet, rreth të cilave kishit kundërshti.

MAIDE, Beso, bën mirë, mos u frikëso as mos u dëshpro (5:69)

Ata që besojnë, hebrenjtë, të krishterët dhe sabinët – kushdo prej tyre që beson Allahun dhe Ditën e Fundit dhe bën vepra të mira, mos të frikësohet dhe as mos të dëshpërohet.

MAIDE, Bollëku i së keqes (5:98-100)

Ta dini se Allahu është i Ashpër në ndëshkim, por njëkohësisht është edhe Falës e Mëshirëplotë.

I Dërguari ka për detyrë vetëm t’ju kumtojë Shpalljen. Por Allahu e di çfarë ju bëni haptazi e çfarë fshehurazi.

Thuaju: “Nuk barazohet e keqja me të mirën, edhe sikur të të habisë bollëku i së keqes. Prandaj kijeni frikë Allahun, o njerëz me intelekt (elbabi), me qëllim që të shpëtoni”.

MAIDE, Hz. Isa në Kuan (5:109-120)

Një ditë Allahu do t’i tubojë të dërguarit e do t’u thotë: “Si ju janë përgjigjur?” Ata do të thonë: “Ne s’kemi dijeni; vetëm Ti i di të gjitha fshehtësitë”.

Allahu do të thotë: “O Isa, i biri Merjemes, kujtoje mirësinë Time ndaj teje dhe nënës sate: se si të forcova ty me Shpirtin e Shenjtë, kështu që ti u predikoje njerëzve, kur ishe foshnjë në djep dhe i rritur; se si të mësova Librin dhe Urtësinë, Teuratin dhe Ungjillin; se si me vullnetin Tim krijoje një figurë shpendi prej balte, pastaj fryje në të dhe ajo bëhej zog me vullnetin Tim; se si me vullnetin Tim i shëroje të lindurit të verbër e të lebrosurit; se si me vullnetin Tim i ngjallje të vdekurit; se si i pengova sulmet e izraelitëve kundër teje, atëherë kur iu solle atyre prova të qarta e mohuesit në radhët e tyre thanë: “Kjo është vetëm magji e kulluar!”; dhe se si kur i urdhërova dishepujt: “Besomëni Mua dhe të Dërguarit Tim!” – ata u përgjigjën: “Ne besojmë, prandaj dëshmo se Ty të jemi dorëzuar!”

Kujto kur dishepujt thanë: “O Isa, i biri i Merjemes, a mundet Zoti yt të na zbresë një sofër prej qielli?” Ai tha: “Kini frikë Allahun, nëse jeni besimtarë të vërtetë!”

“Ne dëshirojmë të hamë nga ajo – thanë ata –, me qëllim që të na qetësohen zemrat dhe ta dimë se na ke thënë të vërtetën dhe për atë të jemi dëshmitarë”.

“O Allah, o Zoti ynë! – tha Isai, i biri i Merjemes – Zbritna një sofër nga qielli, që të jetë festë për ne, për të parin dhe të fundmin tonë dhe të jetë mrekulli prej Teje dhe na jep mirësi, se Ti je Dhuruesi më i mirë!”

Allahu u përgjigj: “Unë do t’jua zbres sofrën. Por cilindo nga ju që nuk beson pas kësaj, do ta dënoj ashtu siç nuk kam dënuar askënd në botë”.

Pastaj Allahu do të thotë (në Ditën e Gjykimit): “O Isa, i biri i Merjemes! A ishe ti, ai që u the njerëzve: “Adhuromëni mua dhe nënën time si zota krahas Allahut”?! Isai do të thotë: “Qofsh i lartësuar dhe i lavdëruar! Mua nuk më takon të them diçka, për të cilën nuk kam aspak të drejtë! Po ta kisha thënë ndonjëherë, Ti me siguri do ta dije. Ti e di çfarë ka në shpirtin tim, po unë nuk e di çfarë ka në Veten Tënde. Vetëm Ti i di të gjitha të fshehtat.

Unë nuk u kam thënë asgjë tjetër, përveç asaj që më ke urdhëruar Ti: “Shërbeni Allahut, Zotin tim dhe Zotin tuaj!” Kam qenë dëshmitar, për sa kohë që kam jetuar midis tyre dhe, qëkurse më more mua, vetëm Ti ishe mbikëqyrës i tyre. Ti je Dëshmitar për çdo gjë.

Nëse Ti i dënon ata – robërit e Tu janë, e nëse i fal ata, me të vërtetë, vetëm Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti.

Allahu thotë: “Kjo është Dita në të cilën të sinqertëve u sjell dobi sinqeriteti i tyre. Atyre u takojnë kopshtet, nëpër të cilat rrjedhin lumenjtë e ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me ata dhe ata janë të kënaqur me Atë. Kjo është fitorja e madhe!”

Allahut i takon sundimi i qiejve dhe i Tokës dhe gjithçka që ato përmbajnë. Ai është i Fuqishëm për çdo gjë.

ENAM, Allahu i lavdruar (6:1-3)

Qoftë lavdëruar Allahu që krijoi qiejt dhe Tokën dhe bëri errësirën dhe dritën. E megjithatë, ata që nuk besojnë, sajojnë zota të tjerë si të barabartë me Zotin (e tyre të vërtetë).

Është Ai që ju krijoi nga balta dhe pastaj caktoi një afat në këtë botë (vdekjen) dhe një tjetër në botën e përtejme (Ditën e Kiametit). Por përsëri ju dyshoni.

Ai është Allahu (i vetmi Zot i Vërtetë) në qiej dhe në Tokë; Ai di çfarë fshihni dhe çfarë tregoni, si dhe atë që arrini të fitoni.

ENAM, E ndalojnë Kuranin (6:26.-29)

Ata i ndalojnë të tjerët të besojnë në Kuran, edhe vetë largohen nga ai. Por vetëm veten e dëmtojnë, ndonëse nuk e vënë re.

Sikur t’i shohësh ata kur të vihen para zjarrit, duke thënë: “Ah! Sikur të ktheheshim pas, nuk do t’i mohonim shpalljet e Zotit tonë dhe do të bëheshim besimtarë (mumin)!”

Po, atyre iu doli sheshit ajo që më parë e fshihnin, por edhe sikur të ktheheshin, prapë do të bënin ato që u ishin ndaluar. Vërtet, ata janë gënjeshtarë.

Ata thoshin: “S’ka tjetër, përveç jetës në këtë botë dhe ne nuk do të ringjallemi”.

ENAM, Jeta, lojë e agëtrim (6:32)

Jeta e kësaj bote është vetëm lojë e argëtim, kurse bota tjetër, pa dyshim që është më e mirë për ata që kujdesën ndaj Allahut. Pra, a nuk po mendoni?

ENAM, Shurdhë e memec (6:39)

Ata që i mohojnë shenja (ajete) Tona janë shurdhë e memecë, janë në errësirë. Allahu shpie në humbje kë të dojë dhe udhëzon në rrugë të drejtë kë të dojë.

ENAM, I dërguari përgëzues dhe qortues (6:48-49)

Ne i çojmë të dërguarit vetëm si përgëzues dhe si qortues. Pra kushdo që i beson ata dhe bën mirë, nuk do të frikësohet e as nuk do të pikëllohet.
Kurse ata që mohojnë ajete tona, do t’i godasë dënimi për shkak të mohimit.

ENAM, Mos dëbo ata që thrrasin Zotin (6:52-54)

Mos i dëbo ata që e thrrasin Zotin e vet në mëngjes e mbrëmje, duke e dëshiruar Fytyrën e Tij! Ti nuk je aspak përgjegjës për ata e as ata nuk janë përgjegjës për ty. Nëse ti i dëbon ata, atëherë do të jesh keqbërës.
Kështu, Ne i kemi bërë disa si sprovë për të tjerët, që të thonë: “Vallë, këta janë ata prej nesh, që Allahu u ka dhuruar mirësi?!” – A mos vallë, Allahu nuk i njeh më mirë ata që i janë mirënjohës?
Kur të vijnë te ti ata që besojnë në shpalljet Tona, thuaj: “Paqja qoftë mbi ju!”. Zoti juaj ia ka bërë detyrim Vetes mëshirën. Nëse dikush nga ju bën ndonjë vepër të keqe pa e ditur, e pastaj pendohet e përmirësohet, ai do ta gjejë Allahun Falës dhe Mëshirues.

ENAM, Çelsat e padukshmës (6:59-64)

Ai i ka çelësat e së padukshmes dhe vetëm Ai i njeh ato. Ai e di ç’ka në tokë dhe në det; asnjë gjeth nuk bie, pa e ditur Ai dhe nuk ekziston asnjë kokërr në errësirën e tokës, as e njomë, as e thatë, që të mos jetë shënuar në Librin e qartë.
Ai jua merr shpirtrat (vetëdijen) natën, duke e ditur ç’keni bërë ditën, pastaj ju zgjon që të plotësoni kohën tuaj të caktuar për të jetuar. Në fund, tek Ai do të ktheheni dhe Ai do t’ju tregojë gjithçka që keni bërë.
Ai është Sunduesi mbi robërit e Vet. Ai ju dërgon rojtarë (engjëj) të cilët, kur ndonjërit nga ju i vjen vdekja, ia marrin shpirtin, duke mos bërë kurrfarë lëshimi.
Pastaj të gjithë do të kthehen tek Allahu, Zoti tyre i vërtetë. Vetëm Atij i takon të gjykojë dhe Ai është më i shpejtë në llogari.
Thuaju: “Kush ju shpëton nga errësira e tokës dhe e detit, kur i luteni Atij haptazi dhe fshehurazi (duke thënë): “Nëse Ai na shpëton prej këtyre (rreziqeve), vërtet do të bëhemi mirënjohës”.
Thuaj: “Allahu ju shpëton nga ato dhe nga çdo e keqe tjetër, por prapëseprapë ju adhuroni të tjerë veç Tij”.

ENAM, Ai thotë “Bëhu” … (6:73)

Është Ai që i ka krijuar qiejt dhe Tokën për një qëllim. Ditën kur Ai thotë “Bëhu”, ajo bëhet. Fjala e Tij është e Vërteta dhe Atij i përket pushteti Ditën kur fryhet në Sur . Ai e di të padukshmen dhe të dukshmen dhe Ai është i Urti dhe i Gjithëinformuari”.

ENAM, Fiqri i Ibrahimit (6:74-79)

Trego për Ibrahimin, kur ai i tha të atit, Azerit: “A do t’i adhurosh idhujt si zotat e tu?! Unë vërtet po shoh se ti dhe populli yt jeni në humbje të madhe”.
Dhe kështu, Ne ia treguam Ibrahimit mbretërinë e qiejve dhe të Tokës, që ai të bëhej nga ata që besojnë vendosmërisht.
Kur ra nata, ai pa një yll dhe tha: “Ky është Zoti im!” Por, kur perëndoi ylli, ai tha: “Nuk i dua ata që perëndojnë”.
Kur pa Hënën duke lindur, tha: “Ky është Zoti im!” Por, pasi ajo perëndoi, ai tha: “Nëse Zoti im nuk më udhëzon në rrugën e mbarë, me siguri do të bëhem njëri nga të humburit”.
Kur vërejti Diellin duke lindur, ai thërriti: “Ky është Zoti im, ky është më i madhi!” Por, pasi dielli perëndoi, ai tha: “O populli im, unë jam larg nga idhujt që ju ia shoqëroni Allahut në adhurim!
Unë e kthej fytyrën time nga Ai që i ka krijuar qiejt dhe Tokën, duke qenë besimtar i vërtetë, dhe nuk jam nga idhujtarët”!

ENAM, Fara dhe bërthama (6:95-99)

Me të vërtetë, Allahu është Ai që farën dhe bërthamën e bën të mugullojë. Ai e nxjerr të gjallën prej të vdekurës dhe të vdekurën prej të gjallës. Ky është Allahu. Atëherë, përse i largoheni Atij?

Ai bën të feksë drita e agimit. Ai e ka bërë natën për pushim, ndërsa Diellin dhe Hënën për të njehsuar kohën. Kjo është urdhëresa e Allahut, të Plotfuqishmit dhe të Gjithëdijshmit.

Është Ai që i ka krijuar yjet, për t’ju rrëfyer rrugën në errësirat e tokës dhe të detit. Ne ua kemi shpjeguar qartë shpalljet Tona njerëzve që dinë.

Është Ai që ju ka krijuar prej një njeriu të vetëm, që të jetoni dhe të preheni në tokë. Ne ua kemi shpjeguar qartë shpalljet Tona njerëzve që kuptojnë.

Është Ai që lëshon nga qielli ujë, nëpërmjet të cilit Ai nxjerr sythat e çdo bime. Prej kësaj Ne nxjerrim gjelbërim, kokrra gruri në kallinj, palma hurme të ngarkuara me kalaveshë të ulët, kopshte rrushi, ulliri dhe shege, që ngjajnë, por që janë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Vështroni frytet e tyre kur formohen dhe piqen. Sigurisht që në këto ka shenja për njerëzit që besojnë.

ENAM, Falja ime, rituali im, jeta dhe vdekja ime i takojnë Allahut (6:159-164)

Me të vërtetë, ti s’ke të bësh fare me ata që e përçajnë fenë e tyre dhe shndërrohen në sekte. Te Allahu është puna e tyre, e pastaj Ai do t’u tregojë çfarë patën punuar.
Kush bën një vepër të mirë, do të shpërblehet dhjetëfish. Kush bën një vepër të keqe, do të dënohet vetëm sipas gjynahut që ka bërë dhe nuk do t’i bëhet kurrfarë padrejtësie.
Thuaj: “Me të vërtetë, Zoti im më ka udhëzuar në rrugë të drejtë, në fenë e vërtetë, fenë e pastër të Ibrahimit besimplotë, i cili nuk ka qenë adhurues i idhujve”.
Thuaj: “Në të vërtetë, falja ime, rituali im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve.
Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij”.
Thuaj: “A mos vallë do të kërkoj unë tjetër zot, përveç Allahut, kur Ai është Zoti i gjithçkaje? Kushdo që bën diçka, punon për vete dhe askush nuk ngarkohet me barrën e tjetrit. Pastaj të gjithë do të ktheheni te Zoti juaj dhe Ai do t’ju tregojë për kundërshtitë që kishit mes jush.
Ai ju ka bërë pasardhës të njëri-tjetrit në Tokë dhe ka ngritur në shkallë disa nga ju mbi të tjerët, për t’ju provuar në atë që ju ka dhënë. Sigurisht që Zoti yt është i shpejtë në dënim, por, në të vërtetë, Ai është edhe Falës e Mëshirëplotë.

ARAF, Pa shtërngim në gjoks (7:2-3)

Ky Libër të është shpallur ty; le të mos ketë kurrfarë shtrëngimi në gjoks (sadr) tënde për shkak të tij! Ai të është shpallur, që nëpërmjet tij të paralajmërosh jobesimtarët dhe të këshillosh besimtarët.
Ndiqni atë që ju është zbritur nga Zoti juaj e mos merni mbrojtës të tjerë, përveç Tij. Sa pak që i pranoni këshillat!

ARAF, Peshimi i veprave (7:8-10)

Peshimi (i veprave), atë ditë do të jetë i drejtë. Ata që u rëndon peshorja me vepra të mira, do të jenë të shpëtuar;

kurse ata që e kanë të lehtë peshoren me vepra të mira, do të humbin veten e tyre, për shkak se mohuan shpalljet Tona.

Ne ju kemi vendosur në tokë dhe aty ju kemi dhënë çfarë ju nevojitet për jetesë. Eh, sa pak mirënjohës që jeni!

ARAF, Toka e mirë jep fruta (7:54-58)

Në të vërtetë, Zoti juaj është Allahu, që krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë e pastaj u ngrit mbi Fronin hyjnor (që mbisundon gjithësinë). Ai me errësirën e natës e mbulon ditën, e cila e ndjek atë; Dielli, Hëna dhe yjet i përulen urdhrit të Tij. Vetëm Atij i përket Krijimi dhe Urdhërimi. Qoftë bekuar Allahu, Zoti i botëve!
Thirre Zotin tuaj përulshëm dhe në intimitet! Njëmend, Ai nuk i do ata që e kalojnë kufirin.
Dhe mos bëni çrregullime në Tokë, pasi është vënë rregulli, thireni Atë në frikë dhe me shpresë. Vërtet, mëshira e Allahut është afër punëmirëve (muhsin).
Ai i dërgon erërat si lajmëtare të mëshirës së Tij. Kur erërat lëvizin retë e rënda me shi, Ai i çon ato tek ndonjë vend i vdekur, ku lëshon shi dhe me anë të tij nxjerr lloj-lloj frutash; po kështu do t’i ringjallë edhe të vdekurit. Këta janë shembuj që t’ua vini veshin.
Toka e mirë i jep frutat me lejen e Zotit të saj, ndërsa toka e keqe, zor se jep gjë. Kështu, në mënyra të ndryshme, Ne ia shpjegojmë shpalljet Tona njerëzve mirënjohës.

ARAF, Shumë njerëz dhe xhind për Xhehnem (7:179-183)

Ne kemi paracaktuar për Xhehenemin shumë xhinde dhe njerëz, sepse ata kanë zemra, por nuk kuptojnë, kanë sy, por nuk shohin dhe kanë veshë, por nuk dëgjojnë. Ata janë si bagëtitë, madje edhe më zi. Pikërisht këta janë të shkujdesurit.
Allahut i përkasin emrat më të bukur, andaj thirreni Atë me to, dhe largohuni nga ata që i shtrembërojnë emrat e Tij. Ata do të ndëshkohen për çfarë kanë vepruar.
Ndërmjet atyre që kemi krijuar, ka njerëz që i udhëzojnë të tjerët në rrugën e vërtetë dhe gjykojnë drejt.
Ndërsa ata që i mohojnë shpalljet Tona, dalëngadalë Ne do t’i shpiem drejt shkatërrimit, pa e kuptuar, e do t’u japim afat. Me të vërtetë, plani Ynë është i fortë.

ARAF, Krijimi nga një njeri (7:189)

Është Ai që ju krijoi nga një njeri i vetëm (Ademi), prej të cilit krijoi edhe bashkëshorten e tij (Havanë), që të gjente qetësi tek ajo. Kur njeriu bashkohet me gruan e vet, e ngarkon atë me një barrë të lehtë, që ajo e kalon pa e ndier për ca kohë. Dhe, kur ajo rëndohet, ata të dy i luten Allahut, Zotit të tyre: “Nëse na dhuron pasardhës të shëndoshë, do të të jemi vërtet mirënjohës!”

ARAF, Strehohu te Allahu (7:196-201)

Në të vërtetë, Mbrojtësi im është Allahu, i Cili ka zbritur Librin dhe kujdeset për të mirët.
Kurse ata që i adhuroni në vend të Tij, nuk mund t’ju ndihmojnë as ju e as veten.
Edhe sikur t’i thërrasësh në rrugë të drejtë, ata nuk do të dëgjojnë! Ty të duket sikur të vështrojnë, por ata nuk shohin.
Trego mëshirë, urdhëro vepra të mira dhe shmangu nga të paditurit!
Nëse djalli përpiqet të të shtyjë drejt së keqes, kërko strehim tek Allahu, se vërtet, Ai dëgjon dhe di gjithçka.
Ata që kujdesen ndaj Allahut, kur u vjen ndonjë mendim i lig nga djalli, e kujtojnë (me zikr Allahun) dhe e shohin rrugën e drejtë.

ARAF, të afërmit nuk refuzojnë ta shërbejnë Zotin (7:204-206)

Kur të lexohet Kurani, dëgjoni dhe heshtni, në mënyrë që të mëshiroheni.

Përmende Zotin tënd në vete,me respekt e me dro – jo me zë të lartë, në mëngjes dhe mbrëmje, dhe mos u bëj nga ata që nuk i kushtojnë vëmendje (gafil)!

Në të vërtetë, ata që janë afër Zotit tënd, nuk refuzojnë ta shërbejnë Atë, por e lavdërojnë dhe përulen në sexhde para Tij.

ENFAL, Të zgjuar ndaj vërtetës (8:22-23)

Krijesat më të këqija para Allahut janë ato që janë shurdhe dhe memece (ndaj së vërtetës) e që nuk kanë arsye.
Sikur Allahu të dinte ndonjë të mirë tek ata, Ai do t’ua jepte dëgjimin. Por, edhe sikur t’i bënte të dëgjonin, ata do të shmangeshin dhe do të largoheshin nga besimi.

ENFAL, Allahu ndërhynë midis njeriu dhe zemrës së tij (8:24-25)

O besimtarë! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret drejt asaj që ju jep jetë ! Dhe ta dini se Allahu ndërhyn midis njeriut dhe zemrës së tij dhe se tek Ai do të mblidheni të gjithë!
Ruajuni ngatërresave, të cilat nuk i godasin vetëm ata që bëjnë keq; dhe ta dini se Allahu dënon ashpër!

ENFAL, Aftësia e gjykimit dhe kujdesi ndaj Allahut (8:28-29)

Ta dini se pasuria juaj dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë dhe se vetëm tek Allahu është shpërblimi i madh.
O besimtarë! Nëse kujdeseni ndaj Allahut, Ai do t’ju japë aftësinë e të gjykuarit drejt, do t’ju lirojë nga gjynahet tuaja dhe do t’ju falë. Allahu zotëron mirësi të madhe.

TEUBE, Feja e së Vërtetës

Feja e së Vërtetës
(9:31-33)
Në vend të Allahut, ata kanë zgjedhur për zot rabinët dhe murgjit e tyre, si dhe Mesinë, të birin e Merjemes, ndërkohë që janë urdhëruar të adhurojnë vetëm një Zot, përveç të Cilit nuk ka tjetër që meriton të adhurohet. I lartësuar qoftë Ai mbi gjithçka që ia shoqërojnë (në adhurim).
Ata dëshirojnë ta fikin dritën e Allahut me gojën e tyre, por Allahu ka vendosur vetëm që ta përsosë dritën e Vet, edhe sikur mohuesit ta urrejnë këtë gjë.
(Allahu) Është Ai që e ka dërguar të Dërguarin e Tij me udhërrëfimin dhe fenë e së vërtetës, për ta lartësuar atë mbi të gjitha fetë, edhe sikur idhujtarët ta urrejnë këtë gjë.

TEUBE, Kopshte të Xhenetit për besimtarë dhe besimtare

(9:72)
Allahu u ka premtuar besimtarëve dhe besimtareve kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të banojnë përgjithmonë, si dhe pallate të mrekullueshme në Xhenetin e Adnit. Por kënaqësia prej Allahut është shpërblimi më i madh. Kjo është fitorja madhështore.

TEUBE, Punoni (9:105)

Thuaj: “Punoni, se Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët do të shohin punën tuaj. Së shpejti do të ktheheni tek Ai që di të dukshmen dhe të padukshmen e Ai do t’ju njoftojë për atë që keni bërë.”

TEUBE, Jeta dhe pasuria në këmbim të Xhenetit (9:111-112)

Në të vërtetë, Allahu ka blerë nga besimtarët jetën dhe pasurinë e tyre, në këmbim të Xhenetit. Ata luftojnë në rrugën e Allahut, vrasin dhe vriten. (Ky është) premtimi i Tij i vërtetë në Teurat, Ungjill dhe Kuran. E kush i përmbahet besëlidhjes më fort se Allahu? Andaj, gëzojuni kësaj shitjeje! Kjo është fitorja madhështore.
(Këta janë) ata që pendohen, e adhurojnë Allahun, e falënderojnë Atë, agjërojnë, përkulen (në namaz), bien në sexhde (gjatë namazit), urdhërojnë vepra të mira, pengojnë të këqijat dhe u përmbahen kufijve të caktuar nga Allahu. Jepu lajmin e mirë besimtarëve!

JUNUS, Thirrja nga Kopshtet e Kënaqësisë (10:9-10)

Vërtet, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Zoti i tyre do t’i udhëzojë në rrugë të drejtë, për shkak të besimit të tyre. Pranë tyre do të rrjedhin lumenj në kopshtet e kënaqësisë dhe thirja e tyre do të jetë “Qofsh i lavdëruar, o Zot!” (Subhanekeallahume!). Përshëndetja e tyre do të jetë “Selam” dhe lutja e tyre e fundit “Falënderuar qoftë Allahu, Zoti i botëve!” (Elhamdulilahirabbialemin!).

JUNUS, Të gjithë njerëzit kanë qenë të një feje të vetme (10:18-19)

Ata adhurojnë në vend të Allahut atë që as nuk u bën dëm, as nuk u sjell dobi dhe thonë: “Këta janë ndërmjetësit tanë te Allahu”! Thuaj: “A po i tregoni Allahut për diçka që Ai nuk e di në qiej dhe në Tokë?!” Qoftë i lavdëruar Ai dhe i lartësuar mbi gjithçka që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)!
Të gjithë njerëzit kanë qenë të një feje të vetme, pastaj u përçanë. Sikur të mos ishte thënë më parë fjala nga Zoti yt, atëherë do të gjykohej midis tyre, për atë që nuk u pajtuan.

JUNUS, Secili umet e ka pasur resulin e vet (10:47)

Secili umet (komunitet) ka pasur të dërguar. Dhe, kur atyre t’u vijë i dërguari (Ditën e Gjykimit), do të gjykohet midis tyre me të drejtë dhe nuk do t’u bëhet asnjë padrejtësi.
Ata (jobesimtarët) thonë: “Kur do të plotësohet ky premtim, nëse thoni të vërtetën?”

JUNUS, Ai jep jetën dhe vdekjen (10:55-58)

Vërtetë që Allahut i përket çdo gjë që gjendet në qiej dhe në Tokë. Premtimi i Allahut është i vërtetë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.
Ai jep jetën dhe vdekjen dhe tek Ai do të ktheheni.
O njerëz, ju ka ardhur këshillë (Kurani) nga Zoti juaj, shërim për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët.
Thuaj: “Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen! Kjo është më e mirë se ajo që grumbullojnë.”

JUNUS, Asgjë nuk fshihet nga Zoti (10:61-67)

Në çfarëdo pune që të jesh, çfarëdo gjëje që të lexosh nga Kurani dhe çfarëdo pune që të bëni (o njerëz), Ne jemi dëshmitarë, kur ju të thelloheni në të. Zotit tënd nuk i fshihet asnjë grimë peshe, në Tokë e në qiell; as më pak nga ajo e as më shumë nuk mbetet pa u shënuar në Librin e qartë.
Pa dyshim, miqtë e Allahut nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar dhe as për t’u dëshpëruar.
(Të tillë janë) ata që besojnë dhe që kujdesën (ndaj Allahut).
Ata i pret lajmi i mirë në këtë jetë dhe në tjetrën. S’ka ndryshim në fjalët e Allahut; kjo është fitorja madhështore.
Mos u dëshpëro nga fjala e tyre. E gjithë fuqia i përket Allahut! Ai dëgjon dhe di çdo gjë.
Vërtet, Allahut i përket çdokush që gjendet në qiej dhe në Tokë. E çfarë ndjekin ata që adhurojnë në vend të Allahut zota ortakë? Në të vërtetë, ata nuk ndjekin gjë tjetër, përveç hamendjes dhe vetëm gënjejnë.
Ai jua krijoi natën për të pushuar në të, kurse ditën për të parë dhe këtu, vërtet, ka shenja (argumente) për njerëzit që ua vënë veshin.

JUNUS, Vërteta nga Zoti (10:107-109)

Nëse Allahu vendos që të të godasë ndonjë e keqe, askush nuk mund të ta largojë atë, përveç Tij e, nëse Ai do të të bëjë ndonjë të mirë, s’ka kush që ta pengojë mirësinë e Tij. Ai ia jep atë mirësi kujt të dojë prej robërve të Tij. Ai është Falës dhe Mëshirëplotë.
Thuaj: “O njerëz, ju erdhi e Vërteta nga Zoti juaj. Kush udhëzohet në rrugën e drejtë, ai është udhëzuar për dobinë e vet dhe kush e humb rrugën e drejtë, ka humbur në dëmin e vet, ndërsa unë nuk jam mbikëqyrësi juaj”.
Zbatoje atë që të është shpallur ty dhe duro derisa të gjykojë Allahu, se Ai është Gjykatësi më i mirë!

HUD, Krijimi për gjashtë ditë (11:6-7)

S’ka asnjë gjallesë në Tokë që të mos i ketë mjetet e jetesës prej Tij. Ai di vendbanimin e saj dhe vendin e vdekjes. Të gjitha këto janë (të shënuara) në Librin e qartë.
Është Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë, teksa Froni i Tij ndodhej mbi ujë, për t’ju vënë në provë kush është më i mirë në vepra. Nëse ti u thua: “Ju do të ringjalleni pas vdekjes”, mohuesit, me siguri do të thonë: “Kjo nuk është asgjë tjetër, përveçse magji e kulluar!”

HUD, Ata që humbin shpresë (11:9-11)

Kur Ne i japim njeriut të shijojë mëshirën Tonë e pastaj ia heqim atë, ai atëherë bëhet shpresëhumbur dhe mohues.
E, kur pas fatkeqësisë që e ka goditur atë, Ne i japim atij dhunti, ai me siguri do të thotë: “Gjynahet e mia janë larguar nga unë!” atëherë bëhet i gëzuar dhe mendjemadh.
(Nuk janë të tillë) vetëm ata me qendresë dhe durim dhe bëjnë vepra të mira; për ata do të ketë falje dhe shpërblim të madh.

HUD, Punëmirët (11:112-115)

Prandaj qëndro i patundur në udhën e drejtë, ashtu siç je i urdhëruar. Ashtu le të veprojnë edhe besimtarët që janë me ty, e mos i kaloni kufijtë, se Ai, me të vërtetë, i sheh mirë ato që punoni ju.
Dhe mos anoni nga ata që bëjnë të këqija, përndryshe do t’ju përcëllojë Zjarri. Ju nuk do të keni mbrojtës tjetër përveç Allahut dhe nuk do të ndihmoheni.
Faluni në mëngjes e mbrëmje dhe në një kohë të natës, sepse veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija. Kjo këshillë vlen për ata që i pranojnë këshillat.
Dhe ji i qendresës dhe durimtar! Se Allahu, me të vërtetë, nuk e humb shpërblimin për punëmirët.

JUSUF, Shumë shenja e pak ua vënë veshin (12:105-107)

Eh, sa shumë shenja ka në qiej dhe në Tokë, pranë të cilave ata kalojnë pa ua vënë veshin!
Shumica e tyre nuk besojnë në Allahun, pa i shoqëruar Atij njëkohësisht (idhuj të rremë) në adhurim.
A janë të sigurt ata se nuk do t’i godasë një dënim gjithëpërfshirës nga Allahu apo që nuk do t’u vijë papritmas Ora, ndërkohë që janë të pavetëdijshëm?

RAD, (13:1) Allahu është e Vërteta

Këto janë vargjet e Librit (Kuranit)! Ajo që të është shpallur ty (Muhamed) prej Zotit tënd është e Vërteta, por shumica e njerëzve nuk e besojnë.

RAD,(13:7) Muhamedi është paralajmërues (Nezir). E, për çdo popull ka udhërrëfyes (Hadi)

Jobesimtarët thonë: “Sikur t’i ishte dërguar atij një mrekulli nga Zoti i tij?” Në të vërtetë, ti je vetëm paralajmërues (Nezir). E, për çdo popull ka udhërrëfyes (Hadi).

RAD,(13:8-11) Nuk ndryshon gjendja pa ndryshu vetja (ndërgjegja)

 Allahu e di se ç’mbart çdo femër dhe e di sa shkurtohet e sa zgjatet (koha e lindjes). Çdo gjë tek Ai është me masë.

Ai i di gjërat e dukshme dhe të padukshme. Ai është i Madhi, i Larti.
(Për Atë) njëlloj është: si ai prej jush që flet me vete edhe ai që flet me zë të lartë, si ai që fshihet natën edhe ai që ecën ditën.
Njeriu ka përcjellës (engjëj), para tij dhe pas tij, që e mbikëqyrin atë me urdhrin e Allahut. Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete. Kur Ai dëshiron ta ndëshkojë një popull, askush nuk mund ta pengojë Atë; dhe ata, përveç Tij, s’kanë asnjë ndihmës.

RAD, (13:14-15) Lutja e mohuesëve është kot

Vetëm për Atë është lutja e vërtetë! Kurse idhujt, të cilëve jobesimtarët u luten në vend të Allahut, nuk u përgjigjen lutjeve të tyre aspak. Rasti i tyre është si rasti i atij që i zgjat duart tek uji, për t’i ardhur te goja, por ai kurrsesi nuk i vjen. Lutja e jobesimtarëve është e kotë.
Allahut i përulet në sexhde gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë, me hir a me pahir, si dhe hijet e tyre i përulen në mëngjes dhe në mbrëmje.

RAD, (13:16-17) Mbeturinat hidhen

Thuaj: “Kush është Zoti i qiejve dhe i Tokës?” dhe përgjigju: “Allahu!” Thuaj: “A mos vallë, ju zgjidhni për mbrojtës në vend të Tij, ata që nuk mund t’i sjellin vetes as dobi, as dëm?” Thuaj: “A janë të njëjtë i verbëri dhe ai që sheh? Ose a janë njësoj terri dhe drita? Apo ata (idhujtarët) i veshin Allahut ortakë, të cilët krijojnë siç krijon Ai, kështu që krijimi u ngjan i njëjtë atyre (idhujtarëve)?!” Thuaj: “Allahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe Ai është i Vetmi, Ngadhënjimtari”.
Ai e zbret shiun nga qielli, prandaj rrjedhin lumenjtë me masë dhe rrjedha bart mbeturinat mbi sipërfaqen e ujit. Edhe zgjyra, kur e shkrijnë njerëzit në zjarr që të bëjnë stoli ose vegla, është mbeturinë, si ajo. Kështu, Allahu jep shembullin e së vërtetës dhe të së pavërtetës: Mbeturinat hidhen, ndërsa ajo që u shërben njerëzve mbetet në tokë. Kështu, Allahu i shpjegon shembujt.

RAD, (13:19-24) Të keqën e kthejnë me të mirë

Vallë, ai që di se ajo që të është shpallur ty (Muhamed) nga Zoti yt është e vërteta, a është njësoj me atë që është i verbër (ndaj këtij fakti)? Vetëm njerëzit që kuptojnë ia vënë veshin kësaj.
Këta janë ata që i përmbahen besëlidhjes me Allahun dhe nuk e prishin premtimin;
dhe ata që mbajnë lidhjet (familjare) që ka urdhëruar Allahu të mbahen, që kanë frikë Zotin e tyre e i frikësohen llogarisë së rëndë;
dhe ata që durojnë për të fituar dashurinë e Zotit të tyre, që falen, që ndajnë fshehurazi dhe haptazi nga ajo që ua kemi dhënë Ne, dhe që të keqen e kthejnë me të mirë. Këtyre u takon shpërblimi në Shtëpinë e fundit: Xheneti i Adnit, në të cilin do të hyjnë ata dhe besimtarët e ndershëm prej prindërve të tyre, grave dhe pasardhësve të tyre. Dhe engjëjt do të hyjnë tek ata nga çdo derë (e Xhenetit), (e do t’u thonë): “Shpëtimi qoftë mbi ju, për durimin që keni treguar (në jetën e kësaj bote)! Sa vendbanim i bukur që është ky!”

IBRAHIM, (14:21-22) Fjalimi i Iblisit para dyerve të Xhehnemit

Të gjithë do të dalin para Allahut. (Atëherë), ata që kanë qenë të përulur, do t’u thonë atyre që kanë qenë kryelartë: “Ne kemi qenë ithtarët tuaj. A do të mund të lehtësoni ju prej nesh diçka nga dënimi i Allahut?” Ata do të thonë: “Sikur të na kishte udhëzuar Allahu në rrugën e drejtë, edhe ne do t’ju kishim udhëzuar ju. Rënkojmë apo durojmë, për ne njësoj është, nuk do të ketë shpëtim.”

Dhe, kur të marrë fund puna, djalli do të thotë: “Vërtet, Allahu ju bëri një premtim të vërtetë. Edhe unë ju premtova, por ju mashtrova. Unë nuk kam pasur kurrfarë pushteti mbi ju. Unë thjesht ju thirra e ju m’u përgjigjët. Prandaj, mos më qortoni mua, por qortoni veten! Unë nuk jam shpëtimtari juaj e as ju nuk jeni shpëtimtarët e mi. Unë tani e mohoj që më bëtë ortak me Allahun (në adhurim).” Vërtet, keqbërësit do të kenë një dënim të dhembshëm.

IBRAHIM, (14:24-26) Pema e mirë

Vallë, a nuk e sheh se si Allahu e përqas fjalën e mirë me pemën e mirë, e cila rrënjën e ka të fortë në tokë, kurse degët nga qielli?

Me lejen e Zotit të saj (pema) jep fruta në çdo kohë. Allahu u tregon shembuj njerëzve, që t’ua vënë veshin.

Fjala e keqe është si pema e keqe me rrënjë të shkulura, e pa qëndrueshme për ekzistencë.

HIXHR, (15:28-44) Iblisi

Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një njeri prej baltës së thatë të marrë nga balta e zezë pa form

Kur t’i jap formën dhe t’i fryj prej Shpirtit Tim , ju t’i përuleni atij në sexhde”,

Të gjithë engjëjt së bashku iu përulën atij në sexhde,

Përveç Iblisit. Ai nuk pranoi t’u bashkohej atyre që bënë sexhde.

Allahu i tha: “O Iblis, ç’pate ti që s’u bashkove me ata që u përulën?”

Iblisi tha: “Unë nuk i përulem një vdekatari që Ti e ke krijuar nga balta e thatë e marrë prej baltës së zezë pa formë”.

Allahu tha: “Atëherë, dil prej Xhenetit! Ti je vërtet i mallkuar!

Le të jetë mallkimi mbi ty deri në Ditën e Kiametit”!

Iblisi tha: “Zoti im, më jep afat deri në ditën kur ata do të ringjallen!”

Zoti tha: “Sigurisht që do të të jepet afat deri në një ditë të caktuar. “

Iblisi tha: “Zoti im, për shkak se më çove në humbje, unë do t’ju zbukuroj atyre (njerëzve) rrugën e gabuar në Tokë dhe të gjithë do t’i shpie në mashtrim, përveç robërve të Tu të sinqertë”.

(Allahu) tha: “Kjo është rruga Ime e drejtë.

Në të vërtetë, ti nuk do të kesh pushtet mbi robërit e Mi, përveçse mbi të humburit, që të pasojnë ty.”

Pa dyshim, Xhehenemi është vendi i premtuar për të gjithë ata.

Ai ka shtatë dyer e për çdo derë do të ketë një pjesë të caktuar.

NAHL, (16:49) Allahut i përulet në sexhde çdo gjallesë

Allahut i përulet në sexhde çdo gjallesë, në qiej dhe në Tokë, edhe engjëjt, të cilët nuk janë kryelartë.

NAHL, (16:70-71) Kujt ju dha më shumë, të jep për nevojtarë

Allahu ju krijon, pastaj jua merr shpirtin. Disa prej jush jetojnë aq gjatë, sa arrijnë një moshë, ku nuk kuptojnë më asgjë nga ajo që kanë ditur. Me të vërtetë, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Plotfuqishëm.
16:71. Disa prej jush Allahu i ka pajisur më mirë. Por, ata të cilëve u ka dhënë më shumë, nuk u japin furnizim atyre që i kanë nën vete, edhe pse janë të barabartë në nevoja. Si po i mohoni dhuntitë e Allahut?

NAHL, (16:90-91) Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën

Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.
Zbatoni besëlidhjen e Allahut, kur ta merrni mbi vete dhe mos e thyeni betimin, pasi ta keni bërë atë, sepse Allahun e keni bërë dorë-zënësin tuaj; vërtet, Allahu e di se çfarë bëni ju.

NAHL, (16:98-100) Kur lexon kërko mbështetjen e Allahut

Kur dëshiron të lexosh Kuranin, kërko mbrojtjen e Allahut kundër djallit të mallkuar,
sepse, në të vërtetë, djalli nuk ka kurrfarë pushteti mbi ata që besojnë dhe mbështeten tek Zoti i tyre.
Pushteti i djallit është vetëm mbi ata, që i binden atij dhe adhurojnë zota të tjerë veç Allahut.

NAHL, (16:102) Kuranin e solli Shpirti i Shejtë

Thuaj: “Atë (Kuranin) e ka zbritur Shpirti i Shenjtë nga Zoti yt me të vërtetën, për t’i forcuar ata që besojnë dhe për të qenë udhërrëfyes dhe lajm i mirë për ata që i dorëzohen Allahut”.

ISRA, (17:23-35) Rregulla

Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti.
Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!”
Zoti juaj e di më së miri ç’keni në shpirtrat tuaj. Nëse ju jeni të drejtë, sigurisht që Ai është Falës për ata që pendohen.
Jepuni të afërmve, të varfrit dhe udhëtarit të drejtën e tyre, por mos bëni shpenzim të tepruar.
Dorëshpuarit me të vërtetë, janë vëllezërit e djallit dhe djalli është mosmirënjohës ndaj Zotit të tij.
Por, nëse shmangesh nga ata (kur nuk ke asgjë për të dhënë), duke shpresuar në mëshirën e Zotit tënd, atëherë thuaju atyre ndonjë fjalë të butë.
Mos e shtrëngo dorën, as mos u bëj dorëshpuar e të mbetesh i qortuar dhe i mjerë.
Me të vërtetë, Zoti yt i jep me bollëk e ia kufizon (riskun) kujt të dëshirojë; Ai i di dhe i sheh mirë robërit e Vet.
Mos i vrisni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë! Ne u sigurojmë ushqim atyre dhe juve. Vërtet, vrasja e tyre është gjynah i madh.
Dhe mos iu qasni kurvërisë, se ajo është shfrenim dhe rrugë e shëmtuar!
Mos ia merrni jetën njeriu, gjë që Allahu jua ka ndaluar ta bëni, përveçse kur e kërkon e drejta! Nëse dikush vritet padrejtësisht, Ne i kemi dhënë pushtet trashëgimtarit të tij (të kërkojë shpagim). Por edhe ai të mos e teprojë në vrasje, sepse ai është i ndihmuar (nga ligji dhe drejtësia islame).
Mos iu qasni pasurisë së jetimit, veçse me qëllim të mirë, derisa të arrijë moshën e pjekurisë. Dhe përmbushni zotimet. Me të vërtetë, për zotimet do të jeni përgjegjës.
Saktësojeni matjen, kur matni dhe peshoni me peshore të rregullt. Kjo është e mira që çon në përfundimin më të bukur.

ISRA, (17:36-39) Mos përcjel çka nuk ki dijeni

Mos shko pas diçkaje për të cilën nuk ke dijeni. Vërtet, dëgjimi, shikimi dhe zemra, të gjithë këta do të merren në përgjegjësi.
Mos ec nëpër tokë me mendjemadhësi, se ti, në të vërtetë, nuk mund ta çash tokën e as të arrish lartësinë e maleve.
E keqja e të gjitha këtyre është e urryer nga Zoti yt.
Kjo është nga Urtësia që të ka shpallur ty, Zoti yt, dhe mos vër zot tjetër me Allahun, se do të hidhesh në Xhehenem, fajtor dhe i dëbuar.

ISRA, (17:44) Atë e lavdëron gjithçka në qiell

Atë e madhërojnë shtatë qiejt, Toka dhe gjithçka gjendet në to. Dhe nuk ka asgjë që nuk e madhëron Atë, duke e lavdëruar, por ju (o njerëz) nuk e kuptoni madhërimin që i bëjnë ata. Ai, me të vërtetë, është i Butë dhe Falës.

ISRA, (17:81-82) E vërteta erdhi, ndërsa e pavërteta u shkatërrua

Thuaj: “E vërteta erdhi, ndërsa e pavërteta u shkatërrua. Sigurisht, e pavërteta është e paracaktuar të zhduket”!
Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët e që mohuesve keqbërës u shton vetëm humbje.

ISRA, (17:85) Shpirti i përket vetëm Zotit tim, ndërsa ju dini veçse pak dijeni

Do të të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, ndërsa juve nuk ju është dhënë veçse pak dijeni”.

ISRA, (17:110) Thirrni Allah ose thirrni Rrahman ... Emrat më të Bukura

Thuaj: “Thirrni Allahun ose thirrni të Gjithëmëshirshmin, me cilindo emër që ta thirrni ju Atë, Ai ka emrat më të bukur. Gjatë namazit, mos lexo (Kuran) me zë të lartë dhe as me zë tepër të ulët, por kërko një rrugë të mesme.”

KAHF, (18-109-110) Sikur deti të ishte bojë ...

Thuaj: “Sikur deti të ishte bojë për të shkruar fjalët e Zotit tim, sigurisht që ajo do të shterej, para se të soseshin fjalët e Zotit tim, edhe sikur Ne të sillnim si ndihmë edhe një det tjetër si ai.”
Thuaj: “Unë jam vetëm një vdekatar si ju, që më është shpallur se Zoti juaj është një Zot i Vetëm. Kështu, kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet!”

MERJEM, (19:93-96) i Gjithëmëshirshmi do t’u dhurojë dashuri.

S’ka krijesë që gjendet në qiej dhe në Tokë e që të mos vijë si rob para të Gjithëmëshirshmit.

Sigurisht që Ai e njeh mirë gjithsecilin prej tyre dhe i ka numëruar të gjithë saktësisht.

Çdonjëri prej tyre, në Ditën e Kiametit, do të dalë fill i vetëm para Tij.

Në të vërtetë, atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i Gjithëmëshirshmi do t’u dhurojë dashuri.

TA HA, (20:2-8) Ai i ka emrat më të bukur

Ne nuk ta kemi shpallur Kuranin ty (o Muhamed), për të të munduar,
por që të jetë kujtesë për atë që ka frikë (nga Allahu).
Ai është zbritur nga Krijuesi i Tokës e i qiejve të lartë.
I Gjithëmëshirshmi mbi Fron u ngrit (si i takon Madhërisë së Tij).
Atij i përket ç’ka në qiej e ç’ka në Tokë, si dhe gjithçka që gjendet midis tyre e gjithçka që ndodhet nën tokë.
Edhe nëse ti flet me zë të lartë, (është e kotë, sepse) Ai, me të vërtetë, i di sekretet edhe më të fshehta.
Allahu, nuk ka zot tjetër përveç Tij. Ai ka Emrat më të Bukur.

ENBIJA, (21:1-2) Po afrohet dita

Po u afrohet njerëzve dita për të dhënë llogari, por ata vazhdojnë të jenë të shkujdesur e të shmangur (nga e vërteta).
Sa herë që atyre u vjen nga Zoti i tyre ndonjë paralajmërim i ri, ata e dëgjojnë, duke u tallur me të.

ENBIJA, (21:22) Me shumë zotra do të shkarrohej qielli dhe toka

Sikur në qiej dhe në Tokë të kishte zota të tjerë, përveç Allahut, si qiejt, ashtu edhe Toka do të shkatërroheshin. Qoftë i lavdëruar Allahu, Zoti i Fronit dhe i lartësuar mbi çka ia veshin Atij!

ENBIJA, (21:30) Qiejt dhe Toka kanë qenë një e tërë? Pastaj Ne e ndamë

A nuk e dinë mohuesit se qiejt dhe Toka kanë qenë një e tërë (ratkan)? Pastaj Ne e ndamë dhe bëmë nga uji çdo gjë të gjallë! Akoma nuk besojnë?!

HAXH, (22:1-2) Termeti i Orës

O njerëz, kujdesuni ndaj Zotit tuaj, sepse dridhja e Orës (së Kiametit), është vërtet një ngjarje e madhe!
Ditën, që do të veni re atë, çdo grua me fëmijë në gji do ta harrojë fëmijën e saj dhe çdo grua shtatzënë do ta hedhë barrën e vet. Njerëzit do t’i shihni si të dehur, ndonëse ata nuk do të jenë të dehur, por dënimi i Allahut është i ashpër.

HAXH, (22:5-7) Ringjallja

O njerëz, nëse ju dyshoni në ringjalljen, mendoni si Ne ju kemi krijuar prej dheut, pastaj prej pikës së farës, pastaj prej droçkave të gjakut, pastaj prej një cope mishi me trajtë të plotë ose jo të plotë, për t’jua bërë të qartë! Dhe Ne e mbajmë në mitër atë që duam deri në kohën e caktuar. Pastaj ju nxjerrim si fëmijë e pas kësaj do të arrini moshën e pjekurisë. Disa nga ju vdesin e disa ngelin deri në pleqëri të thellë, që të mos dinë asgjë nga ajo që kanë ditur më parë. Dhe ti e sheh tokën të tharë, por, kur Ne lëshojmë ujë mbi të, ajo trazohet dhe gufon dhe prej saj mbijnë gjithfarë lloj bimësh të mrekullueshme në çift.
Kjo ndodh (që ta dini) se Allahu është e Vërteta, se Ai i ringjall të vdekurit, se Ai është i Fuqishëm për çdo gjë,
se Ora (e Kiametit) do të vijë, gjë për të cilën s’ka dyshim dhe se Allahu do t’i ringjallë ata që janë në varre.

HAXH, (22:36-37) Ritet e flijimit për Allahun

Devetë (dhe gjedhët) i kemi bërë për ju, si një nga ritet e flijimit për Allahun, dhe ju keni dobi nga ato. Prandaj, përmendeni emrin e Allahut mbi ato, ndërsa i radhisni në këmbë (për t’i therur). Kur ato të bien në tokë, hani prej (mishit të) tyre dhe ushqeni edhe atë që lyp, edhe atë që nuk lyp. Kështu pra, Ne i kemi vënë ato në shërbimin tuaj, që ju të jeni mirënjohës.
Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin përkushtimi juaj. Kështu, Ai i ka vënë ato në shërbimin tuaj, që ju ta madhëroni Allahun sepse ju ka udhëzuar. Dhe, jepu lajmin e mirë, punëdrejtëve!

HAXH, (22:75-78) Te Allahu kthehet çdo qështje

Allahu zgjedh të dërguar nga engjëjt dhe njerëzit; me të vërtetë, Allahu dëgjon dhe sheh gjithçka.
Ai e di ç’ka para tyre dhe ç’ka pas tyre dhe tek Allahu kthehet çdo çështje.
O besimtarë! Përkuluni dhe përuluni në sexhde (para Allahut)! Adhuroni Zotin tuaj dhe bëni vepra të mira për të arritur shpëtimin!
Luftoni në rrugën e Allahut, ashtu si duhet luftuar. Ai ju ka zgjedhur dhe nuk ju ka vënë asnjë barrë në fenë tuaj, fenë e babait tuaj, Ibrahimit. Ai ju ka quajtur juve myslimanë qysh më parë (në Shkrimet e Shenjta) dhe në këtë (Kuran), me qëllim që i Dërguari të jetë dëshmitar mbi ju dhe që ju të jeni dëshmitarë mbi njerëzit e tjerë. Andaj, ngrituni në falje, jepni zeqatin dhe mbështetuni tek Allahu! Ai është Mbrojtësi juaj. Sa Mbrojtës dhe Ndihmës i mrekullueshëm është Ai!

MUMINUN, (23:1-19) Firdeus

Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët,
të cilët janë të përulur në namazin e tyre,
të cilët shmangen nga fjalët e kota,
të cilët japin zeqatin,
të cilët e ruajnë vende të veta intime,
përveçse nga gratë e tyre ose nga shërbëtoret që i kanë (që i kanë në dorë të djathtë) dhe, për këtë, nuk janë fajtorë,
ndërsa ata që kërkojnë përtej kësaj, pikërisht ata janë shkelës (të kufijve),
të cilët u përmbahen amaneteve dhe detyrimeve të marra
dhe të cilët i kryejnë rregullisht faljet.
Pikërisht ata do të jenë trashëgimtarët,
që do ta trashëgojnë Firdeusin, ku do të qëndrojnë përjetësisht.
Me të vërtetë, Ne e kemi krijuar njeriun prej palcës së baltës,
e pastaj, e bëmë atë pikë fare dhe e vumë në një vend të sigurt (mitër).
E mandej, pikën e farës e bëmë droçkë gjaku, e pastaj e bëmë copëz mishi pa formë; mandej, me atë mish bëmë eshtrat, pastaj i veshëm eshtrat me mish dhe pastaj e bëmë atë (njeriun) krijesë tjetër (duke i futur shpirtin). Qoftë lartësuar Allahu, Krijuesi më i përsosur!
Mandej, pas kësaj ju do të vdisni,
pastaj, ju me siguri që do të ringjalleni në Ditën e Kiametit.
Ne kemi krijuar mbi ju shtatë qiej dhe nuk jemi të pakujdesshëm ndaj krijesave Tona.
Ne zbresim ujë nga qielli me masë të caktuar, pastaj e depozitojmë atë në Tokë. Por, nëse dëshirojmë, Ne jemi në gjendje ta heqim atë tërësisht.
Nëpërmjet tij (ujit), Ne bëjmë për ju kopshte hurmash dhe rrushi, ku ka shumë fruta për të ngrënë,

NUR, (24:35-38) Dritë mbi drita

Allahu është Drita e qiejve dhe e Tokës. Drita e Tij shëmbëllen me atë të një kamareje, në të cilën ndodhet një llambë. Llamba është në një kristal, kurse kristali është si një yll i shndritshëm. Ajo (llamba) ndizet nga druri i bekuar i ullirit, as lindor, as perëndimor, ndërsa vaji i saj shkëlqen edhe pa e prekur zjarri. Dritë sipër dritës. Allahu udhëzon drejt dritës së Tij kë të dojë dhe paraqet shembujt për njerëzit. Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.
shtëpitë, që Allahu ka urdhëruar të ngrihen e të përmendet aty emri i Tij, Atë e lavdërojnë në mëngjes dhe mbrëmje,
njerëz, të cilët shitblerja nuk i pengon për të përmendur Allahut dhe të cilët falen dhe japin zeqatin dhe të cilët kanë frikë nga Dita (e Kiametit), kur zemrat dhe shikimet do të jenë të shqetësuara.
(Këta shpresojnë) që Allahu t’i shpërblejë sipas veprave më të mira që kanë bërë e t’ua shtojë dhuntinë e Tij. Allahu i jep kujt të dojë, pa llogari.

FURKAN (25:43-44) Epshin e vet e kan marrë për zot

A e ke parë ti atë që epshin e vet e ka marrë për zot? A do t’i bëhesh mbrojtës atij?
A mendon ti se shumica e tyre dëgjojnë dhe kuptojnë? Ata nuk janë tjetër, veçse si bagëti. Madje, ata janë edhe më të shmangur nga rruga e drejtë.

FURKAN (25:63-65) Kur të xhahila sulmojnë robi i Zotit përgjigjet: “Paqe qoftë!

Robërit e të Gjithëmëshirshmit janë ata që ecin thjesht nëpër Tokë dhe, kur të paditurit i sulmojnë me fjalë, ata përgjigjen: “Paqe qoftë!”;
dhe ata që e kalojnë natën duke iu falur Zotit të tyre në sexhde dhe në këmbë;
dhe ata që thonë: “O Zoti ynë, largoje prej nesh ndëshkimin e Xhehenemit, sepse, me të vërtetë, dënimi i tij është i përjetshëm
e ai është vendbanim dhe vendstrehim i keq”;

SHU’ARA, (192-197) Kuranin e zbriti Ruhi Emin

Nuk ka dyshim se ky (Kuran) është Shpallja e Zotit të botëve.
Atë e zbriti Shpirti i besueshëm (Ruhi Emin)
në zemrën tënde (o Muhamed) që të jesh nga ata që paralajmërojnë.
E zbriti në gjuhën e qartë arabe.
Vërtet, ai është përmendur në Shkrimet e të parëve.
Vallë, a nuk është provë për ata (mekasit), që atë (Muhamedin) e kanë njohur dijetarët e bijve të Izraelit?

NEML (27:1-6) Në Kuran janë shenja për ata që i falen Zotit

…., Këto janë vargjet e Kuranit, të një Libri të qartë,
një udhërrëfyesi dhe lajmi i mirë për besimtarët,
të cilët falen (Zotit), ndajnë zeqatin dhe besojnë bindshëm në jetën tjetër.
Njëmend, atyre që nuk besojnë në jetën tjetër, Ne kemi bërë që t’u duken të bukura veprat e tyre, prandaj ata ecin verbërisht.
Janë pikërisht ata që i pret dënimi i rëndë dhe në jetën tjetër do të jenë më të humburit.
Në të vërtetë, ty po të shpallet Kurani nga ana e një të Urti të Gjithëdijshëm!

NEML (27:87-90) Fryerja në Sur

Dhe Ditën, kur të fryhet në Sur, do të tmerrohet çdokush që gjendet në qiej e në Tokë, përveç atyre që Allahu nuk dëshiron t’i frikësojë. Të gjithë do t’i vijnë Atij të përulur.
Ti i shikon malet e mendon se janë të palëvizshme, por ato do të lëvizin si retë. E tillë është fuqia e Allahut, i Cili ka përsosur çdo gjë. Ai di mirë çdo gjë që bëni ju.
Ata që kanë bërë vepra të mira, do të kenë shpërblim më të mirë dhe do të jenë të çliruar nga tmerri i asaj Dite.
Ndërsa ata që kanë bërë vepra të këqija, do të hidhen me fytyrë përmbys në zjarr. Ju do të shpërbleheni veç për atë që keni bërë!

28. KASAS, (28:60) Kënaqësi e kësaj jete

Çdo gjë që ju është dhënë juve, ajo është kënaqësi e kësaj jete dhe stoli e saj, ndërsa ajo që është tek Allahu, është më e mirë dhe më e përhershme. Vallë, a nuk e kuptoni?!

28. KASAS, (28:77) Bëju mirë të tjerëve

Por përpiqu me atë që të ka dhënë Allahu të fitosh jetën e botës së ardhshme, duke mos harruar pjesën tënde në këtë botë. Bëju mirë të tjerëve, ashtu si të ka bërë mirë ty Allahu. Mos kërko ngatërresa në Tokë, sepse Allahu nuk i do ngatërrestarët.”

ANKEBUT, (29:2-3) Dklarata 'Po besojm' do të sprovohet

Vërtet mendojnë njerëzit, se do të lihen të thonë “Ne besojmë”, pa u vënë në provë?!
Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, në mënyrë që, Allahu të dallojë ata, që thonë të vërtetën dhe, ata që gënjejnë.

ANKEBUT, (29:19-20) Allahu rikrijon

Vallë, a nuk e vërejnë ata se si Allahu e zë fill krijimin, pastaj e ripërsërit atë? Natyrisht, kjo është e lehtë për Allahun.
Thuaj: “Udhëtoni nëpër Tokë dhe shikoni se si Ai e ka zënë fill krijimin. Pastaj do të jetë Allahu Ai që do të bëjë krijimin e dytë (ringjalljen). Me të vërtetë, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.

ANKEBUT, (29:45) Falja ruan nga shthurja, Zikri është më i madh

Lexo atë që të është zbritur ty prej Librit dhe falu! Vërtet që falja të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe vërtet që përmendja (Zikri) për Allahun është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.

ANKEBUT, (29:47-49) Kurani është shpallje e qartë në zemër

Kështu, Ne të kemi shpallur ty (Muhamed) Librin (Kuranin). Ata që u kemi dhënë Shkrimet, e besojnë atë. Por ka edhe nga ata (mekas) që e besojnë atë. Shpalljet Tona i mohojnë vetëm jobesimtarët.
Para këtij , ti (Muhamed) nuk kishe lexuar kurrfarë libri e as që kishe shkruar gjë me dorën tënde; përndryshe, ndjekësit e së pavërtetës do të dyshonin.
Përkundrazi! Ai (Kurani) është shpallje e qartë në zemrat e atyre, të cilëve u është dhënë dija. Shpalljet Tona i mohojnë vetëm keqbërësit.

RUM, (30:18-23) Shenjat

Ai krijon të gjallën prej së vdekurës, krijon të vdekurën prej së gjallës dhe e gjallëron tokën pas shkretimit të saj. Në të njëjtën mënyrë do të ktheheni edhe ju në jetë.
Një prej shenjave të Tij është që Ai ju krijoi prej dheut, pastaj ja, tashmë ju jeni njerëz të shpërndarë në të gjitha anët.
Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë.
Ndërmjet shenjave të Tij janë krijimi i qiejve e i Tokës dhe shumëllojshmëria e gjuhëve dhe e ngjyrave (racave) tuaja. Pa dyshim, në këtë ka shenja për ata që dinë.
Të tjera shenja të Tij janë gjumi juaj natën e ditën dhe kërkesa e juaj nga dhuntitë e Tij. Vërtet, në këtë ka shenja për njerëzit që dëgjojnë.

RUM, (30:30) Dini Hanefi

Drejtoje fytyren tende kah dini hanefi (kah sinqeriteti dhe nderi), natyrën fillestare (fitra) në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim në krijimin e Allahut (ligjet e Allahut). Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.

RUM, (30:41-43) Shkatërrimi në tokë dhe në det pasojë e punëve të këqija të njerëzve

Shkatërrimi në tokë dhe në det është shfaqur si pasojë e punëve të këqija të njerëzve, kështu që (Allahu) do t’i bëjë “të shijojnë” pjesë nga ajo që kanë punuar, me qëllim që ata të kthehen (në përmirësim).
Thuaj (o Muhamed): “Udhëtoni nëpër botë e shikoni si ka qenë përfundimi i atyre para jush”. Shumica e tyre kanë qenë idhujtarë.
Drejto fytyren tënde kah dini i ngritur, para se të vijë prej Allahut Dita, e cila nuk mund të shtyhet. Atë ditë, njerëzit do të ndahen …

LLUKMAN, (31:14) Gjidhënia zgjatë dy vjet

Ne e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka mbartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vitesh. Ne i thamë atij: “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë”.

LLUKMAN, (31:18-19) Zëri i gomarit

Mos i trajto njerëzit me nënçmim dhe mos ec në tokë me mendjemadhësi, se Allahu nuk i do mendjemëdhenjtë e mburracakët!
Ec me kujdes e i përmbajtur dhe fol me zë të ulët; se zëri më i vrazhdë është zëri i gomarit”!

LLUKMAN, (31:22) Lidhja më e mirë

Kush i dorëzohet Allahut, me tërë qenien e tij, duke qenë punëmirë, ai është kapur për lidhjen (vegën) më të fortë. Tek Allahu do të kthehet çdo gjë.

SEXHDE. (32:4-9) Ai drejton çdo çështje, pastaj ato kthehen tek Ai

32:4.   Allahu është Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën dhe çdo gjë që gjendet midis tyre, për gjashtë ditë, pastaj është ngritur mbi Fron. Ju nuk keni as ndihmës, as ndërmjetësues tjetër përveç Atij. Vallë, a nuk po vini vesh?

Ai drejton çdo çështje, prej qiellit deri në Tokë, pastaj ato kthehen tek Ai në ditën, gjatësia e së cilës është një mijë vjet sipas llogaritjes suaj.

Është Ai që i di gjërat e padukshme dhe të dukshme.

Ai është i Plotfuqishmi dhe Mëshirëploti,i Cili ka përsosur çdo gjë që ka krijuar. Ai e ka filluar krijimin e njeriut prej baltës.

Pastaj bëri që pasardhësit e tij të krijohen prej një pike të lëngut të shpërfillur, së cilës pastaj i dha trajtë dhe i fryu shpirtin e krijuar prej Tij. Ai ju ka dhënë dëgjimin, shikimin dhe zemrën, por pak prej jush janë mirënjohës.

SEXHDE. (32:11) Engjëlli i vdekjes, Azraili

Thuaju: “Shpirtin do t’jua marrë engjëlli i vdekjes, i cili është caktuar për ju, e pastaj do të ktheheni te Zoti juaj”.

SEXHDE. (32:12-17) Do ta mbush Xhehenemin me xhind dhe njerëz

Sikur t’i shohësh keqbërësit se si para Zotit të tyre kokulur do të thonë: “O Zoti ynë, pamë dhe dëgjuam, andaj, kthena (në atë botë) që të bëjmë vepra të mira! Ne tashmë besojmë me bindje”!
Sikur Ne të donim, do t’ia jepnim secilit udhëzimin e tij, por do të përmbushet Fjala Ime: “Me të vërtetë, do ta mbush Xhehenemin me xhind dhe njerëz bashkërisht!”
(Ne do t’u themi atyre): “Shijoni dënimin, sepse nuk e keni besuar takimin e kësaj dite. Në të vërtetë, Ne ju kemi braktisur, prandaj shijoni dënimin e përhershëm për atë që keni bërë!”
Shpalljet Tona i besojnë vetëm ata të cilët, kur u përmenden, bien në sexhde, dhe të cilët e madhërojnë Zotin e tyre, e lavdërojnë dhe nuk bëhen mendjemëdhenj.
Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që iu kemi dhënë Ne.
Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.

AHZAB. (33:35) Besimtarët dhe besimtaret

Me të vërtetë që për myslimanët dhe myslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të bindurit ndaj Allahut dhe të bindurat ndaj Allahut, të drejtët (të sinqertët) dhe të drejtat (të sinqertat), duruesit dhe durueset, të përulurit dhe të përulurat, mirëbërësit dhe mirëbërëset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, përkujtuesit e Allahut vazhdimisht dhe përkujtueset, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.

AHZAB. (33:41-44) Ai ju nxjerrë nga errësira në dritë

O besimtarë, përmendeni shpesh Allahun
dhe lavdërojeni Atë në mëngjes dhe në mbrëmje!
Është Ai që ju bekon, dhe engjëjt e Tij, me qëllim që Ai t’ju nxjerrë nga errësira në dritë. Ai është Mëshirues ndaj besimtarëve.
Përshëndetja e tyre, kur ta takojnë Atë, është “Paqe”. Ai u ka përgatitur atyre shpërblim bujar.

AHZAB. (33:56) Allahu dhe engjëjt e Tij e bekojnë të Dërguarin

Vërtet, Allahu dhe engjëjt e Tij e bekojnë të Dërguarin. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”!

AHZAB.(33:70-73) Ne ua ofruam përgjegjësinë qiejve...

O besimtarë, kujdesuni ndaj Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën.
Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.
Ne ua ofruam përgjegjësinë qiejve, Tokës dhe maleve, por ato nuk pranuan ta marrin përsipër dhe u frikësuan ta pranojnë atë, kurse njeriu e pranoi. Me të vërtetë, njeriu u tregua i padrejtë me veten dhe i paditur (për pasojat e kësaj përgjegjësie).
Si pasojë, Allahu do t’i dënojë hipokritët dhe hipokritet, idhujtarët dhe idhujtaret, ndërsa do t’ua pranojë pendimin besimtarëve dhe besimtareve. Vërtetë Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.

SEBE, (34:1-6) Ai di çfarë hyn në tokë dhe çfarë del prej saj...

I lavdëruar qoftë Allahu, të Cilit i përket gjithçka që ndodhet në qiej dhe në Tokë! I lavdëruar qoftë Ai edhe në jetën tjetër! Ai është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.
Ai di çfarë hyn në tokë dhe çfarë del prej saj, çfarë zbret nga qielli dhe çfarë ngrihet drejt tij. Ai është Mëshirëploti dhe Falësi.
Jobesimtarët thonë: “Nuk do të na vijë Ora (e Kiametit)”! Thuaju: “Po, për Zotin tim! Me siguri që ajo do t’ju vijë”! Ai i di të gjitha të fshehtat. Atij nuk mund t’i fshihet asnjë grimë as në qiej, as në Tokë e nuk ka asgjë më të vogël apo më të madhe se ajo, që të mos jetë shënuar në Librin e qartë.
(Kiameti do t’ju vijë) me qëllim që Ai të shpërblejë ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira. Për njerëz të tillë do të ketë falje dhe begati të mrekullueshme.
Ndërsa për ata që luftojnë kundër shpalljeve Tona, duke u përpjekur që t’i pengojnë ato, do të ketë dënim të tmerrshëm dhe të dhembshëm.
Ata, të cilëve u është dhënë dituria, e shohin se ajo, që të është zbritur ty nga Zoti yt, është e vërteta, e cila të udhëzon në rrugën e të Plotfuqishmit dhe të Denjit për çdo lavd.

SEBE, (34:48-49) Zoti shpallë Vërtetën

Thuaj: “Pa dyshim, Zoti im shpall të Vërtetën. Ai është i Gjithëdijshëm për të gjitha të fshehtat.”
Thuaj: “E vërteta erdhi, kurse e pavërteta është fshirë e nuk mund të shfaqet përsëri.”

FATIR, (35:1-3) Engjëjt të dërguar me nga dy, tre dhe katër krahë.

Lavdërimi qoftë për Allahun, krijuesin e qiejve dhe Tokës, i Cili i ka bërë engjëjt të dërguar me nga dy, tre dhe katër krahë. Ai shton në krijim çfarë të dojë. Allahu, me të vërtetë, është i pushtetshëm për çdo gjë.
Begatitë, që Allahu ua jep njerëzve nga mëshira e Tij, nuk mund t’i pengojë askush, ndërsa atë, që Ai e pengon, askush nuk mund ta japë veç Tij; Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.
O njerëz! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju! A ka ndonjë krijues, veç Allahut, i cili ju furnizon nga qielli dhe Toka? S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij. Atëherë, si po largoheni ju?

FATIR, (35:10) Tek Ai ngjiten fjalët e bukura

Kush dëshiron lavdi e pushtet, ta dijë se e gjithë lavdia e pushteti i takojnë Allahut. Tek Ai ngjiten fjalët e bukura, ndërsa veprën e mirë Ai e ngre Vetë. Sa i përket atyre që kurdisin të këqija, ata do të kenë dënim të rëndë dhe dredhitë e tyre do të dështojnë.

FATIR, (35:11-14) Asnjë femër nuk mbetet shtatzënë pa dijeninë e Tij

Allahu ju ka krijuar së pari prej dheut (Ademin), pastaj (pasardhësit e tij i ka krijuar) nga pika e farës dhe më në fund ju ka bërë çifte. Dhe asnjë femër nuk mbetet shtatzënë e as nuk lind pa dijeninë e Tij. Jeta e askujt nuk zgjatet e as nuk shkurtohet pa qenë e shënuar në Libër. Me të vërtetë, kjo për Allahun është e lehtë!
Edhe dy detet (llojet e ujit) nuk janë të njëjta: njëri është i ëmbël e i këndshëm dhe uji i pihet me shije, kurse tjetri është i njelmët dhe i hidhët. Ju ushqeheni me mish të njomë prej të dyve dhe prej tyre nxirrni stolitë që mbani. Shikoni anijet si çajnë ujin, ndërsa ju lundroni me to për të kërkuar nga dhuntitë e Tij. Ndoshta ju bëheni falënderues.
Ai e bën natën të kalojë në ditë dhe ditën të kalojë në natë. Ai i ka nënshtruar Diellin dhe Hënën, kështu që secili lëviz për një kohë të caktuar. Ky është Allahu, Zoti juaj. Pushteti është i Tij! Kurse ata që ju i adhuroni krahas Tij, nuk zotërojnë as sa cipa e bërthamës së hurmës.
Nëse ju u luteni atyre, ata nuk e dëgjojnë lutjen tuaj, por edhe sikur ta dëgjonin, nuk do t’ju përgjigjeshin. Në Ditën e Kiametit, ata do ta mohojnë adhurimin që u bënit atyre. Askush nuk mund të të njoftojë ty (o Muhamed) ashtu si Ai që është i Gjithëdijshëm.

FATIR, (35:18-22) Asnjë shpirt i ngarkuar nuk do të mbartë barrën e tjetrit

Asnjë shpirt i ngarkuar nuk do të mbartë barrën e tjetrit. Nëse i ngarkuari rëndë thërret dikë që t’ia mbartë, nuk do t’i merret asgjë nga barra, edhe sikur të jetë i afërt. Në të vërtetë, ti paralajmëron vetëm ata që kujdesen ndaj Zotit të tyre në fshehtësi dhe që falin namazin. Kush e pastron veten (nga gjynahet), në të vërtetë e ka për dobinë e vet, ndërsa kthimi është tek Allahu.
Nuk janë, kurrsesi, njësoj i verbëri dhe ai që sheh,
as errësira dhe drita,
as freskia (e hijes) dhe vapa.
Po ashtu, nuk janë kurrë të barabartë të gjallët dhe të vdekurit. Allahu bën të dëgjojë kë të dojë Vetë, kurse ti (Muhamed) nuk mund të bësh të dëgjojnë ata që janë në varre.

FATIR, (35:23-24) Vetëm paralajmrues

Ti je vetëm paralajmërues.
Ne të kemi dërguar ty me të Vërtetën, për të sjellë lajme të mira dhe për të paralajmëruar; nuk ka pasur asnjë popull që të mos i ketë ardhur paralajmërues.

FATIR, (35:29-32) Ata që lexojnë Librin

Pa dyshim, ata që lexojnë Librin e Allahut, ngriten në falje (ndërgjegjje) dhe japin fshehtazi apo haptazi nga ajo që Ne u kemi dhënë, mund të shpresojnë në një fitim që nuk do të humbasë.
Allahu do t’ua plotësojë atyre shpërblimin dhe do t’ua shtojë nga dhuntitë e Tij. Me të vërtetë, Ai është Falës dhe Falënderues.
Ajo që ta kemi shpallur ty në Libër, është e vërteta e cila konfirmon atë që është shpallur para tij. Sigurisht që Allahu i njeh dhe i sheh mirë robërit e Vet.
Pastaj, Ne ua dhamë Librin robërve Tanë të zgjedhur (nga ndjekësit e Muhamedit a.s.). Disa prej tyre i bëjnë dëm vetes (duke bërë vepra të ndaluara), disa janë në rrugë të mesme (duke kryer detyrimet dhe duke shmangur të ndaluarat), ndërsa disa, me lejen e Allahut, shkojnë përpara me të mira (përtej detyrimeve); kjo është dhuntia e madhe.

FATIR, (35:38-39) Ai, ju ka bërë zëvendësa (halife) në Tokë

Vërtet, Allahu e njeh të fshehtën e qiejve e të Tokës dhe e di mirë ç’ka në zemrat e njerëzve.
Është Ai, që ju ka bërë zëvendësa (halife) në Tokë. Kush nuk beson, do të mbajë barrën e mohimit të vet. Mosbesimi u shton jobesimtarëve vetëm urrejtje para Zotit të tyre; mosbesimi u sjell atyre vetëm humbje.

FATIR, (35:41) Allahu mban ekuilibrin e qiejve dhe të Tokës

Me të vërtetë, Allahu mban ekuilibrin e qiejve dhe të Tokës, që të mos shkatërrohen. Kur ato nisin të shkatërrohen, askush nuk mund t’i mbrojë, pos Tij. Me të vërtetë, Ai është i Butë dhe Falës (i gjynaheve).

JASIN, (36:1-12) Ne do t’u vëmë në qafë vargonj

Jâ Sîn.
Për Kuranin plot urtësi!
Në të vërtetë, ti (Muhamed) je një nga të dërguarit
në rrugë të drejtë
me Shpalljen e të Plotfuqishmit, Mëshirëplotit,
që të paralajmërosh një popull, paraardhësit e të cilit nuk ishin të paralajmëruar, prandaj këta janë të pakujdesshëm.
Shumica e tyre meritojnë dënimin Tonë, se ata nuk besojnë.
Ne do t’u vëmë në qafë vargonj, të cilët do t’u arrijnë deri në mjekër, e kështu do të jenë si të mpirë.
Ne kemi vënë pengesë para tyre dhe pas tyre e i kemi mbuluar, kështu që ata nuk shohin.
Për ata është njëlloj, i paralajmërove apo nuk i paralajmërove, ata nuk besojnë.
Në të vërtetë, paralajmërimi yt i sjell dobi vetëm atij që ndjek Këshillën (Kuranin) dhe i kujdeset ndaj Gjithëmëshirshmit, edhe pa e parë Atë. Këtij jepi lajmin e mirë për falje gjynahesh dhe shpërblim bujar!
Sigurisht, Ne i ringjallim të vdekurit dhe shënojmë veprat që kanë bërë dhe gjurmët e (punëve të) tyre. Ne e kemi llogaritur çdo gjë në një Libër të qartë.

JASIN, (36:82-83) Kur Ai dëshiron diçka, është që t’i thotë asaj “Bëhu!” - dhe ajo bëhet.

Vërtet, urdhri i Tij, kur Ai dëshiron diçka, është që t’i thotë asaj “Bëhu!” – dhe ajo bëhet.
Prandaj, qoftë lartësuar Ai, në Dorën e të Cilit është pushteti mbi çdo gjë! Tek Ai do të ktheheni!

SAFAT. (37:1-6) Zoti juaj është Një

Betohem në ata (engjëj) që janë të radhitur
dhe në ata që pengojnë (të keqen)
dhe në ata që e lexojnë Kuranin,
se, në të vërtetë, Zoti juaj është Një,
Zot i qiejve dhe i Tokës dhe çfarë gjendet mes tyre dhe Zot i lindjeve (të diellit)!
Ne e kemi stolisur qiellin e kësaj bote me shkëlqimin e yjeve,

SAFAT. (37:40-50) Kopshtet e lumturisë

Kurse robërit e sinqertë të Allahut,
do të kenë mirësi të caktuara dhe
fruta të ndryshme e do të jenë të respektuar,
në kopshtet e lumturisë,
në kolltuqe, përballë njëri-tjetrit.
Aty do t’u shërbehet një gotë e mbushur nga një burimi i rrjedhshëm,
(me pije) të bardhë e të shijshme për ata që do ta pinë.
Prej saj as nuk do të trullosen dhe as nuk do të dehen.
Pranë tyre do të jenë gra me shikim të ulur e sy të bukur
sikur të ishin vezë të ruajtura mirë.
Ata do t’i qasen njëri-tjetrit e do të bisedojnë.

SAFAT. (37:100-111) Ibrahimi dhe Ismaili, flijimi i nefsi hajvanit

“O Zoti im, dhuromë një fëmijë prej të mirëve!”
Dhe Ne i dhamë lajmin e gëzuar për një djalë të mbarë!
Kur fëmija u rrit aq sa ta ndihmonte në punë, Ibrahimi i tha: “O djali im, kam parë ëndërr se duhet të të flijoj. Çfarë mendon ti?” – I biri i tha: “O ati im, vepro ashtu siç je urdhëruar! Dashtë Allahu, unë do të jem i durueshëm!”
Pasi iu nënshtruan që të dy urdhrit, (Ibrahimi) e vuri (Ismailin) me ballë përtokë.
Ne e thirrëm: “O Ibrahim,
ti e përmbushe ëndrrën.” Vërtet, Ne kështu i shpërblejmë punëmirët!
Kjo, me të vërtetë ka qenë një sprovë e qartë!
Dhe Ne e zëvendësuam atë (flijimin e Ismailit) me një kurban të madh (flijimin e nefsit emare),
dhe i lamë atij (Ibrahimit) kujtim të mirë në brezat e mëvonshëm.
“Paqja qoftë mbi Ibrahimin!”
Ja, kështu, Ne i shpërblejmë punëmirët.
Ai ka qenë vërtet një nga robërit Tanë besimtarë.

SAD, (38:27-29) Kurani për të përsiatur

Ne nuk e kemi krijuar kot qiellin, Tokën dhe çfarë ndodhet midis tyre. Kjo është hamendja e jobesimtarëve; prandaj mjerë jobesimtarët kur të hidhen në zjarr!
A t’i trajtojmë njëlloj ata që besojnë e bëjnë vepra të mira dhe turbulluesit në Tokë?! A t’i trajtojmë njëlloj njerëzit e devotshëm dhe njerëzit e mbrapshtë?!
Ky (Kuran) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët.

SAD, (38:49-55) Shoqëruese, muza inspiruese me shikim modest

Ky është një përkujtim. Vërtet, për njerëzit që ruhen nga gjynahet, ka kthim të mirë (në botën tjetër):
në kopshtet e Adnit, dyert e të cilit janë të hapura për ta.
Aty do të prehen e do të kënaqen me pemë dhe pije të llojllojshme.
Pranë tyre do të ketë shoqëruese (muza inspiruese) me shikim të modest.
Kjo ju është premtuar për Ditën e Llogarisë.
Këto janë, njëmend, begatitë Tona që nuk kanë të sosur!
Kjo është kështu (për besimtarët). Kurse për njerëzit e pabindur, do të ketë vërtet një kthim të keq

SAD, (38:59-61) Pasuesit qafir të zemruar me prirësit të vet

Ne do t’u themi prijësve të jobesimtarëve: “Ky është një grumbull bashkë me ju. Nuk ka mirëseardhje për ta. Me siguri që ata do të digjen në zjarr!”
Pasuesit jobesimtarë do t’u thonë prijësve të tyre: “Ah, ju mos paçit çlirim e as qetësi! Ju na keni sjellë në këtë gjendje! Eh, sa strehim i keq është ky!”
Pastaj ata do të thonë: “O Zoti ynë! Atyre që na e përgatitën këtë neve, dyfishojua dënimin në Zjarr!”

SAD, (38:65-85) Krijimi i Ademit, debati në Ezel, Iblisi i mallkuar

Thuaj (o Muhamed): “Në të vërtetë, unë jam vetëm paralajmërues. Nuk ka zot tjetër të vërtetë përveç Allahut, të Vetmit, Ngadhënjimtarit,
Zotit të qiejve e të Tokës dhe të gjithçkaje që gjendet midis tyre, të Plotëfuqishmit, Falësit të Madh”.
Thuaj: “Ky (Kuran) është një mesazh i madh,
e megjithatë ju nuk po ia vini veshin atij.
Unë nuk kam pasur asnjë dijeni për Grupin më të Lartë, kur diskutonin mes tyre (për krijimin e Ademit).
Mua më është shpallur se jam vetëm paralajmërues i qartë.”
Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një njeri prej balte.
Kur t’i jap trajtë dhe t’i fryj prej shpirtit Tim, përuljuni në sexhde atij!”,
të gjithë engjëjt së bashku u përulën në sexhde,
përveç Iblisit; ai u bë mendjemadh e një nga mohuesit.
Zoti tha: “O Iblis, ç’të pengoi ty që të mos përuleshe në sexhde para atij që e kam krijuar Vetë me duart e Mia? A mos u bëre mendjemadh apo mendon se je nga të lartët?”
Iblisi tha: “Unë jam më i mirë se ai. Mua më ke krijuar prej zjarrit, kurse atë prej balte”.
Allahu tha: “Atëherë dil prej Xhenetit! Me të vërtetë, ti je i mallkuar dhe mallkimi Im do të jetë mbi ty deri në Ditën e Gjykimit”.
Ai tha: “O Zoti im, më jep afat deri në ditën kur do të ringjallen ata!”
Zoti tha: “Në të vërtetë, ty do të të jepet afat
deri në një ditë të caktuar (kur i fryhet Surit për herë të parë)”.
Ai tha: “Betohem në madhërinë Tënde se unë do t’i mashtroj ata të gjithë,
përveç robërve të Tu të sinqertë!”
Zoti tha: “E vërteta është – dhe Unë them vetëm të vërtetën
se, do ta mbush Xhehenemin me ty dhe me të gjithë ata që të pasojnë ty”!

ZUMER, (39:5-7) Ai ju krijon në barqet e nënave tuaja, fazë pas faze në një errësirë të trefishtë

Ai i ka krijuar qiejt dhe Tokën për të shpallur të Vërtetën. Ai e bën natën të kalojë në ditë dhe ditën në natë, Ai e ka nënshtruar Diellin dhe Hënën. Të gjitha lëvizin për një kohë të caktuar. Vërtet, Ai është i Plotfuqishëm dhe Falës i Madh!
Ai ju krijoi prej një njeriu të vetëm; pastaj, prej tij krijoi shoqen e tij. Ai ka krijuar për ju tetë çifte bagëtish . Ai ju krijon në barqet e nënave tuaja, fazë pas faze në një errësirë të trefishtë. Ky është Allahu – Zoti juaj; Atij i përket i tërë pushteti; nuk ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij. Atëherë, si është e mundur që largoheni prej Tij?!
Nëse ju e mohoni Atë, dijeni se Allahu është vërtet i pavarur prej jush. Megjithatë, Ai nuk është i kënaqur me mosmirënjohjen e robërve të Tij, por kënaqet me ju, nëse e falënderoni. Asnjë gjynahqar nuk do t’i mbartë gjynahet e tjetrit. Pastaj, do të ktheheni te Zoti juaj e Ai do t’ju njoftojë për atë që keni bërë, sepse Ai e di vërtet se ç’keni në zemrat tuaja.

ZUMER, (39:9-15) Unë jam urdhëruar që ta adhuroj Allahun me përkushtim të sinqertë

A mund të krahasohet ai që falet natën, duke bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë e që ruhet prej jetës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të tij (me jobesimtarin)?! Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?! Vetëm mendarët i pranojnë këshillat!”
Thuaj: “O robër besimtarë (të Allahut), kujdesuni ndaj Zotit tuaj! Ata që bëjnë mirë në këtë jetë, do të kenë të mira. Toka e Allahut është e gjerë. Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë”.
Thuaj: “Unë jam urdhëruar që ta adhuroj Allahun me përkushtim të sinqertë.
Unë jam urdhëruar të jem i pari nga ata që i nënshtrohen Atij.”
Thuaj: “Unë i trembem vërtet dënimit të Ditës së madhe, nëse nuk i bindem Zotit tim”.
Thuaj: “Vetëm Allahun e adhuroj me besimin tim të plotë e të sinqertë,
kurse ju adhuroni kë të doni në vend të Tij!” Thuaj: “Të humburit e vërtetë janë ata që do të humbin veten dhe familjen e tyre në Ditën e Kiametit. Ja, kjo është humbja e qartë”!

ZUMER, (39:23) Allahu ka shpallur Fjalën më të bukur (Kuranin) në formën e një libri, pjesët e të cilit i ngjasojnë njëra-tjetrës dhe përsëriten. Prej tij u rrëqethet lëkura...

Allahu ka shpallur Fjalën më të bukur (Kuranin) në formën e një libri, pjesët e të cilit i ngjasojnë njëra-tjetrës dhe përsëriten. Prej tij u rrëqethet lëkura atyre që i kujdesen ndaj Zotit të tyre e, mandej qetësohen lëkura dhe zemrat e tyre, kur përmendet Allahu. Ky Libër është udhëzim i Allahut. Nëpërmjet tij Allahu udhëzon kë të dojë. Ndërsa atë që Allahu e shpie në humbje, s’mund ta udhëzojë kush.

ZUMER, (39:42) Allahu ua merr shpirtrat

Allahu ua merr shpirtrat atyre që u ka ardhur çasti i vdekjes dhe atyre që nuk kanë vdekur, por që janë në gjumë. Pastaj Ai ndal shpirtin e atij që i është caktuar vdekja, ndërsa të tjerëve ua lë deri në një kohë të caktuar. Me të vërtetë, këto janë shenja për njerëzit që mendojnë.

ZUMER, (39:53-56) Pendohuni, Allahu falë

Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.
Kthehuni tek Zoti juaj dhe nënshtrojuni Atij, para se t’ju vijë dënimi, sepse atëherë nuk do të mund t’ju ndihmojë kush.
Ndiqni më të mirën e asaj që ju është shpallur nga Zoti juaj, para se t’ju vijë dënimi papritmas, pa e ndier atë,
që të mos thotë njeriu: “Mjerë për mua që nuk i kam kryer detyrimet ndaj Allahut, madje, edhe jam tallur!”

ZUMER, (39:62-63) Krijuesi, Mbikëqyrësi, Të Tij janë çelësat...

Allahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe Ai është Mbikëqyrës i çdo gjëje.
Të Tij janë çelësat e qiejve e të Tokës! Sa për ata që i mohojnë shpalljet e Allahut, ata janë të humbur!

ZUMER, (39:68-75) Fryerja në Sur

Kur do t’i fryhet Surit, do të vdesin të gjithë ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, përveç atyre që do Allahu; pastaj do të fryhet për të dytën herë në Sur dhe ata përnjëherë do të ngjallen e do të presin.
Dhe Toka do të shndrisë me dritën e Zotit të vet dhe do të vendoset Libri (i veprave). Pastaj do të sillen profetët dhe dëshmitarët e ata do të gjykohen me drejtësi, e nuk do t’u bëhet asnjë padrejtësi.
Secilit do t’i jepet shpërblimi për atë që ka bërë, sepse Ai e di më së miri se çfarë kanë punuar.
Jobesimtarët do të shtyhen grupe-grupe në Xhehenem dhe, kur të arrijnë atje, do të hapen dyert e tij dhe rojtarët do t’u thonë atyre: “A nuk ju kanë ardhur të dërguar midis jush, të cilët ju lexonin shpalljen e Zotit tuaj e ju tërhiqnin vërejtjen për takimin e kësaj dite?!” Mohuesit do të thonë: “Po, është e vërtetë!” E kështu përmbushet fjala e Allahut për dënimin e mohuesve.
Atyre u thuhet: “Hyni në portat e Xhehenemit, ku do të qëndroni gjithmonë!” Sa vend i shëmtuar që është ai për mendjemëdhenjtë!
Ndërsa ata që i janë frikësuar Zotit të tyre, do të çohen grupe-grupe në Xhenet. Kur t’i afrohen atij, dyert e tij do të hapen e rojtarët e tij do t’u thonë atyre: “Shpëtimi qoftë mbi ju! Ju keni qenë njerëz të mirë, andaj hyni në të dhe qëndroni përgjithmonë!”
Ata do të thonë: “Lavdi Allahut, që përmbushi premtimin e Vet e na dha në trashëgim Xhenetin, ku të vendosemi si të duam!” Sa i mrekullueshëm është shpërblimi i atyre që kanë punuar drejt!
Do t’i shohësh engjëjt të tubuar rreth Fronit, duke lavdëruar me falënderim Zotin e tyre. Njerëzimi do të gjykohet me drejtësi dhe të gjithë do të thonë: “Falënderimi qoftë për Allahun, Zotin e botëve!”

GAFIR, (40:2-3) Falësi i gjynaheve

Shpallja e këtij Libri është prej Allahut, të Plotfuqishmit dhe të Gjithëdijshmit,
Falësi të gjynaheve, Pranuesi i pendimit, Ai që dënon ashpër, Zotëruesit të të mirave, nuk ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij dhe tek Ai do të kthehen të gjithë.

GAFIR, (40:7-10) Engjëj, që e mbajnë Fronin

Ata (engjëj), që e mbajnë Fronin dhe ata që janë rreth tij, e madhërojnë Zotin e tyre me falënderim dhe i besojnë Atij. Ata lypin falje për besimtarët, duke thënë: “O Zoti ynë, Ti përfshin çdo gjë me mëshirën dhe dijeninë Tënde, prandaj fali ata që janë penduar e që ndjekin rrugën Tënde dhe ruaji ata prej dënimit të Zjarrit flakërues!
O Zoti ynë, shpjeri ata në kopshtet e Adnit, të cilat ua ke premtuar, së bashku me të devotshmit prej prindërve të tyre, bashkëshorteve të tyre dhe pasardhësve të tyre! Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti.
Dhe shpëtoji ata nga e keqja! Atë që Ti e shpëton nga e keqja atë Ditë, Ti e ke mëshiruar; e ky, me të vërtetë, është shpëtimi i madh!”
Atyre që kanë mohuar, do t’u thuhet: “Urrejtja e Allahut ndaj jush është më e madhe se urrejtja juaj ndaj vetvetes, kur jeni thirrur në besim, por keni mohuar.”

GAFIR, (40:15-20) Ai gjykon me drejtësi

Ai është zotërues i cilësive më të larta dhe Zoti i Fronit. Ai e dërgon Shpalljen me urdhrin e Tij tek ata, që ka zgjedhur prej robërve të Vet, për t’i paralajmëruar për Ditën e Takimit me Atë;
për Ditën, kur ata do të paraqiten të zbuluar, kur asgjë e tyre nuk do të jetë e fshehtë për Allahun. Kujt i përket pushteti i asaj dite? Allahut, të Vetmit, Ngadhënjimtarit!
Atë ditë, çdo njeri do të shpërblehet sipas asaj që ka punuar; atë ditë nuk ka padrejtësi! Allahu, me të vërtetë, është i shpejtë në llogari.
Paralajmëroji ata për Ditën e afërt të Gjykimit, kur zemrat do t’u vijnë deri në fyt prej pikëllimit. Për njerëzit e këqinj nuk ka asnjë mik të afërt dhe as ndërmjetësues të pranueshëm.
Allahu e di shikimin e përvjedhur të syrit dhe atë që fsheh zemra.
Ai gjykon me drejtësi, ndërsa idhujt të cilëve u luten, përveç Tij, nuk gjykojnë asgjë. Vërtet, Allahu dëgjon dhe sheh çdo gjë.

GAFIR, (40:56-59) Ata që polemizojnë

Ata që polemizojnë për shpalljet e Allahut, pa pasur kurrfarë prove, kanë në zemrat e tyre vetëm mendjemadhësi, e cila nuk do t’i shpjerë në qëllimin e tyre. Prandaj kërko mbrojtje prej Allahut! Me të vërtetë, Ai i dëgjon të gjitha dhe i sheh të gjitha.
Krijimi i qiejve dhe i Tokës është më i madh se krijimi i njerëzve, por shumica e njerëzve nuk e di.
Nuk janë njësoj i verbëri dhe ai që sheh; as ai që beson e bën vepra të mira nuk është i barabartë me atë që bën keq. Sa pak që mendoni!
Sigurisht që Ora (e Kiametit) do të vijë! Për këtë s’ka dyshim, por shumica e njerëzve nuk besojnë.

GAFIR, (40:60) Thirrëmni.... Përgjigjem

Zoti juaj ka thënë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem! Me të vërtetë, ata që tregohen mendjemëdhenj e nuk duan të Më adhurojnë, do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar”!

GAFIR, (40:62-65) Si largoheni...?!

Ja, ky është Allahu, Zoti juaj, Krijues i gjithçkaje. S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij. Atëherë, si largoheni prej Tij?!
Kështu largohen ata që i mohojnë shenjat e Allahut.
Allahu është Ai që jua ka bërë Tokën vendbanim e qiellin kulm, ju ka dhënë formë e jua ka përsosur atë dhe ju ka furnizuar me ushqime të mira. Ja, ky është Allahu, Zoti juaj. Qoftë i lartësuar Allahu, Zoti i botëve!
Ai është i Përjetshmi, s’ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij. Prandaj lutjuni vetëm Atij, duke iu drejtuar me adhurim të sinqertë. Qoftë i lavdëruar Allahu, Zoti i botëve!

GAFIR, (40:66-76) Hyni në dyert e Xhehenemit

Thuaj (o Muhamed!): “Mua më është ndaluar të adhuroj atë që adhuroni ju, përpos Allahut, pasi më kanë ardhur prova të qarta prej Zotit tim e më është urdhëruar që t’i nështrohem Zotit të botëve”.
Është Ai që ju ka krijuar prej dheut, pastaj prej pikës së farës e pastaj prej droçkës së gjakut. Ai ju bën që të lindni si foshnje, pastaj të arrini moshën e pjekurisë e pastaj të bëheni pleq (ndonëse disa prej jush vdesin më herët), me qëllim që të plotësoni afatin që ju është caktuar të jetoni dhe që të arrini të kuptoni.
Është Ai që ka në dorë jetën dhe vdekjen. Kur Ai vendos diçka, vetëm thotë për të: “Bëhu!” dhe ajo menjëherë bëhet.
A i sheh ata që polemizojnë për shpalljet e Allahut, se si largohen nga rruga e drejtë?
Ata që kanë mohuar Librin dhe mesazhet që i kemi sjellë me të dërguarit Tanë, do ta marrin vesh të vërtetën,
kur t’u vihen vargoj në qafë dhe të sillen me zinxhirë
në ujë të valë e pastaj të digjen në zjarr.
Pastaj atyre do t’u thuhet: “Ku janë ata që i adhuronit,
në vend Allahut?” Ata do të përgjigjen: “Na kanë braktisur. Vërtet, ne nuk paskemi adhuruar asgjë më parë!” Ja, kështu Allahu i shpie mohuesit në humbje.
Ky dënim është për shkak se gëzoheshit në tokë, pa kurrfarë të drejte dhe ngaqë keni qenë të ndërkryer.
Hyni në dyert e Xhehenemit për të qëndruar përherë në të! Sa i shëmtuar që është vendbanimi i mendjemëdhenjve!

GAFIR, (40:77-78) Edhe para teje (o Muhamed) Ne kemi nisur të dërguar

Andaj, bëhu i durueshëm, se premtimi i Allahut, me siguri që do të përmbushet. E, nëse të tregojmë ty (o Muhamed) diçka nga dënimi që u kemi premtuar atyre apo nëse të lëmë të vdesësh para kësaj, ata te Ne do të kthehen gjithsesi.
Edhe para teje (o Muhamed) Ne kemi nisur të dërguar, për disa prej të cilëve të kemi treguar ty e për disa të tjerë nuk të kemi treguar. Asnjë i dërguar nuk mund të sjellë ndonjë mrekulli, veçse me lejen e Allahut. Dhe kur të vijë urdhri i Allahut, do të gjykohet me drejtësi e atëherë, jobesimtarët kokëfortë do të shkatërrohen.

FUSILET, (41:2-8) Mjer ata

Kjo është Shpallje prej të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.
Ky është një Libër, vargjet e të cilit janë shtjelluar qartë, një Kuran në gjuhën arabe, për njerëzit me dije.
Ai sjell lajme të mira dhe paralajmërime, por shumica e njerëzve ia kthejnë shpinën dhe largohen pa e dëgjuar.
Ata thonë: “Ajo për të cilën ti na thërret, nuk i arrin zemrat tona, sepse ato janë të mbrojtura mirë. Veshët tanë janë të shurdhër e midis nesh e teje ka perde. Prandaj ti vepro si të duash, se edhe ne kështu do të veprojmë”.
Thuaj (o Muhamed!): “Në të vërtetë, unë jam vetëm një njeri si ju. Mua më është shpallur që Zoti juaj është një Zot i Vetëm, andaj ecni në rrugën e drejtë që të çon tek Ai dhe kërkoni falje prej Tij! Mjerë ata të cilët i shoqërojnë Atij zota të tjerë,
e të cilët nuk japin zeqatin dhe nuk besojnë në jetën tjetër!
Ndërsa ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, sigurisht që do të kenë shpërblim të pandërprerë.”

FUSILET, (41:9-12) Krijimi i tokës dy ditë, krijimi i shtatë qiejve për dy ditë

Thuaj: “Vallë, a me të vërtetë ju e mohoni Atë, i cili e ka krijuar Tokën në dy ditë dhe sajoni zota të barabartë me Atë?!” Ai është Zoti i botëve!
Ai krijoi në Tokë male të palëvizshme që ngrihen lart, e bekoi atë dhe përcaktoi në të furnizimin (për banorët) e saj me masë për katër ditë; ky është shpjegimi për të gjithë ata që pyesin.
Pastaj Ai iu kthye qiellit, që ishte në gjendje mjegullire e i tha atij dhe Tokës: “Ejani të dy me hir a me pahir!”. Ata u përgjigjën: “Erdhëm me gjithë dëshirë e të bindur!”
Ai krijoi shtatë qiej në dy ditë dhe çdo qielli i caktoi detyrat e tij. Qiellin më të afërm Ne e zbukuruam me yje të shkëlqyer dhe i vumë roja. Ky është urdhri i të Plotfuqishmit dhe të Gjithëdijshmit.

FUSILET, (41:33-35) Të keqen ktheje me të mirë

E kush flet më bukur se ai që i fton njerëzit drejt Allahut, bën vepra të mira dhe thotë: “Unë, me të vërtetë jam mysliman.”
Nuk barazohet e mira me të keqen! Të keqen ktheje me të mirë e atëherë armiku yt do të të bëhet menjëherë mik i ngushtë.
Ky virtyt u dhurohet vetëm atyre që durojnë dhe vetëm atyre që kanë një fat të madh.

FUSILET, (41:40-43) Aasgjë, përpos asaj që u është thënë të dërguarve para teje

Ata që i shtrembërojnë shpalljet Tona, nuk mund të Na fshihen. Si mendoni, a është më i mirë ai që do të hidhet në zjarr apo ai që në Ditën e Kiametit do të vijë i sigurt? Bëni ç’të doni, se Ai i sheh të gjitha çfarë punoni ju.
Ata që e mohojnë Fjalën Tonë përkujtuese , kur u vjen, do të dënohen rëndë. Ai është vërtet një Libër i madhërueshëm.
Atij nuk mund t’i afrohet gënjeshtra nga asnjëra anë. Kjo është shpallje prej një të Urti që meriton të gjitha lavdet.
Nuk të thuhet ty (o Muhamed) asgjë, përpos asaj që u është thënë të dërguarve para teje. Në të vërtetë, Zoti yt fal shumë, por edhe dënon ashpër.

FUSILET, (41:53-54) Ne do t’u tregojmë atyre shenjat Tona në hapësirat tokësore e qiellore, si dhe në vetvete

Ne do t’u tregojmë atyre shenjat Tona në hapësirat tokësore e qiellore, si dhe në vetvete, derisa t’u bëhet plotësisht e qartë se ai (Kurani) është e vërteta. Vallë, a nuk të mjafton ty që, Zoti yt është Dëshmues i çdo gjëje?!
Vërtet, ata dyshojnë në takimin me Zotin e tyre, por le ta dinë se Ai ka nën kontroll çdo gjë.

SHURA, (42:7-8) Shpallja në gjuhen arabe

Dhe kështu pra, Ne të kemi shpallur ty një Kuran në gjuhën arabe, për të paralajmëruar Nënën e Qyteteve (Meka) dhe për rreth saj; për t’i paralajmëruar ata për Ditën, e cila do të vijë me siguri: kur të gjithë njerëzit do të tubohen, disa në Kopshte (Xhenet) e disa në Zjarr përcllues.
Sikur të donte Allahu, do t’i kishte bërë të gjithë të një besimi, por Ai pranon në mëshirën e Vet kë të dojë, kurse mohuesit nuk kanë as mbrojtës, as ndihmës.

SHURA, (42:13) Allahu shpalli një Fe

Ai ka urdhëruar për ju fenë të cilën e pati urdhëruar për Nuhun, dhe ato çka të është shpallë ty (Muhamed), dhe çka ju urdhërua Ibrahimit, Musait dhe Isait, duke thënë: “Ngrituni në Fe dhe mos u përçani në të!” Por për idhujtarët është e rëndë ajo në të cilën po i fton ti. Allahu zgjedh për Vetën kë të dojë Ai, dhe udhëzon kah Vetja atë që pendohet.

SHURA, (42:51) Allahu pas perdes …

Asnjë njeriu nuk i është dhënë t’i flasë Allahu, përveçse me anë të Frymëzimit ose pas perdes, ose shpallje me anën e një Kumtuesi (Engjëlli),që melejen e Tij shpallë vullnetin e Tij. Ai, me të vërtetë, është i Lartë dhe i Urtë!

ZUKHRUF, (43:36-37) Ne do t’ia caktojmë djallin shok

Atij që shmanget nga Këshilla e të Gjithëmëshirshmit (Kurani), Ne do t’ia caktojmë një djall, që do t’i bëhet shok i pandashëm.
Në të vërtetë, djajtë i shmangin jobesimtarët nga rruga e drejtë, ndonëse ata mendojnë se janë të udhëzuar drejt.

ZUKHRUF, (43:78) Ju kemi sjellë të Vërtetën

Tashmë, Ne ju kemi sjellë të Vërtetën, por shumica prej jush e urren të Vërtetën.

ZUKHRUF, (43:69-73) Hyni në Xhenet të gëzuar, ju dhe bashkëshortet tuaja

Ju që keni besuar shpalljet Tona dhe keni qenë myslimanë,
hyni në Xhenet të gëzuar, ju dhe bashkëshortet tuaja,
ku do t’ju shërbehet me pjata dhe gota prej ari. Aty do të ketë çfarë t’ju dojë shpirti dhe gjithçka që ta kënaq syrin dhe atje do të qëndroni përgjithmonë.
Ja, ky është Xheneti që ju është dhënë në trashëgim për atë që keni bërë.
Aty do të keni fruta të shumëllojshme, prej të cilave do të hani.”

DUHAN, (44:2-9) Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar

Betohem në Librin e qartë!
Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar . Vërtet, Ne gjithmonë kemi qenë paralajmërues.
Në atë (natë të zbritjes së Kuranit) vendoset çdo punë e urtë, me urdhrin Tonë! Ne gjithmonë kemi nisur të dërguar, si mëshirë prej Zotit tënd. Me të vërtetë, Ai i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha.
Ai është Zoti i qiejve, i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet midis tyre, nëse besoni me bindje.
S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Atij. Ai e jep jetën dhe e shkakton vdekjen. Ai është Zoti juaj dhe Zoti i të parëve tuaj të lashtë!
Por ata argëtohen duke dyshuar!?

DUHAN, (44:51-56) Xheneti dhe bashkimi me muza (hyrie)

Punëdrejtët, me të vërtetë, do të jenë në vend të sigurt,
midis kopshteve dhe burimeve, të veshur në petka mëndafshi të hollë dhe armaç, të ulur përballë njëri-tjetrit.
Po, kështu do të jetë, dhe Ne do t’i bashkojmë (martojmë) me hyri (muza, qenie inspirative) sybukura.
Aty do të kërkojnë çfarëdo frutash që të dëshirojnë e do të jenë të sigurt.
Atje nuk do ta provojnë më vdekjen, përveç vdekjes së parë dhe Ai do t’i shpëtojë prej dënimit të zjarrit flakërues.

XHATHIJE, (45:2-9) Në çfarë fjalësh të tjera do të besojnë ata, nëse mohojnë Allahun dhe shenjat e Tij?!. Mjerë gjynahqari gënjeshtar!

Ky Libër është shpallur prej Allahut, të Plotfuqishmit dhe të Urtit!
Me të vërtetë, në qiej dhe në Tokë ka shenja për ata që besojnë.
Edhe në krijimin tuaj dhe të kafshëve të shpërndara nëpër Tokë, ka shenja për besimtarët e bindur.
Edhe në ndërrimin e natës dhe të ditës, edhe në ujin që Allahu e zbret nga qielli, duke gjallëruar nëpërmjet tij tokën e shkretuar, edhe në ndërrimin e erërave, ka shenja për njerëzit që mendojnë.
Këto janë shpalljet e Allahut, të cilat Ne t’i tregojmë ty me tërë të vërtetën. Atëherë, në çfarë fjalësh të tjera do të besojnë ata, nëse mohojnë Allahun dhe shenjat e Tij?!
Mjerë gjynahqari gënjeshtar!
Ai i dëgjon shpalljet e Allahut që i lexohen e përsëri ngulmon në mendjemadhësi, sikur nuk i ka dëgjuar ato; jepi lajmin për dënim të dhembshëm!
E, kur merr vesh diçka nga shpalljet Tona, ai i përqesh. Për njerëz të tillë do të ketë dënim poshtërues.

XHATHJE, (45:13-15) Thuaju besimtarëve, që t’i falin ata që nuk shpresojnë në ditët e Allahut

Ai ka vënë në shërbimin tuaj çka gjendet në qiej dhe në Tokë, të gjitha janë prej Tij. Me të vërtetë, në këto ka shenja për njerëzit që mendojnë.
Thuaju besimtarëve, që t’i falin ata që nuk shpresojnë në ditët e Allahut , kështu që Ai të “shpërblejë” çdo popull sipas veprave të veta.
Kush bën mirë, e ka për vete e kush bën keq, e bën kundër vetes; e në fund do të ktheheni (të gjithë) te Zoti juaj.

XHATHIJE, (45:23-24) Ata që dëshirat e veta i kan bërë zot

Mendo pak! Kush, përveç Allahut, mund ta udhëzojë atë njeri, që dëshirat e veta i ka bërë zot; atë njeri, të cilin Allahu, duke e njohur për të tillë, e ka shpënë në humbje, duke ia vulosur dëgjimin dhe zemrën e duke i vënë perde para syve të tij?! A nuk po merrni vesh?
Ata thonë: “Nuk ka tjetër veç jetës së kësaj bote, vdesim e jetojmë dhe vetëm koha na shkatërron”. Ata nuk kanë kurrfarë dijenie për këtë, ata vetëm hamendësojnë ashtu.

KAHF, (46:15-16) E kur ti bën 40 vjet….

Njeriun e kemi porositur të jetë i sjellshëm ndaj prindërve të vet. Nëna e mbart atë me mund dhe me mund e lind. Ai mbartet dhe ushqehet me gji për tridhjetë muaj dhe, kur arrin në moshën e burrërisë e i mbush dyzet vjet, ai thotë:
“O Zoti im! Më frymëzo që të të falënderoj për begatitë që Ti më ke dhënë mua dhe prindërve të mi dhe që të bëj vepra të mira, me të cilat Ti do të jesh i kënaqur! Më dhuro pasardhës të mirë! Tek Ty kthehem i penduar dhe Ty të dorëzohem!”.

Këta janë ata njerëz, të cilëve do t’ua pranojmë veprat e tyre më të mira e nuk do t’ua vëmë re veprat e tyre të këqija. Ata do të jenë banorë të Xhenetit; ky është premtimi i vërtetë, që u është premtuar.

KAHF, (46:19) Dergjate të shpërblimit dhe dënimit janë sipas punëve

Për të gjithë do të ketë shkallë të caktuara, sipas asaj që kanë punuar, në mënyrë që Allahu t’i shpërblejë për veprat e tyre. Askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.

MUHAMED, (47:15) Lumenj të Xhenetit

Ja përshkrimi i Xhenetit, që u premtohet të përkushtuarve (ndaj Allahut): një vend, ku ka lumenj me ujë të pandotur, lumenj qumështi me shije të pandryshuar, lumenj vere me shije të këndshme për ata që e pinë dhe lumenj prej mjalti të kulluar. Ata do të kenë aty lloj-lloj frutash dhe falje prej Zotit të tyre. A mund të krahasohet ky shembull me Xhehenemin, ku gjynahqarët do të qëndrojnë përherë në zjarr dhe do t’u jepet ujë i valuar, që ua copton zorrët?!

MUHAMED, (47:38) Kopraci

Ja, juve ju bëhet thirrje të shpenzoni në rrugën e Allahut, por disa prej jush janë koprracë. Kush tregohet koprrac, ta dijë se i bën dëm vetes, sepse Allahu është i Pasur (s’ka nevojë për asgjë), ndërsa ju jeni të varfër. E, nëse ju ia ktheni shpinën dhe i largoheni Atij, Ai do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, i cili nuk do ta ndjekë shembullin tuaj.

FETH, (48:29) Muhamedi është i Dërguar i Allahut

Muhamedi është i Dërguar i Allahut. Ata që janë me të, janë të ashpër ndaj jobesimtarëve e të mëshirshëm midis tyre. I sheh ata si përkulen dhe bien në sexhde, duke kërkuar dhuntinë dhe kënaqësinë e Allahut. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e sexhdes. Ky është përshkrimi i tyre në Teurat. Ndërsa në Ungjill, shembulli i tyre përshkruhet si një farë e mbjellë që lëshon filiza e forcohet e pastaj ngrihet e fortë me kërcellin e vet, duke i gëzuar mbjellësit. (Kështu përshkruhen ata) me qëllim që, nëpërmjet tyre, Ai t’i zemërojë mohuesit. Për ata midis tyre që besojnë dhe kryejnë vepra të mira, Allahu ka premtuar falje dhe shpërblim të madh.

FETH, (48:10,18) Bejati

Ata që të janë betuar (bejat) për besnikëri, në të vërtetë, i janë betuar për besnikëri Allahut. Dora e Allahut është mbi duart e tyre! Ai që e prish betimin, e prish në dëm të vetes, por, nëse e mban besën ndaj Allahut, Ai do t’i japë atij shpërblim të madh.

Allahu është i kënaqur me ata besimtarë, kur t’u betuan për besnikëri nën hijen e pemës. Ai e dinte se ç’kishte në zemrat e tyre, prandaj u dha atyre qetësi dhe i shpërbleu me një fitore të afërt

HUXHARAT, (49:9-10) Pajtoni besimtaret

Nëse dy palë besimtarësh bëjnë luftë midis tyre, pajtojini ata. Por, nëse njëra palë sulmon tjetrën, atëherë luftoni kundër sulmuesit, derisa të kthehet në urdhrat e Allahut. E, nëse kthehet, atëherë pajtojini ata midis tyre, me drejtësi dhe paanësi, sepse Allahu i do ata që veprojnë me drejtësi.
Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër, andaj pajtojini vëllezërit tuaj midis tyre dhe kijeni frikë Allahun, në mënyrë që ju të mëshiroheni.

HUXHARAT, (49:11) Mos u tallëni, mos nënçmoni!

O ju që keni besuar! Asnjë burrë prej jush të mos tallet me burra të tjerë, se këta mund të jenë më të mirë se ai. Gjithashtu, asnjë grua të mos tallet me gra të tjera, se këto mund të jenë më të mira se ajo. Mos e nënçmoni dhe mos e qesëndisni njëri tjetrin me nofka (të këqija)! Sa e shëmtuar është të thirresh me emër të keq pas (pranimit të) besimit! Ata që nuk pendohen, janë vërtet keqbërës.

HUXHARAT, (49:12) Mos spiunoni, mos përgojoni!

O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime, se, vërtet, disa dyshime janë gjynah. Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë! Kijeni frikë Allahun! Me të vërtetë, Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë.

HUXHARAT, (49:14) Musliman, po por ende pa iman

Arabët e shkretëtirës deklarojnë: “Ne besojmë”.
Thuaju: “Ju nuk keni besuar!
Por më mirë thoni: ‘Ne përulemi (jena musliman)’, pasi besimi (imani)ende nuk ka hyrë (si duhet) në zemrat tuaja. E, nëse i bindeni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nuk do t’ju pakësohet asgjë prej veprave tuaja. Sigurisht, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.”

KAF, (50:3-4) Libri që i ruan të gjitha.

Vallë, pasi të vdesim e të bëhemi pluhur (do të ringjallemi sërish)? Ai kthim është i largët!”
Ne e dimë sa prej tyre i merr toka, tek Ne është Libri që i ruan të gjitha.

KAF, (50:6-11) A nuk shohin dhuntitë…?

A nuk e shohin ata qiellin që qëndron sipër tyre, si e kemi ndërtuar dhe zbukuruar, pa pasur kurrfarë plasaritje në të?
Ndërsa Tokën e kemi shtruar dhe në të kemi shpërndarë male të palëvizshme dhe kemi bërë, që nga ajo, të mbijnë gjithfarëlloj bimësh të bukura, si mjet ndriçimi të mendjes dhe përkujtesë për çdo rob që i drejtohet Zotit të vet.
Ne lëshojmë nga qielli ujë të bekuar dhe nëpërmjet tij krijojmë kopshte, drithëra që korren dhe palma hurme të larta me tufa frutash njëra mbi tjetrën, si ushqim për robërit Tanë; në këtë mënyrë Ne me shi e ringjallim tokën e vdekur. E kështu do të jetë edhe ringjallja.

KAF, (50:16-27) Ne jemi më pranë njeiut se damari i qafës së vet.

Ne e kemi krijuar njeriun dhe, Ne e dimë ç’i pëshpërit atij shpirti i vet. Ne jemi më pranë tij se damari i qafës së vet.
Dy engjëj i rrinë atij nga e djathta dhe e majta,
dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë).
Agonia e vdekjes do të sjellë të vërtetën (e jetës tjetër): ja, kjo është ajo së cilës përpiqeshe t’i ikje.
Dhe do të fryhet në Sur – kjo është Dita e kërcënimit.
Çdo shpirt do të vijë i shoqëruar me një (engjëll) grahës dhe një (engjëll) dëshmitar.
(Mohuesit do t’i thuhet): “Ti ke qenë i pavëmendshëm për këtë. Tashti ta kemi ngritur perden (e syve), dhe shikimi yt sot është i mprehtë.”
E shoqëruesi i tij (engjëll) do të thotë: “Këtu është (shënimi i veprave të tij) që kam gati”.
(Do t’u thuhet:) “Hidhni në zjarr çdo njeri jobesimtar, kryeneç, pengues të të mirave, shkelës dhe dyshues (në fe);
çdo njeri që ka besuar në zot tjetër, përveç Allahut. Kështu pra, flakeni atë në dënimin më të rëndë!”
E, shoku i tij (djall) do të thotë: “O Zoti ynë, unë nuk e kam mashtruar atë, por ai vetë ka qenë në humbje të madhe”.

KAF, (50:30-35) Xhehnemi do të pyet “A ka më?”

Atë Ditë Ne do ta pyesim Xhehenemin: “A u mbushe?” e ai do të përgjigjet: “A ka edhe më?”
Dhe jo larg prej aty, Xheneti do t’u afrohet besimtarëve të devotshëm,
(që do t’u thuhet:) “Kjo është premtuar për ju, për këdo që është penduar dhe ruajtur (nga gjynahet),
që është kujdesur ndaj Gjithëmëshirshmin, edhe atëherë kur nuk e shihte kush, e që ka ardhur me zemër të kthyer (nga Allahu).
Hyni në të (Xhenet) me paqe e siguri. Kjo është Dita e amshimit!”
Aty do të kenë çfarë të duan – e prej Nesh (do të kenë) edhe më shumë.

KAF, (50:38-45) Dëgjo thërritësit që thërret prej një vendi të afërt

Ne i kemi krijuar qiejt, Tokën dhe çdo gjë që gjendet midis tyre (bejnehuma) për gjashtë ditë, pa ndierë lodhje aspak.
Andaj, duroje atë që thonë ata (mohuesit), madhëroje Zotin tënd e falënderoje Atë para lindjes së diellit dhe para perëndimit.
Madhëroje Atë edhe në një pjesë të natës, pas faljes (sexhdes).
Dhe vëri veshin thërritësit që thërret prej një vendi të afërt,
Ditën, kur ata do ta dëgjojnë thirrjen e vërtetë, ajo do të jetë Dita e Daljes (ringjalljes).
Jemi Ne ata që japin jetën dhe vdekjen. Te Ne do të kthehet çdo gjë!
Atë Ditë, toka do të hapet e ata do të dalin me nxitim. Për Ne është e lehtë t’i mbledhim ata të gjithë.
Ne e dimë mirë çfarë thonë ata, por ti nuk do t’i detyrosh ata me dhunë (që të besojnë). Prandaj këshillo me Kuranin këdo që ka frikë paralajmërimin Tim!

DHARIAT, (51:1-14) Betimet që shpërblim e dënim do të ndodhë

Betohem në erërat që çojnë (pluhurin),
dhe në retë e ngarkuara rëndë,
dhe në ato që lundrojnë lehtë,
dhe në engjëjt që shpërndajnë urdhrat,
se me të vërtetë është e sigurtë ajo që ju premtohet
dhe çdo shpërblim e dënim do të ndodhë!
Për qiellin e stolisur me yje!
Ju keni gjithfarë mendimesh,
Prej tij (Kuranit) shmanget ai që nuk beson.
Qofshin mallkuar gënjeshtarët,
të cilët janë të zhytur në padije dhe të shkujdesur!
Ata pyesin: “Kur do të jetë Dita e Gjykimit?”
Atë Ditë ata do të përcëllohen në zjarr!
(Do t’u thuhet): “Shijoni dënimin tuaj! Këtë kërkuat t’ju shpejtohet!”

DHARIAT, (51:15-23) Në tokë dhe në vete tona ka shenja….

Pa dyshim, ata që kujdesën ndaj Allahut do të jenë në kopshte dhe burime,
duke marrë atë që ua ka dhuruar Zoti i tyre, meqë më parë kanë qenë punëmbarë.
Ata flinin pak natën,
ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu).
Në pasuritë e tyre ka pasur pjesë për lypësit dhe nevojtarët.
Në Tokë ka shenja për ata që besojnë me bindje,
po edhe në vetet tuaja – a nuk e shihni vallë?
Në qiell është furnizimi juaj dhe gjithçka që ju është premtuar.
Betohem për Zotin e qiellit dhe të Tokës, se kjo (që ju premtohet) është e vërtetë, ashtu siç është të folurit tuaj.

DHARIAT, (51:47-49) Ne e zgjërojmë qiellin …

Ne e kemi ndërtuar qiellin me fuqinë Tonë dhe Ne e zgjerojmë atë.
Edhe Tokën e kemi shtruar! Sa shtrues të mrekullueshëm që jemi!
Dhe nga çdo gjë, Ne kemi krijuar nga dy, në mënyrë që ju të vini veshin!

DHARIAT, (51:55-56) I kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë

Pra këshillo, se vërtet këshilla u bën dobi besimtarëve.
Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.

TUR, (52:1-27) Rreth tyre do të sillen shërbyes, djelmosha (gilmana) si margaritarë të fshehur

Betohem për malin Tur (Sina) dhe Librin e shkruar në rreshta,në pergamenë të shpalosur dhe Shtëpinë plot vizitorë dhe kupën e ngritur (të qiellit) dhe detin e mbushur, se, me të vërtetë, dënimi i Zotit tënd do të ndodhë dhe askush nuk mund ta pengojë.
Atë Ditë qielli do të lëkundet fuqishëm e malet do të lëkunden me të madhe nga vendi!
Atë Ditë, mjerë për jobesimtarët, që, të zhytur në gënjeshtra, argëtoheshin!
Atë Ditë, ata do të hidhen me forcë në zjarrin e Xhehenemit.
(Do t’u thuhet): “Ky është zjarri që e keni mohuar!
A është kjo magji apo nuk shihni?
Përcëllohuni në të! E duroni apo nuk e duroni, njësoj është për ju. Në të vërtetë, ky është “shpërblimi” i vetëm për atë që keni bërë”.
Vërtet, besimtarët e devotshëm do të gjenden në kopshtet e Xhenetit dhe në lumturi,
duke u kënaqur me atë që u ka dhënë Zoti i tyre, sepse Ai i ka ruajtur prej dënimit të Zjarrit flakërues.
(Do t’u thuhet): “Hani e pini me kënaqësi, si shpërblim për atë që keni bërë!”
Të mbështetur në divane të renditura, ata do të martohen me hyri sybukura.
Ne do t’i bashkojmë besimtarët e vërtetë me ata pasardhës të tyre që i ndjekin në besim dhe nuk do t’u pakësojmë asgjë nga shpërblimi për veprat e tyre. Çdo njeri është peng i veprave të veta.
Dhe do t’ua zgjerojmë dhuntitë atyre me fruta dhe mish, si ua ka ënda.
Atje do t’ia kalojnë njëri-tjetrit gotat e mbushura e nuk do të ketë biseda të kota e as gjynahe.
Rreth tyre do të sillen shërbyes, djelmosha si margaritarë të fshehur.
Ata do të afrohen, duke biseduar me njëri-tjetrin e duke thënë: “Më parë, Ne kemi pasur frikë në familjet tona (nga gjykimi i Allahut), por, Allahu na ka dhuruar mëshirë dhe na ka ruajtur nga era përcëlluese (e Zjarrit).
Ne qysh më parë i jemi falur Atij. Ai është vërtet Bamirës dhe Mëshirëplotë”.

NEXHIM, (53:1-18) Shpallja nga Zoti

Betohem në yllin kur perëndon
se shoku juaj (Muhamedi a.s.), nuk ka humbur e nuk ka devijuar!
Ai nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje hyjnore, që i vjen atij.
Atë ia ka mësuar atij Një Shumë i Fuqishëm, mendjelartë, që iu paraqit qartë, në horizontin më të lartë.
Pastaj iu afrua e iu lëshua, sa largësia midis dy harqeve ose edhe më afër, e i shpalli robit të Allahut, atë që i shpalli.
Zemra (e Muhamedit) nuk gënjen për atë që ka parë.
Vallë, a do ta kundërshtonit atë për çfarë ka parë, ndërkohë që ai e ka parë atë edhe një herë tjetër, te Sidretul Munteha-ja, ku ndodhet Xheneti i Strehimit.
Kur Sidrën çfarë nuk e mbulonte?!
Shikimi i tij nuk u shmang dhe as nuk e kaloi masën, por ai pa disa nga mrekullitë më madhështore të Zotit të tij!

NEXHIM, (53:19-23) Lata, Uza dhe Menata

A e keni parë Latën dhe Uzzën?
Po Menatën, të tretën, të fundit?
Vallë, për ju janë djemtë, ndërsa për Atë vajzat?!
Kjo ndarje është e padrejtë.
Këta janë vetëm emra që ua keni ngjitur (idhujve) ju dhe të parët tuaj, kurse Allahu nuk ju ka dërguar për ata asnjë provë. Ata ndjekin vetëm hamendjet dhe atë që ua ka qejfi, ndonëse u ka ardhur prej Zotit të tyre udhëzimi (për rrugën e drejtë).
A do të ketë njeriu gjithçka që dëshiron?
Vetëm Allahut i përkasin bota tjetër dhe kjo botë!
Sa engjëj ka në qiej, ndërmjetësimi i të cilëve nuk bën asnjë dobi, veçse pasi të japë leje Allahu, për kë të dojë e të pëlqejë Vetë!
Vërtet, ata që nuk besojnë në jetën tjetër, u japin engjëjve emra femërorë.
Ata nuk kanë asnjë njohuri për këtë, por ndjekin vetëm hamendjen, ndonëse hamendja nuk mund ta zëvendësojë aspak të vërtetën.

NEXHIM, (53:31-48) Ai jep gazin dhe vajin dhe se Ai jep vdekjen dhe jetën

Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë, për t’i dënuar ata që bëjnë keq, sipas veprave të veta e, për t’i shpërblyer ata që bëjnë mirë, me shpërblimin më të mirë.
Për ata që ruhen prej gjynaheve të mëdha dhe veprave imorale, përveç gjynaheve të vogla, me të vërtetë, Zoti yt është i Gjerë në falje. Ai ju njeh mjaft mirë, qysh se ju krijoi nga dheu dhe qysh se keni qenë embrion në barkun e nënave tuaja. Prandaj, mos u lavdëroni me pafajësinë tuaj! Ai i njeh më së miri ata që ruhen nga gjynahet.
A e ke vënë re atë që shmanget (nga e vërteta) dhe jep pak e pa qejf?
A i di ai vallë gjërat e padukshme, a i sheh ato?
Vallë, a nuk ka dëgjuar ai për atë që thuhet në Shkrimet e Musait dhe të Ibrahimit – i cili i plotësoi detyrimet:se askush nuk do t’i mbartë gjynahet e tjetrit dhe se njeriu do të ketë vetëm atë për të cilën ka punuar; se përpjekjet e tij do të shihen dhe se do të shpërblehet me shpërblim të plotë; se te Zoti yt do të jetë kthimi;
se Ai jep gazin dhe vajin dhe se Ai jep vdekjen dhe jetën;
se Ai krijon çiftet, mashkull e femër, prej një pike fare kur derdhet,
dhe se Atij i takon krijimi tjetër; se Ai jep pasuri dhe kënaqësi të mjaftueshme.

KAMER. (54:49-53) Krijimi me masë të paracaktuar, çdo bëmë është shënuar në librat

Vërtet, Ne çdo gjë e kemi krijuar me masë të paracaktuar.

Ne urdhërojmë vetëm një herë dhe vullneti Ynë përmbushet sa çel e mbyll sytë.

Ne tashmë i kemi shkatërruar të ngjashmit me ju (në mosbesim). Prandaj, a ka ndonjë që të marrë këshillë?!

Çdo bëmë e tyre është shënuar në librat (e engjëjve që regjistrojnë veprat).

Çdo gjë, e madhe a e vogël qoftë, është shënuar (në Leuhi Mahfudh).

RRAHMAN, (55:1-78) Cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni

I Gjithëmëshirshmi ua ka mësuar Kuranin (robërve të Tij), ka krijuar njeriun dhe i ka mësuar atij të folurit e qartë.
Dielli dhe Hëna ndjekin rrugën e caktuar.
Bimët dhe pemët i përulen (Allahut).
Ai e ka ngritur qiellin lart dhe ka vënë Balancën (për çdo gjë), që ju të mos e shkelni atë.
Prandaj matni drejt e mos hani në peshë!
Ai e ka bërë Tokën për krijesat.
Aty ka fruta të llojllojshme dhe palma hurmash me frutat si bistaqe, ka drithëra me gjethe e kërcej dhe bimë me erë të mirë.
Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!

Ai e krijoi njeriun prej baltës së thatë, ashtu si vorba, ndërsa xhindet i krijoi prej flakës së zjarrit.
Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!

(Ai është) Zoti i dy lindjeve dhe i dy perëndimeve.
Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!
Ai i ka lëshuar dy dete që të takohen, por, midis tyre ka një pengesë që nuk mund ta kapërcejnë.
Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!

Prej tyre nxirren margaritarë dhe korale.
Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!

Atij i përkasin edhe anijet që lundrojnë nëpër dete e që lartohen si male.
Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!
Çdo gjë që është në Tokë, do të zhduket,e do të mbetet vetëm Fytyra (Qenia) e Zotit Tënd, plot Madhëri dhe Nderim.
Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!

Atij i lutet gjithkush që ndodhet në qiej dhe në Tokë e në çdo kohë Ai ushtron fuqinë e gjithëmbarshme.
Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!

O ju dy barrët e Tokës (njerëz dhe xhinde), së shpejti do të caktojmë gjykimin tuaj!
Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!

O xhinde dhe njerëz, nëse keni fuqi të përshkoni kufijtë e qiejve dhe të Tokës, atëherë përshkojini ato! Por nuk do të mund ta bëni këtë, përveçse me një fuqi të madhe (nga Allahu)!
Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?

Kundër jush do të dërgohen flakë zjarri dhe tunxh i shkrirë (si dënim për mohimin e dhuntive të Allahut) dhe ju nuk do të mund të mbroheni.
Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!

Veç kur të çahet qielli dhe të bëhet i kuq si trëndafili (në Ditën e Kiametit)!
Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!

Atë Ditë njerëzit dhe xhindet nuk do të pyeten për gjynahet e tyre.
Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!

Keqbërësit do të njihen sipas shenjave dhe do të kapen për ballukesh dhe për këmbësh.
Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!

Ja, ky është Xhehenemi, të cilin e mohonin keqbërësit!
Ata do të sillen në mes të zjarrit dhe ujit të valuar në kulm.
Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!

Për ata që i frikësohen paraqitjes para Zotit të vet, do të ketë dy kopshte!
Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!

(Kopshtet do të jenë) të mbjellë me pemë që bëjnë hije.
Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!

Në ta do të ketë dy burime që rrjedhin.
Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!

Dhe prej çdo fruti do të ketë nga dy lloje.
Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!

Ata do të jenë të mbështetur në shtroje, anash me armaç mëndafshi e frutat e dy kopshteve do t’i kenë afër sa t’i kapin me dorë.
Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!

Atje do të ketë virgjëresha sy ulur, të cilat para tyre nuk i kanë prekur as njerëz, as xhinde.
Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!

Ato do të jenë si rubinë dhe korale.
Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!

A ka shpërblim tjetër për të mirën, veç të mirës?!
Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!

Nën këta dy kopshte, do të ketë edhe dy kopshte të tjera.
Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!

Ato do të jenë të stolisura me gjelbërim.
Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!

Aty do të jenë dy burime që gulfojnë.
Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!

Atje do të ketë fruta, palma hurmash dhe shegë.
Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!

Në to do të ketë bukuroshe virtytesh të mrekullueshme.
Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!

(Atje do të ketë) hyri syzeza nëpër tenda.
Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!

Ato hyri nuk i kanë prekur para tyre as njerëz, as xhinde.
Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!

Ata do të rrinë mbështetur në shtroje të gjelbra e qilima të bukur.
Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!

Qoftë lartësuar emri i Zotit tënd, plot Madhëri dhe Nderim!

VAKIA, (56:1-40) Njerzit e së djathtes

Kur të ndodhë Ngjarja (Kiameti), ardhjen e saj askush nuk do ta mohojë.
Disa do t’i ulë e disa do t’i lartësojë.
Kur Toka të dridhet fuqishëm, malet të thërrmohen copë-copë e të shndërrohen në pluhur të shpërndarë, ju, (o njerëz) do të ndaheni në tri grupe:
njerëzit e së djathtës – sa të nderuar do të jenë fatlumët!
njerëzit e së majtës – sa të poshtëruar do të jenë fatkeqët!
dhe ata që kanë prirë (në besim) e që do të prijnë (edhe në Xhenet).

Ata janë të afërtit (tek Allahu), në kopshtet e kënaqësisë. Shumica e tyre janë prej të lashtëve, ndërsa një pakicë prej brezave të mëvonshëm. Ata do të qëndrojnë në divane të stolisura me ar e gurë të çmuar, të mbështetur në to përballë njëri-tjetrit. Do t’u sillen rreth (për shërbim) djelmosha (gilmana) përherë të rinj, me kupa, ibrikë dhe gota me pije të kulluar, që rrjedh e prej së cilës nuk do t’u dhembë koka dhe nuk do t’u humbë mendja, e me fruta të cilat do t’i zgjedhin vetë dhe mish shpendësh që ua ka ënda. Për ata ka edhe hyrie symëdha, të ngjashme me margaritarët e ruajtur, si shpërblim për atë që kanë punuar. Aty nuk do të dëgjojnë biseda të kota, as fjalë gjynahesh, por vetëm fjalët “Paqe, paqe”!

E njerëzit e së djathtës – sa të nderuar që janë fatlumët! Ata do të qëndrojnë në mes të lotusve pa gjemba dhe bananeve të mbushura me fruta, nën hije të gjera, pranë një uji rrjedhës, dhe mes frutave të llojllojshme, të cilat kurrë nuk sosen, as nuk janë të ndaluara; dhe në shtroje të ngritura (ku i presin hyrijet, muzat), të cilat Ne i kemi krijuar në një formë të veçantë (jo të lindura), dhe i kemi bërë ato inspiruese (me ide të virgjëra), të dashura për bashkëshortët e tyre dhe moshatare me ta, për njerëzit e së djathtës. Aty do të janë shumë nga të lashtët e shumë edhe nga të mëvonshmit.

(56:41-63) Njerëzit e së majtes

Po njerëzit e së majtës – sa të poshtëruar janë fatkeqët!
Ata do të jenë në afshin përcëllues të zjarrit dhe ujit të valuar dhe nën hijen e një tymi të zi, e cila nuk do të jetë as e freskët e as e këndshme. Ata, para kësaj, jetonin në luks dhe në vazhdimësi bënin gjynahe të rënda, duke thënë:
“Vallë, pasi të vdesim e të bëhemi pluhur e eshtra, vërtet do të ringjallemi?! Vallë, edhe të parët tanë të lashtë?!”
Thuaju (o Muhamed): “Me siguri, edhe të parët, edhe të mbramët, do të tubohen në një ditë të caktuar. Dhe atëherë ju, o jobesimtarë të humbur, me siguri që do të hani nga pema e zekumit, me të cilën do të mbushni barkun. Pastaj do të pini ujë të valuar, madje do të pini ashtu siç pi deveja e etshme”.
Kështu do të jetë gostia e tyre në Ditën e Llogarisë!
Ne ju krijuam – e pse nuk e pranoni të vërtetën?
A e keni parë farën që e hidhni?
A jeni ju që e krijoni atë apo jemi Ne krijuesit e saj?
Ne e caktojmë vdekjen tuaj dhe askush nuk mund të na pengojë që t’jua ndryshojmë trajtën dhe t’ju rikrijojmë ashtu si nuk e dini (në Ditën e Ringjalljes). Sigurisht, ju e dini krijimin e parë (prej një pike fare), atëherë përse nuk mendoni?! A shihni atë që mbillni?

HADID, (57:9-13). Nga errësira në dritë

Është Ai që i ka zbritur robit të Vet shpallje të qarta për t’ju nxjerrë nga errësira në dritë. Allahu është vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë me ju.
Atëherë, çfarë keni që nuk shpenzoni në rrugën e Allahut, ndërkohë që vetëm Atij i përket trashëgimia e qiejve dhe e Tokës? Nuk janë të barabartë ata që kanë shpenzuar dhe kanë luftuar para fitores me ata që kanë shpenzuar dhe kanë luftuar më pas. Ata kanë shkallë më të lartë, mirëpo Allahu u premton të gjithëve më të mirën (Xhenetin). Allahu e di mirë atë që bëni ju.
Kush është ai, që do t’i japë vullnetarisht Allahut një hua të mirë, që Ai pastaj t’ia kthejë shumëfish?! (Veç kësaj), për atë do të ketë shpërblim fisnik, ditën që do të shohësh besimtarët dhe besimtaret, me dritën e tyre që shkëlqen para dhe në të djathtë të tyre (e do t’u thuhet): “Lajm i mirë sot për ju: kopshtet e Xhenetit nëpër të cilat rrjedhin lumenjtë e ku do të banoni përgjithmonë. Kjo është fitorja më e madhe!”
Atë Ditë, hipokritët dhe hipokritet do t’u thonë besimtarëve: “Na prisni edhe ne që të marrim nga drita juaj”! Por atyre do t’u thuhet: “Kthehuni prapa e kërkoni tjetër dritë!” Dhe, ndërmjet tyre, do të vendoset një mur me portë: brenda saj ka mëshirë, kurse jashtë saj ka dënim.

HADID, (57:16) I Pari dhe i Fundit (alfa dhe omega)

Allahun e lartëson çdo gjë që është në qiej dhe në Tokë. Ai është i Plotfuqishmi, i Urti.
Atij i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës. Ai jep jetë e vdekje dhe është i fuqishëm për çdo gjë.
Ai është i Pari dhe i Mbrami, i Dukshmi (me argumente) dhe i Padukshmi (me sy). Ai është i Dijshëm për çdo gjë!
Ai i krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë, pastaj u ngrit mbi Fron. Ai e di se çfarë hyn në Tokë dhe çfarë del prej saj, çfarë zbret prej qiellit dhe çfarë ngjitet drejt tij. Ai është me ju kudo që të gjendeni; Ai sheh gjithçka që bëni.
Atij i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës; tek Allahu do të kthehet gjithçka!
Ai e ndërfut natën tek dita dhe ditën tek nata. Ai e di çfarë ka çdokush në kraharor.

HADID, (57:25) Hekuri

Ne i çuam të dërguarit Tanë me prova të qarta dhe bashkë me ta zbritëm Librat (e shenjtë) dhe peshoren (e drejtësisë): që njerëzit të veprojnë drejt. Ne e zbritëm hekurin, në të cilin ka (material për) luftë të fuqishme dhe dobi (të tjera) për njerëzit, me qëllim që Allahu të njohë ata që e ndihmojnë Atë dhe të dërguarit e Tij, pa e parë Atë. Me të vërtetë, Allahu është i Fortë dhe i Plotfuqishëm.

MUXHADILE, (58:6-7) Dëshmitari

Në ditën, kur Allahu i ngjall të gjithë e i njofton për veprat që kanë bërë. Allahu të gjitha i ka shënuar, edhe pse ata i kanë harruar. Allahu është dëshmitar i çdo gjëje.
A nuk e di ti, se Allahu di çdo gjë që është në qiej dhe në Tokë?! Nuk ka bisedë të fshehtë midis tre vetave, që Ai të mos jetë i katërti; as midis pesë vetave e që Ai të mos jetë i gjashti; as kur janë më pak, as kur janë më shumë, që Ai të mos jetë me ata, kudo që të ndodhen; Ai në Ditën e Kiametit do t’i njoftojë ata se çfarë kanë bërë, se, me të vërtetë, Allahu di çdo gjë!

HASHR, (59:20-23) Esma më të Bukura

Nuk janë të barabartë banorët e Xhehenemit dhe banorët e Xhenetit; banorët e Xhenetit do të jenë të fituarit.
Sikur këtë Kuran t’ia shpallnim ndonjë mali, ti do ta shihje atë (mal) të përulur dhe të copëtuar nga frika e Allahut. Shembuj të tillë Ne ua japim njerëzve, që ata të meditojnë.
Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër (të denjë për adhurim), Njohësi i së dukshmes dhe i së padukshmes, Ai është i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti!
Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër (të denjë për adhurim). Ai është Sunduesi, i Shenjti (i pastër nga çdo e metë), Paqëdhënësi, Dhënësi i sigurisë, Mbikëqyrësi mbi gjithçka, i Plotfuqishmi, Imponuesi, Madhështori. Qoftë i lartësuar Allahu mbi gjithçka që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)!
Ai është Allahu, Krijuesi, Zanafillësi, Ai që çdo gjëje i jep trajtë. Atij i përkasin emrat më të bukur; Atë e përlëvdon gjithçka që ndodhet në qiej dhe në Tokë, Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti