Festat dhe ditët e shquara në Bashkësinë e Tarikateve të Kosovës

Tarikatet e Kosovës në kalendarin e vet i shënojnë një numër të ditëve të shquara. Gjatë këtyre ditëve anëtaret e komuniteteve, me rituale, devocion, respekt, përkujtim dhe përpjekje shpirtërore e konfirmojnë identitetin dhe përkatësinë e vet shpirtërore. Ditët e shquara që e veçojnë Tarikatet e Kosovës janë të nënvizuara:

  1. Maatemi, Ditët e Pikëllimit (09 gusht, 2021)
  2. Ashure, Dita e Shpëtimit (18 gusht, 2021)
  3. Ditët e Mevludit, Dita e Vlerave
  4. Dita e Sulltan Nevruzit, Dita e Ripërtëritjes (21 mars, 2022)
  5. Nata e Madhe e Regaibit, Nata e Dëshirave
  6. Nata e Madhe e Miraxhit, Nata e Udhëtimit Mistik
  7. Nata e Madhe e Beratit, Nata e Faljeve
  8. Ramazani, Muaji i Agjërimit
  9. Nata e Madhe e Kadrit, Nata e Shpërblimit
  10. Fitër Bajrami, Festa e Origjinës
  11. Kurban Bajrami, Festa e Flijimit
  12. Datat dhe festat lokale
  1. Maatemi, Ditët e Pikëllimit

Viti lunar në kalendarin lunar (sipas hixhrit) fillon me 1 Muharrem, kjo datë nuk është festë si për shembull në kalendarin sekular, por e shënon fillimin e Ditëve të Pikëllimit, kur u ngujua dhe pastaj u masakrua familja (Ehli Bejti) e nderuar e Profetit të Bekuar Muhamed.

Ditët e Maatemit (Ditët e Pikëllimit)  janë ditët e përkujtimit dhe të emulimit të këtyre vuajtjeve. Gjatë këtyre 10 ditëve, nga ngujimi e deri te masakrimi i familjes së Profetit, komuniteti i tarikateve hynë në pikëllim dhe reflektim mbi vështirësi të kësaj botës, brenda këtyre ditëve komuniteti kërkon urtësi në përpjekje, dhe qëndresë në ballafaqim me vështirësi të realitetit, e realiteti është që çdo ditë është Muharrem dhe Maatem  e çdo vend është Golgotë e Qerbela deri sa e Mira dhe Mëshira nuk  mbretëron mbi këtë tokë me bela. Gjatë dhjet ditëve të Muharremit anëtarët e tarikateve ushtrojnë agjërimin dhe largimin nga kjo botë iluzive duke e përkujtuar Realitetin e Vetëm, Zotin (Allahun), dhe cilësi të Tija të bekuara.

Si praktikohet Maatemi?

Maatemi fillon me nijetin e Maatemit i cili bëhet ditën që i paraprin datës 1 të Muharremit, Nëpër teqe në këto ditët, pastaj, shënohen me leximin e literaturës për Qerbelanë, për çdo natë një kapitull i veçantë, me meditim (dhikër), sekludim (halvet), agjërim e devocion të shtuar.

Shembulli i Martirit (Shehidit) të Qerbelasë, Hz.Husejnit, e inspiron komunitetin e tarikateve për qëndresë, se si mos me u përkulë ndaj injorancës (xhahilit), si vetën mos me zënë në mohim (kufër) të Vërtetës dhe si Besimin (Dinin) të ruhet nga bastardimet e ndryshme. Dita e dhjetë (ashër) është dita e martirizimit të nipit të Profetit Muhamed Hz.Huseinit, kur devocioni e ka maksimumin, me perëndimin (akshamin) e ditës së dhjet dilet nga Maatemi .

Si përurohet?

Në fillim të Maatemit, 1 Muharrem, ose një ditë përpara, tarikateve dhe komunitetit të tarikateve i përurohet agjërimi i lehtë dhe devocioni të pranuar.

Veni Re

Ka qe disa vite qe po insinuohët se 1 Muharrem (muaji i parë i kalendarit Islam) është festë e fillimit të vitit e qe simbolizon migrimin (hixhrin) e Profetit nga Meka. Kjo është e pa saktë, sepse migrimi (hixhreti) i Profetit Muhamed ka ndodhur në muajin e tretë të kalendarit lunar Rabiul Evel, 72 më vonë. Qerbelaja është për Muslimanët si Golgota për krishterët dhe këtu bëhet një gabimi  aq i madh sa me festu Ditën e Golgotës (e premtja e madhe, e zezë), ose si me e festu rrethimin dhe sulmin ndaj Jasharajve në Prekaz.

  1. Ashure, Dita e Shpëtimit

Përfundimi i dhjetë ditëve të Matemit (Ditëve të Pikëllimit) shënohet me Ashuren, Ditën e Shpëtimit, ditën kur pas vështirësive vjen lehtësimi.

Ashurja, Dita e Shpëtimit, e ka historinë e gjatë sa edhe vet njerëzimi, ajo gjithmonë ka shënuar ditët të cilat erdhën pas vështirësive të mëdha të besimtarëve. Në këtë ditë në hiero-historinë e besimtarëve ndodhën ngjarjet nga më të shquara të historisë së besimtarëve: Zoti i fali Ademin (Adam) dhe Haven (Eva) në ditën e Ashures, nga tufani në Ditën e Ashures shpëtoj Hz.Nuha (Noe), në ditën e Ashures nuk u prek nga zjarri i Nimrudit të Babilonisë Hz.Ibrahimi (Abraham), në ditën e Ashures (Pesach), nga Vironi (faraoni) e shpëtoj Profeti Hz.Musa (Mojsiu) besimtarët, në ditën e Ashures Hz.Isaja (Krishti) na japi shembullin si ta gjejmë strehimin te Zoti (Pashkët), në këtë ditë e japi shembullin edhe nipi i Profetit Muhamed,, e Martiri i Qerbelasë Imam Huseini shembullin se si bëhet qëndresa, si ruhet besimi në të Vërtetën dhe si ndiçet Rruga e Paqes deri në Amshim, po ajo rrugë që na e tregoi Muhamed Mustafaja, Vula e Profetëve, Zoti na bekoj me at. Qëndresa e Imam Huseinit e shpëtoj besimin nga poshtërimi i përkuljes ndaj hipokritëve (jezidëve), dhe me këto e shpëtoj Fenë në të Vërtetën (Dinin Muhamedi) e cila vazhdon të jeton brenda komunitetit të tarikateve.

Si praktikohet Dita e Ashures?

Ashurja është festë fetare në shenj të shpëtimit që vjen pas vuajtjeve dhe sprovave për besimtarë. Ashurja fillon të festohet pas kalimit të Maatemit qe nga akshami i ditës së dhjet të Muajit Muharrem. Ditët e Ashures vazhdojnë gjatë terr muajit Muharrem.

Akshamin e daljes nga Maatemi e shënojmë si Natë e Madhe me të cilën paralajmërohen Ditët e Ashures. Në Ditët e Ashures nëpër Teqet të tarikateve shërbehet pudingu i ashures, simbol i unitetit të divergjencave tona i cili rreth esencës së ushqimit tonë, që është gruri, tubon shumë e shumë fryte tjera, duke na mësuar se si besimi në njëshmërinë e Zotit i tubon krijesat në një univers të paqes dhe harmonisë. Në gjirin e miqve, dashamirëve, të afërmve e shpërndajmë ashuren, shenjin e përkrahjes për njëri tjetrin në punët e mira. Ashuren e qëndresës në rrugën e mbarë. Ashuren e Ehli Bejtit.

Si përurohet Ashurja?

Gjatë këtyre ditëve i urojmë njëri tjetrit shëndet dhe sukses në jetë, hapje në udhëzim shpirtëror, suksesin, bereqetin dhe e shprehim shpresën në shpëtim i cili do të arrin për besimtarët dhe besimtaret në fundin e ditëve.

  1. Dita e Mevludit, Dita e Vlerave Profetike

Ditët e Mevludit janë në shenjë të datëlindjes të Profetit të Universit, shënohen në muajin e tretë të kalendarit Islam nga 12 deri 17 Rabiul Evel. Këto ditët nuk janë vetëm një përvjetor datëlindjeje por edhe përkujtimi dhe afirmimi i Sistemit të Vlerave të Profetit, i cili po ashtu e ka emrin Muhamed.

Si praktikohet Dita e Mevludit?

Në këtë ditë e përkujtojmë jetën e Hz.Muhamedit a.s. me lexim të jete përshkrimit të tij, si inspirim për jetën tonë dhe inspirim për mbarë njerëzimin. devocioni është i shtuar, afërsia në mes besimtarëve është më e madhe dhe organizohen tubimet me ligjërata, fjalime, ilahi. Përkujtohen virtyte (esma) dhe tituj të Profetit, shkruhen dhe lexohen poezi për të, etj.

Si përurohet Dita e Mevludit?

Besimtarëve të Tarikateve ju përgëzohet festa me dëshirën për paqe, begati (bereqet), shëndet dhe ngritje shpirtërore në rrugën e Profetit të Paqes.

  1. Sulltan Nevruzi, Dita e Ripërtëritjes

Dita simbolike e lindjes e Udhëzuesit Shpirtëror të Tarikateve, Imam Aliut,  konsiderohet dita e ripërtëritjes së jetës shpirtërore, kjo ditë puçet me ekuinoksin veror dhe për tarikatet e Kosovës është simboli i fitores së dritës ndaj errësirës, njohjes (irfanit) ndaj injorancës (xhahiljetit) dhe dashurisë ndaj urrejtjes dhe indiferencës.

Si praktikohet Sulltan Nevruzi?

Sulltan Nevruzi festohet sipas kalendarit modern në çdo 21 mars, por për mundësimin e vizitave të ndërsjella, teqet e ndryshme këtë festë e festojnë nga datat 21 e deri me 24 mars. Për këtë ditë përgatiten të gjitha shtëpitë dhe Teqet, që në veshjen e re ta presin Ditën e Re. Devocioni është i shtuar dhe dyert ë shtëpive dhe teqeve janë solemnisht të hapura.

Si përurohet Sulltan Nevruzi?

Besimtarëve të Tarikatve ju përgëzohet festa me dëshira për paqe, begati (bereqet), shëndet, ndritje dhe ngritje shpirtërore në rrugën e Udhëzuesit Shpirtëror.

  1. Nata e Madhe e Regaibit, Nata e Dëshirave

Me Natën e Madhe të Regaibit shprehet dëshira dhe vizioni për të qenë më të fisnikëruar. Mëshira dhe Hapja gjatë kësaj natë janë në Qiellin Shpirtëror.

Si praktikohet Nata e Regaibit?

Nata e Madhe e Regaibit shënohet me agjërim të ditës që i paraprinë, devocion të shtuar, lutje, pas agjërimit përgatitet hallva, ëmbëlsirës tradicionale e tarikateve….

Si përurohet Nata e Regaibit?

Besimtarëve të Tarikateve ju përgëzohet festa me dëshirën për paqe, begati (bereqet), shëndet, ndritje dhe ngritje shpirtërore në rrugën e vizionit shpirtëror.

  1. Nata e Madhe e Miraxhit, Nata e Udhëtimi Mistik

Në Natën e Madhe të Miraxhit, tarikatet e përkujtojnë udhëtimin mistik të Pejgamberit Muhamed (a.s) në lartësi hyjnore. Kjo natë është inspirim për të gjithë Muslimanët dhe Muslimanet që praktikojnë Rrugën e Ngritjes në Ndërgjegje. Nata e Miraxhit mëson besimtarët dhe besimtaret të frymëve të ndryshme, rrugën të cilën duhet ta ndjekin, ku takimi dhe shoqërimi në devocion i Pejgamberëve e të gjitha kohërave është shembulli final i mirëbesimit dhe bashkëjetesës.

Si praktikohet Nata e Miraxhit?

Për Natën e Miraxhit teqet organizojnë tubime shtesë me ziqër (meditim), këndim të ilhive (odave për Zotin dhe jetën e dervishëve); këtyre evenimenteve shpesh i bashkëngjiten edhe ceremonitë e  veshjeve (shugurimeve) të shehlerëve, dervishëve dhe marrja e bejatit (inicimit në tarikat) të myhibëve.

Si përurohet Nata e Miraxhit?

Besimtarëve të Tarikateve iu përgëzohet festa me dëshira për paqe, begati (bereqet), shëndet, ndritje dhe ngritje shpirtërore në rrugën e ngritjes shpirtërore.

  1. Nata e Madhe e Beratit, Nata e Faljeve

Dyzet ditë para Natës së Kadrit është Nata e Beratit, Nata e Mëshirës dhe Faljes e bazuar në Sinqeritet, uverturë hyjnore për harmoninë e Ramazanit, përgatitja dhe pastrimi i besimtarëve dhe besimtareve për muajin e sakrificës dhe afrimit.

Si praktikohet Nata e Beratit?

Nata e Madhe e Beratit fillon me agjërim devocion të shtuar, lutje, …

Si përurohet Nata e Beratit?

Besimtarëve të Tarikateve iu përgëzohet festa me dëshirë për paqe, begati (bereqet), shëndet, falje për gabimet, ndritje dhe ngritje shpirtërore në rrugën e pastrimit shpirtërorë.

  1. Ramazani, Muaji i Agjërimit

Ditët e agjërimit janë caktuar që Fjala e Zotit të meditohet. Ditët e agjërimit i përkrahë i gjithë komuniteti i tarikateve, si ata që bukën e gatuajnë, somunin e paguajnë, sofrën e shtrojnë, kafshatën e ndajnë, kabull na urojnë, festën përurojnë, dhe mundësojnë një muaj të devotshmërisë dhe mirëkuptimit, qetësinë e adhurimit dhe pastrimit të shpirtit. Këto ditë Bekimi i Zotit, Drita e Tij, Mëshira dhe Falja, Butësia dhe Inspirimi i Tij janë mbi komunitetin e tarikateve.  Devocioni dhe përpjekja fetare në këtë muaj e përforcojnë identitetin fetar të besimtarëve dhe besimtareve të sinqertë dhe gjatë këtyre ditëve dhurohet inspirimi dhe zbulimi.

Si përurohet Ramazani?

Besimtarëve në fillim muajit të Ramazanit i urohet agjërimi i lehtë, dua të pranuara dhe inspirimi (ilhami) i dhuruar.

  1. Nata e Madhe e Kadrit, Nata e Shpërblimeve

Nata e Kadrit është nata e shquar e muajit të agjërimit, nata kur adhurimi vlerësohet sa një jetë. Nata e Kadrit është dhurata nga Dritë mbi Drita (Zoti), në këtë natë premtohet vlerësimi i devocionit që tejkalon devocionin e një jete, sepse me lejen e Zotit në këtë natë zbresin kuptime të thella të Shpalljes dhe reflektimi i tyre ngritët deri te Zoti i Universit.

Si përurohet Nata e Kadrit?

Besimtarëve dhe besimtareve në Natën e Madhe të Kadrit i urohet devocioni i pranuar dhe inspirimi (ilhami) i dhuruar.

  1. Fitër Bajrami, Festa e Origjinës

E kur agjërimi përfundon kthehemi në jetë përditshme nëpërmjet festes së Fitër Bajramit. Të forcuar shpirtërisht, të kthyer në origjinën (fitrën) e vetvetes, të gatshëm për të ushtruar fisnikëri në shoqëri, besnikërinë ndaj së Vërtetës, e tregojmë gjenerozitetin e ripërtërirë me dhurata të fitrit me të cilat i gëzojmë familjaret, farefisin dhe komunitetin tonë. Përurimi është Gëzuar Bajramin, urojmë  shëndet, sukses, begati, lumturi, Paqe në Tokë, që të arrihet Selameti, dhe këto i dëshirojmë të gjithëve.

  1. Kurban Bajrami, Festa e Flijimit

Kuptimi i kësaj festë për tarikatet është sakrifica sublime të cilën secili besimtar dhe besimtare (mumin dhe mumine) duhet ta bëj në rrugën e ndërgjegjësimit e që është flijimi i shpirtit shtazarak (Ruh Hajvani) të vetvetes  për të mirën e komunitetit, e për të mbretëruar Shpirti Fisnik (Ruh Insani). Rrugëtimi në këtë përpjekje është Haxhi shpirtëror. E sa i përket të dukshmes (zahires), kurbanin e therim dhe shpërndajmë si gjithmonë në tri pjesë, në tre domene të jetës, atij familjar, farefisnor dhe atij shoqëror. Haxhive iu urojmë respekt për misionin e përmbushur, dhe për veti të njëjtën e shpresojmë.

  1. Festat tjera

Domethënien e festave dhe ditëve të shquara për tarikatet shpesh ka edhe një dimension shpirtëror, në këtë frymë duhet të kuptohen edhe shpjegime si që u cekën me lartë. Për tarikatet edhe secila Xhuma është Festë. Me rituale të veçanta si që janë: Ziqër (Meditim), Devran (Vallëzim), Ilahi (këndim), Dua (Lutje), Salavate  (Tregim Respekti),me Ashk (dashuri shpirtërore) e Hal (Gjendje shpirtërore të Lartësuar) me Muhabet (Bisedë gnostike) dhe Sohbet (ligjërata gnostike) dervishët e festojnë Zotin dhe e përmbushin javën e devotshmërisë.

Bashkësia e Tarikateve i njeh dhe I kultivon edhe Festa Lokale dhe Ditët e Shquara që tradicionalisht organizohen pran Tyrbeve dhe lokaliteteve të veçanta në ditët e veçanta.

JANAR-SHKURT

MARS-PRILL

MAJ-QERSHOR

KORRIK-GUSHT

SHTATOR-TETOR

NËNTOR-DHJETOR