NGA STATUTI I BTK

NENI 1

Definicioni i Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës dhe Parimet

Bashkësia e Tarikateve  të Kosovës (në tekstin e mëtejshëm BTK), është Bashkësia e pavarur fetare e cila vepron në bazë të Ligjit, Statutit, dhe Traditës së vet në interpretimin paqësor dhe autentik të  islamit në frymën e mëshirës dhe bamirësisë së Tarikateve dhe në tolerancë me traditat dhe fetë tjera.

 

NENI 2

Qëllimi i BTK

BTK ka për qëllim:

 

Realizimin e të drejtave fetare: mbrojtjen nga diskriminimi të anëtarësisë së vet, realizimin e barazisë fetare para ligjit, për Tarikatet e Kosovës dhe mbrojtjen ligjore nga ana e shtetit,

 

Realizimi i qëllimeve fetare: ngritjen shpirtërore dhe edukimi moral i pjesëtarëve dhe pjesëtareve të Tarikateve, arsimimin në shkenca fetare Islame, posaçërisht njohjen e Sufizmit / Tesavufit, kultivimin e traditës Islame, veçanërisht traditave të Tarikateve dhe ngritjen  e përgjithshme arsimore dhe kulturore të anëtarëve të sajë

 

Realizimin i qëllimeve në dhe për shoqëri: përpjekjen  për tejkalimin e injorancës dhe prapambetjes shpirtërore në shoqëri, angazhimin e vazhdueshëm për zhdukjen e dukurive negative shoqërore, të trashëguar si p.sh. hakmarrja, presioni dhe diskriminimi në baza gjinore, dhe të përfituara si droga, alkooli, bixhozi etj.,  zhvillimi i tolerancës në mes të gjithë njerëzve, e kundër, mos tolerancës ndër fetare dhe praktikave përjashtuese në shoqëri, ndihma dhe ndërmjetësimi në rastet kontestuese familjare dhe civile, brenda komuniteteve përkatëse, ku anëtarët jetojnë, veprojnë dhe punojnë, duke mos rënë ndesh me ligjin për ndërmjetësimin, ligjin për familjen,e ligjin e detyrimeve dhe ligjet tjera dhe veprime humanitare brenda bashkësisë, komunitetit përkrahës dhe në shoqëri.

DEKLARATA, PARANDALIMI I DHUNËS NË KONFLIKTE

“Deklaratën e Zotimit për t’i dhënë fund dhunës seksuale në konflikt”, të aprovuar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve te Bashkuara (KB) e cila tash më, e ka lidërshipin e Britanisë Madhe, Bashkësia e Tarikateve të Kosovës (BTK) e përqafonë si të vetën.

Iniciativën për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konfliktet me fokus në eliminimin e stigmës lidhur me te mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjate luftërave dhe konflikteve, Bashkësia e Tarikateve e përvetëson si iniciativën e vet.

Njëkohësisht BTK i fton Bashkësitë Fetare në Kosovë që këtë iniciativë ta adaptojnë si të vetën, duke e lanë anash një deklaratë më hershme të muajit korrik 2019, e cila nuk ke gjithëpërfshirëse, nuk mundi me sensibilizu të gjitha bashkësi fetare në Kosovë, e as nuk mundi me i identifiku masa dhe veprime të cilat duhet të ndërmerren.

D E K L A R A T A:

BASHKËSIA E TARIKATEVE TË KOSOVËS

1.Dënon plotësisht të gjitha aktet e dhunës seksuale në konflikt, ndaj çdo personi, në çdo kohë dhe në çfarëdo rrethane, dhe do t’i inkurajon ata që janë nën kujdesin e vet dhe të tjerët në komunitet të bëjnë të njëjtën gjë.

2.Pohojmë se të gjithë mbijetuarit dhe të mbijetuara e dhunës seksuale në konflikt, dhe fëmijët e lindur nga këto përdhunime, janë të pafajshëm, dhe kanë vlerë të barabartë me të gjithë njerëzit. Ata duhet të pranohen, respektohen dhe nderohen plotësisht.

3.Hedhim poshtë stigmen e lidhur me të mbijetuarit e dhunës seksuale në konflikt dhe fëmijët e lindur nga këto përdhunime, dhe kundërshtojmë përdorimin e kësaj forme si një armë që nxit ndarjen e familjeve dhe komuniteteve dhe i kundërshtojmë dhe dënojmë të gjitha simptomat e stigmes në komunitetin tonë.

4.Pranojmë dhe nderojmë pavarësinë, guximin, shpresën dhe qëndrueshmërinë e të mbijetuarve dhe të drejtën e tyre për ta krijuar të ardhmen e tyre.

Ne do të:

5.– bëjmë gjithçka që mundemi për të parandaluar dhunën seksuale në konflikt dhe për t’i mbrojtur të gjithë personat e ndikuar nga dhuna e tillë, përfshirë grupet e margjinalizuara të pakicave dhe ata të besimeve ose feve të tjera, duke e pranuar se aderimi në një besim ose fe mund të sjellë në vetvete cenueshmëri shtesë.

6.– punojmë për t’i larguar interpretimet e dëmshme të besimit ose fesë dhe normave të dëmshme kulturore që mund të përdoren për të dënuar ose kryer akte dhune seksuale.

7.– mbështesim zërat e të mbijetuarve, qëndrojmë për drejtësinë për të parandaluar shtypjen, dhunën dhe akuzat e rreme, dhe do e ngritim zërin për të mbrojtur të mbijetuarit dhe të drejtën e tyre për drejtësi duke mbajtur përgjegjës ata që kanë kryer krime.

8.– nxisim unitetin midis të mbijetuarve dhe komuniteteve të tyre për të mbështetur në mënyrë efektive integrimin e tyre në shoqëri dhe zhvillimin e tyre ekonomik dhe psikologjik.

9.– kërkojmë që përvojat e të mbijetuarve dhe nevojat e tyre të kuptohen, duke u kujdesur për të shmangur rikthimin e këtyre përvojave.

10.– shfrytëzojmë medien, diskutimet fetare, materialet edukative, tekstet dhe të gjitha platformat e tjera të komunitetit tonë të besimit për të fuqizuar të mbijetuarit, duke ditur burimet e komunitetit tonë dhe faktin që besimi ose feja mund të jenë një burim i forcës për të mbijetuarit.

Fund i Deklaratës

DEKLARATA E BASHKËSISË SË TARIKATEVE, KORNIZA E VEPRIMIT SHOQËROR

Bashkësia e Tarikateve të Kosovës (BTK) është bashkësia fetare e dytë me madhësi në vend. Dhe i përfshinë në veti tarikate (komunitetet e dervishëve) në Kosovë dhe diasporë.

BTK është e ndërtuar mbi traditën e gjatë të kultivimit të besimit të kulluar, shërbimit ndaj Krijuesit, shërbimit për komb dhe për atdhe.

Në modestinë e vet të paraqitjes publike, BTK nuk ka hyrë në debate dhe konflikte ditore shoqërore, duke besu se shoqërinë e përparojmë më së miri duke përparu vetën si qytetar dhe duke ngritur vetën si besimtar.

Me parimet e paraqitur më poshtë e sqarojmë anëtarësinë dhe publikun mbi kornizën e veprimtarisë shoqërore të BTK:

1.BTK beson në ko-ekzistencën aktive të komuniteteve të ndryshme në shoqëri.

2.Lirinë fetare do ta kërkojmë për veti dhe për të tjerë derisa kjo liri është e shprehur me ndërgjegje dhe qëllim paqësor.

3. Ekvidistancën e shtetit ndaj komuniteteve do ta kërkojmë si kusht për harmoninë shoqërore.

4.Zgjidhjen e problemeve në shoqëri do e kërkojmë brenda komunitetit por edhe në publikë, gjithmonë duke u bazuar në parimet e lirisë, barazisë dhe vëllazërisë njerëzore para Zotit.

5.Ndërtimi i mirëbesimit dhe dialogu i mirinformuar do janë metodat e preferuara.

6.Parimin që të keqen ta largojmë me më të mirën do të jetë trajektorja e përpjekjeve tona.

7.Bashkësia e Tarikateve nuk mirët me politik-bërje por do të jetë shoqërisht aktive atje ku i takon zëri.

8.Anëtarësia është e lirë të vepron politikisht, por vetëm si individ, jashtë petkut dhe titullit fetar, dhe sipas parimeve brenda kësaj deklarate.

9.Ndërtimi i paqes dhe harmonizimi i interesave ne vend dhe regjion për BTK do jetë gjithmonë prioritet.

10.Aleatin e dëshmuar në ditët e vështira do ta ruajmë dhe respektojmë, armikun e penduar do ta falim dhe afrojmë, problemet e botës në shtëpi nuk do ti çojmë.

11.Do të jena kundër përhapjes së fjalës së urrejtjes, shpifjeve, përbuzimit, rrenës, keq prezantimit dhe manipulimit me informata.

12. Në këtë drejtim do ta vlerësojmë institucione dhe mediet e lira kur lirinë e keqpërdorin, fetarishtë anojnë ose kur lejojnë që njerëz jo profesional, lajmin dhe opinionin e krijojnë. Inkriminimpër bindje fetare e konsiderojmë krim.

MUHAMED ËSHTË EMRI I PROFETIT

Muhamed, është emri i Profetit (Zoti e bekoj), poashtu MUHAMED është edhe emri i Sistemit të Vlerave të një besimtari.

Kush i synon këto vlera, është në rrugën e ndërgjegjsimit. Rrugët e ndërgjegjsimit në Islam quhën TARIKAT.

Në mvarësi nga kultura, gjuha, mentaliteti, dhe temperamenti tarikatet e ndryshojnë pamjen e tyre, gjithmonë duke e ruajt esencën, përparimin shpirtëror dhe arritjen e qëllimit të krijimit, NJERIUN E PËRSOSUR (INSANI KAMIL).

Ndersa njeriu mund të portretizohet dhe karikaturohet, sistemi i vlerave i një besimi, mbetet plotësisht në duar të vet besimtarëve.

Muhamed, është emri i Profetit (Zoti e bekoj), poashtu shum musliman e kanë emrin Muhamed. Një musliman me emrin Muhamed, e që nuk është njeriu i mirë, është vet një karikaturë për emrin që e ka. Kësi Muhameda në botë ka me miliona. Me i shtu këtyre karikaturave të gjalla edhe një të vizatuar nuk bëhet puna e mirë, por nuk bëhet as kijameti. Karikatura përbuzëse, dhe të personalizuara janë pjesë jo fisnike e një kulture, të cilave duhet me u përgjigjë me urtësi me të cilën na mëson edebi i tarikateve:

“Mënyra më e mirë për t’u përgjigjur ndaj njeriut të keq është mos me i përngja!” – Shejh Abdul Kadir Gjilani (r.a)

Dhuna nuk është përgjigjëja Islame, sepse Islami ka për qëllim paqen me metodë paqësore. Përbuzja dhe dhuna nuk janë metodat e besimtarit….

“Shërbëtoret e Zotit janë ata që ecin modest nëpër tokë, e kur atyre me fjalë (të përbuzjes) u drejtohen injorantët, ata thonë: “Paqe me ju!” -SuraFurkan (25:63)

MESAZHI PËR INSTITUCIONET E KOSOVËS NGA KUVENDI I BASHKËSISË SË TARIKATEVE

Bashkësia e Tarikateve e përkrah rrugën e demokracisë dhe ndërtimin e shtetit modern, si një realizim i vizionit Profetik për një shoqëri të diturisë, një shoqëri të solidaritetit, tolerancës dhe barazisë, shoqëri të sendërtimit të vlerave etke, ndërgjegjes dhe respektit gjithëpërfshirës, dhe si shoqëri e cila e kultivon të bukuren.

Bashkësia e Tarikateve e përkrah shtetin e Kosovës në realizimin e sigurisë, mirëqenies dhe realizimin e një shoqërie të hapur për vlerat njerëzore.

Bashkësia e Tarikateve do ti mbështet institucionet e Kosovës në ndërtimin e shtetit juridik i cili i realizon vlerat e përmendura e kundër korrupsionit, neglizhencës, keq menaxhimit, jo barazisë, përjashtimit dhe jo transparencës në shoqëri.

Bashkësia e Tarikateve në veçanti dëshiron të punon s’bashku me institucionet e Kosovës në ndërtimin e një shoqërie pa paragjykime të cilat i njohim si racizmi, urrejtja etnike, homofobia, mizogonia, islamofobia, sufifobia dhe forma tjera përjashtuese që prishin mirëbesimin në shoqëri.

Bashkësitë fetare në Kosovë ende nuk e kanë të realizuar statusin juridik dhe funksionojnë ilegalisht, çka ju mundëson që disa prej tyre të punojnë edhe pa përgjegjësi duke përfituar nga situata. Institucionet e Kosovës duhet me marrë këtë çështje me seriozitet. Pamundësia e ekzistencës juridike dhe mungesa e përgjegjësisë që vjen me atë, i krijoj kushtet në të cilat Kosova u reshtua në radhën e shteteve eksportues të terrorizmit, me pasojat ngecjen në integrime Euro-Atlantike.

Kuvendi i Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës poashtu i thërret institucionet e Kosovës që ta hapin derën për komunikim dhe dialog shoqërorë i cili në fushen e bashkësive fetare mungon, sepse nuk ekziston demokracia me veshët e shurdhët dhe dyer të mbyllura.

Me lutje për prosperitet shpirtërorë të shoqërisë Kosovare, për mirëqenie të gjithmbarshme dhe për liri autentike, ju dëshirojmë qeverisjen e suksesshme dhe shërbimin e ndërgjegjshëm ndaj popullit.

Kuvendi i Bashkësisë së Tarikateve